TIRANË- Që prej vitit 2004 pagat e pedagogëve nuk kanë njohur rritje, madje dhe nga skema e rritjes së pagave me 6% për punonjësit e arsimit, arsimi i lartë është i përjashtuar.

Kreu i sindikatës së punonjësve të universitetit, Sandër Kovaçi thotë se pedagogët janë të gatshëm që vitin e ardhshëm të bojkotojnë mësimin sepse pagat e tyre janë absurde dhe po zhyten në varfëri.

“Nuk mund të kesh mësimdhënie cilësore në universitet nëse nuk ke trajtim të mirë financiar të pedagogut . Është kërkuar nga ana e sindikatës, pra është pranuar nga pedagogët që të bojkotohet fillimi i vitit akademik. 50% e stafit akademik, pikërisht ai asistent merr rrogën e nivelit të shkollës së mesme, për arsye se shkollat e mesme kryesisht ka pasur ngritje të herë pas hershme dhe universitetet kanë qëndruar në vend. Për profesorin është 12- 13 mijë lekë megjithë taksat , pra zbrit dhe taksat 10-11 mijë lekë të vjetra , për profesorë të asociuar 12, për asistentin 8 mijë lek", tha Kovaçi.

Theksin kryesor profesor Kovaçi e vë dhe tek problematika të tjera të arsimit të lartë ku emergjente shikon nevojën për financim nga shteti për punën kërkimore.

“Kërkimi shkencor subvencionohet shumë pak në masën 0.04% të buxhetit e GDP është për kërkimin shkencor , ndërkohë që Serbia, Maqedonia e ka 10 herë më shumë se ne. Është emergjencë”, shtoi ai.

Sipas kreut të sindikatës së punonjësve të universitetit Shqipëria ka pagat më të ulëta në rajon për pedagogët dhe gati 40 % më të ulëta se në universitetet publike të Republikës së Kosovës.