Qeveria heq dorë nga PPP për Thumanë-Kashar-Lekaj, do të ndërtohet nga privati kundrejt tarifës

Qeveria heq dorë nga PPP për Thumanë-Kashar-Lekaj, do të ndërtohet nga privati kundrejt tarifës

Pasi qeveria shqiptare prishi në mënyrë të njëanshme, kontratën koncesionare me Partneritet Publik-Privat për ndërtimin e segmentit Thumanë-Kashar, ka vendosur që të ndryshojë formën e koncesionit për ndërtimin e saj.

Burimet nga Ministria e Infrastrukturës pohuan se shumë shpejt do të hapet gara për ndërtim me koncesion të tipit BOT të aksit të qendrës së autostradës Adriatiko -Joniane, që përfshin segmentin Thumanë-Kashar -Lekaj.

Koncesion BOT do të thotë Ndërtim-Operim -Transferimin. Kjo formë koncesionare parashikon ndërtimin e rrugës nga kapitali privat, kompania më pas përfiton fondet nga taksimi i aksit për një periudhë së paku 30 vjeçare. Pas përfundimit të koncesionit dhe periudhës së pagesës, rruga kalon në pronësi të shtetit shqiptar. Kjo formë koncesioni është mjaft e njohur në Shqipëri dhe është e përdorur më së shumti për ndërtimin e hidrocentraleve. Në këtë mënyrë shteti ndërton pa rrezikuar fondet publike ndërsa shpenzimet që janë kryer për ndërtimin e objektit shlyhen direkt nga taksat që do të paguajnë përdoruesit e rrugës.

Kostoja për ndërtimin e dy segmenteve të aksit Thumanë-Lekaj është mbi 640 milionë euro sipas studimit të fisibilitetit në kuadër të korridorit Adriatiko jonian.

Studimet e mëparshme kanë treguar se aksi i qendrës, Thumanë-Rrogozhinë-Kashar ka volumin më të lartë të lëvizjes së automjeteve, ndaj ka edhe një fisibilitet të lartë për të ndërtimin kundrejt pagesës. Projekti i parë kundrejt pagesës propozua për ndërtimin e tij ishte nga kompania austriake Strabag.

Fizibiliteti i Thumanë – Kashar 21 km, kosto 162 mln euro

Segmenti i katërt i autostradës Adriatiko-Joniane, Thumanë-Kashar, 21 kilometra, ka një histori të ndërlikuar, për shkak të përfshirjes së tij në paketën e koncesionit PPP.  Kontrata e tipit PPP, e cila ishte fituar nga kompana vendase Gener 2 në korrik 2018, pas një propozimi të pakërkuar me vlerë 226 mln euro pa TVSH dhe 271 milionë euro me TVSH, u anulua nga qeveria shqiptare në fillim të vitit 2019.

Ndërsa, sipas variantit zyrtar të prefizibilitetit në Ministrinë e infrastrukturës, ky segment kushton 162 milionë euro pa TVSh dhe 195 mln euro pa TVSH, ose rreth 30% më lire se variant me PPP.

Segmenti Thumanë – Kashar, sipas variantit zyrtar të prefizibiliteit shtrihet në një trase krejt të re në të 21 kilometrat e tij, si një autostradë e kategorisë A, me shpejtësi 120 kilometër në orë. Ky segment, sipas studimeve, parashikohet të ketë dhe trafikun më të madh, rreth 60 mijë mjete me 24 orë, duke e bërë atë tërheqës për investitorët.

 Segmenti Kashar-Lekaj, 33 kilometra kushton 480 mln euro

Sipas variantit zyrtar, segmenti i pestë i autostradës është Kashar-Lekaj dhe jo Kashar-Rrogozhinë. Ky segment nis në Kashar dhe përfundon në Lekaj të Kavajës, pak kilometra nga aksi kombëtar nacional. Sipas të dhënave nga Ministria e infrastrukturës, ky është segmenti i dytë më i shtrenjtë i autostradës me kosto reale, pasi kërkon një financim prej më shumë se 480 milionë eurosh, pa TVSH. Ky aks, me gjatësi 33 kilometra, do të kalojë në një trase krejtësisht të re, e cila parashikon edhe disa tunele në kodrat e Kasharit për të kaluar sërish në Ultësirë. Edhe ky segment do të jetë një rrugë e kategorisë A, me shpejtësi 120 kilometër në orë.

