Një grup i dytë vendimesh me një listë të gjatë fondesh dhe aktivitetesh të paparashikuara më parë për 100-vjetorin e Pavarësisë, do t'u kalojnë së fundmi "si shpërblim" për keqmenaxhimin e deritanishëm të fondeve dhe për abuzimet (e pasqyruara jo pak në media) disa institucioneve si Ministrisë së Kulturës, Qendrës së Studimeve Albanologjike dhe Ministrisë së Arsimit. Nisur me radhë, në bazë të miratimeve më të fundit, vendimeve të Kryeministrit Sali Berisha, rreth 17 milionë lekët të vjetra i jepen QSA-së për konferencën "100 vjet Pavarësi".
Në këtë vendim konkretisht shkruhet: "Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, "Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë", dhe të nenit 13, të ligjit nr.10 487, datë 5.12.2011, "Për buxhetin e vitit 2012", me propozimin e Ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Këshilli i Ministrave, vendosi: 1. Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, në buxhetin e miratuar për vitin 2012, t'i shtohet fondi prej 16 794 188 (gjashtëmbëdhjetë milionë e shtatëqind e nëntëdhjetë e katër mijë e njëqind e tetëdhjetë e tetë) lekësh, për Qendrën e Studimeve Albanologjike për organizimin e Konferencës Ndërkombëtare "100 Vjet Pavarësi". Dhe pasi shkruhet se propozimin e ka bërë Ministri i Kulturës, del se fondin e ndan Ministri i Arsimit për këtë aktivitet. Konkretisht shkruhet: "Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe Ministria e Financave për zbatimin e këtij vendimi." Por ndër këto vendime të deklaruara zyrtarisht, ajo që të habit më shumë është një aktivitet i befasishëm që do të zhvillohet në Rusi. Ministria e Kulturës nuk e ka bërë publik më parë këtë lloj aktiviteti, i cili nuk dihet se për çfarë arsye do të zhvillohet në Rusinë e largët. Ja si shkruhet në këtë vendim " Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, në buxhetin e miratuar për vitin 2012, t'i shtohet kundërvlefta në lekë e fondit prej 3 527 268 (tre milionë e pesëqind e njëzet e shtatë mijë e dyqind e gjashtëdhjetë e tetë) lekësh, për zhvillimin e aktivitetit "Ditë të kulturës shpirtërore shqiptare në Rusi", në datat 29 shtator - 30 nëntor 2012". Pothuajse të gjitha projektet e pavarësisë kanë marrë fonde shtesë së fundmi në mënyrë të paparashikueshme. Ja ç'shkruhet në vendimin tjetër të qeverisë: "Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, në buxhetin e miratuar për vitin 2012, t'i shtohet fondi prej 57 108 870 (pesëdhjetë e shtatë milionë e njëqind e tetë mijë e tetëqind e shtatëdhjetë ) lekësh, për realizimin e procedurës dhe veprës monumentale "100 Vjet Pavarësi"." Kjo vepër do të mbahet mend si aventurë më vete, përsa u përket shpenzimeve shtetërore dhe institucionale. Monumenti është vendosur të prodhohet larg në Austri.
Nuk mjaftoi që u kopjua projekti nga një autor i huaj (R.Serra), por duhen edhe milionat që të shkojnë në një vend të huaj. Drejtori i Galerisë Kombëtare ka thënë se "Monumenti kërkon teknologji të precizonit të lartë dhe teknologjitë e derdhjes në Shqipëri janë gati primitive".
Pra sipas tij, i gjithë monumenti do të prodhohet jashtë vendit. Kështu qeveria vijon pagesat dhe kostoja e monumentit rritet deri në 60 milionë, ose 600 milionë lekë të vjetra, pa përfshirë këtu 35 mijë eurot që do të shkojnë për 2 arkitektët, edhe pse veprës prej kohësh i është vënë pikëpyetje për origjinalitetin e saj nga artistët më të njohur shqiptarë. Duke iu referuar pikërisht vendimeve, përfshi këtu edhe shpenzimet për ardhjen e armëve nga Vjena, të cilat do të jenë marramendëse, shuma shtesë e kalon 1 miliard lekë shtesë.
(Shkrimi u publikua sot ne gazeten Shqiptarja.com)