Këshilli i Ministrave vendosi sot krijimin e fondit në mbështetje të ndërmarrjeve sociale, të njohura si të tilla nga ministri përgjegjës për çështjet sociale, me vlerë 210 milionë lekë, për periudhën 2026-2028.

Sipas vendimit të qeverisë, format e mbështetjes së ndërmarrjeve sociale nëpërmjet subvencionit janë mbështetja e hapjeve të vendeve të reja të punës në pagesën e pagës minimale të punonjësve të ndërmarrjeve sociale, që i përkasin grupeve të pafavorizuara; mbështetja në pagesën e sigurimeve të detyrueshme shoqërore dhe shëndetësore të punonjësve të ndërmarrjeve sociale, që i përkasin grupeve të pafavorizuara.

Ndërmarrjet sociale që përfitojnë subvencione për krijimin e vendeve të reja të punës, duhet të kenë: një projektpropozim 3-vjeçar; dokument që vërteton rritjen e numrit të të punësuarve, me përfaqësues nga grupet e pafavorizuara, të evidentuar në programet e mbrojtjes sociale dhe të punësimit, sipas legjislacionit në fuqi.

Një ndërmarrje sociale mund të përfitojë subvencion për hapjen e deri 10 vendeve të reja të punës, ku përfshihen pagesat e pagës minimale për punëmarrësit, për një periudhë 3-vjeçare.

Vlera totale e ndihmës së dhënë një ndërmarrjeje sociale, e siguruar nga të gjitha format e mbështetjes së ndihmës shtetërore, përfshirë dhe format e mbështetjes nga buxheti i shtetit nuk do të kalojë shumën 14 milionë lekë për një periudhë prej tre vjetësh.

Për zbatimin e këtij vendimi ngarkohen ministri përgjegjës për çështjet sociale dhe Shërbimi Social Shtetëror.

V E N D I M

PËR

PËRCAKTIMIN E MASËS SË PËRFITIMIT, KRITEREVE DHE KUSHTEVE TË VEÇANTA TË PËRFITIMIT  PËR NDËRMARRJET MIKRO, TË VOGLA DHE TË MESME, PËR VITIN 2026

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 6, të nenit 11, të ligjit nr.43/2022, “Për zhvillimin e ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme, me propozimin e ministrit të Ekonomisë dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

I. DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

1. Ky vendim ka për qëllim përcaktimin e masës së përfitimit, kritereve dhe kushteve e veçanta të përfitimit të fondit për mbështetjen e ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme (NMVM), të cilat synojnë rritjen e konkurrueshmërisë së tyre, zhvillimin e produkteve dhe shërbimeve, inovacionin dhe rinovimin e teknologjisë, me qëllim nxitjen drejt eksportit dhe forcimin e aftësive të NMVM-ve lidhur me shërbimet dhe produktet për një treg të qëndrueshëm.

2. Termat e përdorur, në përmbajtje të këtij vendimi, kanë të njëjtin kuptim me përkufizimet e dhëna në pikat 4 dhe 5, të nenit 3, të ligjit nr.43/2022, “Për zhvillimin e ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme”.

3. Nuk përfitojnë nga ky fond ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme, të cilat kanë përfituar burime financimi nga donatorë apo nga institucione financiare kombëtare dhe ndërkombëtare për të njëjtët zëra apo aktivitete të lejuara nga këto projekte.

II. MASA E PËRFITIMIT, KRITERET DHE KUSHTET E VEÇANTA PËR PËRFITIMIN E FONDIT

1. Skema e mbështetjes financiare për shpenzimet korrente të programit ekonomik (04130) “Mbështetje për zhvillimin ekonomik” të Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit është në vlerën 100 000 000 (njëqind milionë) lekë, që mbulon 100% të kostove të miratuara, por jo më shumë se 2 500 000 (dy milionë e pesë qind mijë) lekë.

2. Aplikuesit për përfitimin e fondit plotësojnë kriteret e përgjithshme, të përcaktuara në pikën 5, të nenit 11, të ligjit nr.43/2022, “Për zhvillimin e ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme”, si dhe kriteret e veçanta të lidhura me projektplanin e biznesit, si më poshtë vijon:

a) Përputhshmëria e planit të biznesit me objektin dhe qëllimet e dhënies së fondit, duke pasur në fokus nxitjen drejt eksportit dhe forcimin e aftësive të NMVM-ve lidhur me shërbimet dhe produktet për një treg të qëndrueshëm;

b) Plani i biznesit, i detajuar me objektiva dhe elemente, të cilat identifikohen nëpërmjet rezultateve të matshme nga realizimi i tij;

c) Përshkrimi i detajuar i aktiviteteve që do realizohen;

ç) Përshkrimi i impaktit dhe i rezultateve të matshme;

d) Të dhëna konkrete që aktivitetet e ndërmarrjes rrisin numrin e të punësuarve;

      dh) Të dhëna konkrete dhe të argumentuara për impaktin pozitiv mjedisor.

3. Aktivitetet e lejuara, me qëllim përfitimin e fondit, janë skema të mbështetjes financiare për zërin “Shpenzimet korrente”, që mbulon kostot e mëposhtme:

a) Certifikim të standardeve të prodhimit/shërbimit (përfshirë konsulencën përkatëse në fazën përgatitore);

b) Përmirësim të produktit përmes ambalazhimit, etiketimit;

c) Trajnime të stafit të ndërmarrjes për rritje kapacitetesh në fusha të tilla si: menaxhimi i teknologjive digjitale/inovatore, rrjetet e prokurimit, shërbime marketingu, zhvillimi dhe modernizimi i infrastrukturës së biznesit, sisteme të reja logjistike software apo pajisje të reja etj., dhe pajisje me certifikatat përkatëse nga subjekte të licencuara për trajnime;

ç) Krijimi i aplikacioneve apo i platformave, në funksion të zhvillimit të proceseve, lidhur me tregtinë elektronike/e-commerce, produkteve të reja dhe/ose shërbimeve, për të përmbushur kërkesat e industrisë së tregut në vend dhe rajon për të përmirësuar biznesin, sistemet logjistike etj.

4. Dokumentacioni i nevojshëm, që shoqëron kërkesën për aplikim, duhet të dorëzohet i firmosur dhe i vulosur nga aplikuesi, në origjinal ose në kopje të njësuar me origjinalin, e të lëshuara jo më herët se 30 (tridhjetë) ditë nga data e aplikimit për fonde.

5. Disbursimi i fondit do të bëhet me dy këste, në përputhje me përcaktimet e vendimit nr.539, datë 29.7.2022, të Këshillit të Ministrave, “Për krijimin, funksionimin, shpërblimin e anëtarëve të bordit vlerësues të kërkesave, si dhe procedurën konkurruese për dhënien e granteve për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme”, të ndryshuar.

III. DISPOZITA TË FUNDIT

Ngarkohen Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit dhe Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.