Krahasimi me PPP-të dhe a do të ketë garantim trafiku

Koncesioni i formës BOT (Build Operate transfer) sipas ekspertëve është më i leverdisshëm nga pikëpamja ekonomike në raport me partneritetin publik privat, pasi kosto e ndërtimit përballohet nga investitori. Por edhe në këtë rast, shteti merr përsipër risk, pasi ai garanton një trafik të caktuar për këtë segment.

Burimet nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë thanë se nga studimet e deritanishme ky segment rezulton më i leverdishmi në të gjithë korridorin Adriatiko-Jonian. Gjithsesi ende nuk është vendosur nëse qeveria do të garantojë grafikun, pasi çdo investitor do të kryejë vetë studimin e trafikut.

Korridori Adriatiko Jonian

Shqipëria përfshihet në rrjetin europian TEN-T, përmes autostradave Adriatiko – Joniane (që në pjesën më të madhe në territorin shqiptar përputhet me aksin rrugor Veri – Jug) dhe që është i Korridorit të Mesdheut, që fillon nga Spanja (Almeria) dhe kalon nëpër 6 vende Europiane (Spanjë, Francë, Itali, Slloveni, Kroaci dhe Hungari) në një gjatësi 6,000 km. Autostrada Adriatiko – Joniane lidh korridorin TEN-T Mesdhetar, që kalon në bregdetin kroat, me rrugët përgjatë bregdetit malazez dhe përshkon Shqipërinë nga Muriqani në Lezhë-Tiranë-Fier-Tepelenë-Gjirokastër dhe përfundon në Kakavijë.

Sipas të dhënave nga studimi i parafizibilitetit, që disponohet nga Ministria e Transporteve, Autostrada Adriatiko-Joniane në territorin shqiptare nis në Muriqan dhe vazhdon në Balldren, Milot, Thumanë, Kashar, Lekaj, Konjat, bypass-in e Fierit, Levan, Poçem, Memaliaj, Subash, bypass-in e Gjirokastrës dhe përfundon në Kakavijë, në 13 segmente me gjatësi 318 kilometra, duke përfshirë edhe bypass-in e Fierit që është në proces ndërtimi. Nga këto 5 segmente do të ndërtohen nga e para, ndërsa 8 të tjerat do të jenë dublim dhe sjellja në parametra e një autostrade të kategorisë A, me shpejtësi 12 kilometër në orë.

Ky korridor vlerësohet nga studimet e para të fisibilitetit të kushtojë midis 2.4-27 miliardë euro pa TVSH. Një pjesë e këtij korridori, konkretisht segmenti Milot-balldre është dhënë tashmë e PPP, me një kosto prej 256 milionë euro me TVSh, ose rreth 40% më e lartë sesa është vlerësuar në studimin e fisibilitetit të korridorit Adriatiko-Jonian. 

Harta: Gjurma e korridorit Adriatiko-Jonian


/Monitor/

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Hasani: 13/02/2020 01:10

    KJO AUT8STRADE ESHTE SHUME E NEVOJSHME ,,PER ZHVILLIMIN E TURIZMIT,,POR NUK DUHET TE JETE E COPETUAR,,,DUHET TE JETE LINEARE PA NDERPRERJE TRE ME TRE KORSI FILLIM- MBARIM MURRIQAN-KAKAVIJE...DHE TE MBAROJE SA ME SHPEJT,,,TE KETE DHE NJE LIDHJE ME RRUGE ME VLOREN DHE SARANDEN PER TURISTET...

    Përgjigju
  • Eri: 07/02/2020 14:04

    Po pse nuk kerko qeveria fonde nga Europa e t'a financoj gjys per gjys ku te gjitha shtetet e tjera fitojn investime nga samiti Ballkanit vtm Shqiperia del me duar n xhepa,dhe 1 projekt qe u tha se do investoj BE ate trenit Tiran-Durres ala s'ka filluar.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë