Qeveria shqiptare miratoi sot projektligjin për krijimin e Agjencisë Kombëtare të Shërbimeve Arsimore, që zëvendëson Qendrën e Shërbimeve Arsimore. Agjencia do të ketë status autonom për të garantuar pavarësi, standarde më të larta dhe transparencë në administrimin e provimeve kombëtare dhe ndërkombëtare, si dhe në shërbimin e digjitalizuar për njohjen e diplomave.

Gjithashtu, Këshilli i Ministrave miratoi 3 vendime lidhur me metodologjinë e vlerësimit të instituteve kërkimore shkencore, kategorizimin e pagave dhe shpërblimeve për kërkuesit shkencorë, si dhe standardin për menaxhimin e bazës së të dhënave të kërkimit shkencor dhe provimeve kombëtare e ndërkombëtare.

VKM:

V E N D I M PËR KRIJIMIN E BAZËS SË TË DHËNAVE SHTETËRORE TË SISTEMIT TË PROVIMIT TË SHTETIT DHE PROVIMEVE TË TJERA   TË DIGJITALIZUARA

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 4, të ligjit nr.10325,   datë 23.9.2010, “Për bazat e të dhënave shtetërore”, me propozimin e ministrit të Arsimit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Krijimin e bazës së të dhënave shtetërore të Sistemit të Provimit të Shtetit dhe provimeve të tjera të digjitalizuara.

2. Institucioni administrues i bazës së të dhënave shtetërore të Sistemit të Provimit të Shtetit dhe provimeve të tjera të digjitalizuara është Qendra e Shërbimeve Arsimore.

3. Të dhënat e kësaj baze ndahen në të dhëna parësore dhe në të dhëna dytësore, si më poshtë vijon:

a) Të dhënat parësore të sistemit konsiderohen të dhënat e mbledhura nga Qendra e Shërbimeve Arsimore, që kanë të bëjnë me:

i. rezultatet e provimeve të shtetit dhe të provimeve të tjera të digjitalizuara, si dhe përgjigjet e dhëna nga kandidatët për çdo profesion/profil;

ii. fondet e pyetjeve dhe testet e provimeve të shtetit e të provimeve të tjera të digjitalizuara;

iii. të dhënat për praktikën profesionale dhe për licencat për ushtrimin e profesioneve të rregulluara;

iv. të dhënat mbi vlerësimin e dosjeve të kandidatëve për provimet e shtetit e të provimeve të tjera të digjitalizuara.

b) Të dhënat dytësore të sistemit konsiderohen të dhënat që merren nga Regjistri Kombëtar i Gjendjes Civile, Regjistri Elektronik Kombëtar për të Huajt në Republikën e Shqipërisë, portali unik qeveritar “e-Albania” dhe Sistemi i Menaxhimit të Informacionit të Arsimit të Lartë (SMIAL), si më poshtë vijon:

i. Emri, atësia, amësia, mbiemri;

ii. Numri i identifikimit personal;

iii. Datëlindja, gjinia, vendlindja;

iv. Statusi civil;

v. Adresa e vendbanimit;

vi. Shtetësia;

vii. Të dhënat e kontaktit të aplikuesit;

viii. Të dhënat personale të studentëve të huaj.

4. Dhënës të informacionit për sistemin janë:

a)  Qendra e Shërbimeve Arsimore (QSHA);

b)  Agjencia Kombëtare e Arsimit Parauniversitar (AKAP);

c)  Agjencia e Sigurimit të Cilësisë së Arsimit Parauniversitar (ASCAP);

ç)  drejtoritë rajonale të arsimit parauniversitar (DRAP);

d)  zyrat vendore të arsimit parauniversitar (ZVAP);

dh) urdhrat profesionalë të profesioneve të rregulluara;

e)  kandidatët për provim;

ë) institucionet publike dhe jopublike, që zhvillojnë provime të tjera të digjitalizuara pranë Qendrës së Shërbimeve Arsimore.

5. Sistemi i Provimit të Shtetit ndërvepron me:

a) bazën e të dhënave shtetërore të Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile;

b) Sistemin e Menaxhimit të Informacionit të Arsimit të Lartë;

c) Regjistrin Elektronik Kombëtar për të Huajt në Republikën e Shqipërisë;

ç) portalin unik qeveritar “e-Albania”.

6. Institucioni administrues i bazës së të dhënave siguron përpunimin e të dhënave personale, në përputhje me legjislacionin në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale. Institucioni administrues mbledh vetëm të dhënat personale të domosdoshme për realizimin e qëllimit të bazës së të dhënave dhe provimeve.

7. Të dhënat personale të transmetuara duhet të ruhen për aq kohë sa është e nevojshme për të përmbushur qëllimin për të cilin janë grumbulluar. Pas përfundimit të këtij afati, të dhënat fshihen ose anonimizohen sipas procedurave të institucionit administrues.

8. Niveli i aksesimit të lejuar për përdoruesit e Sistemit të Provimit të Shtetit dhe provimeve të tjera të digjitalizuara bazohet në rolet e krijuara të përdoruesve dhe përcaktohet, si më poshtë vijon:

a) Qendra e Shërbimeve Arsimore:

i. menaxher përdoruesi sistemi për:

i/1. krijimin e përdoruesve;

i/2. caktimin e roleve dhe të të drejtave të tyre;

i/3. kontrollin e veprimtarisë së përdoruesve, si hedhës e gjenerues  i  të dhënave.

ii. Administrator sistemi për:

ii/1. krijimin e sezonit të provimit;

ii/2. krijimin e strukturave të provimeve;

ii/3. ngarkimin e fondit të pyetjeve;

ii/4. krijimin e seancave për provime të përgatitura nga komisionet, si hedhës dhe gjenerues i të dhënave.

iii. Administrator salle për renditjen e kandidatëve për provim, sipas listës emërore, si lexues e gjenerues i të dhënave;

b) Zyra Vendore Arsimore Parauniversitare:

i. menaxher aplikimesh për:

i/1. verifikimin e dokumentacionit të aplikantit për provim shteti, si lexues;

 i/2. përgatitjen e listës emërore të kandidatëve, e cila dërgohet pranë drejtorisë rajonale të arsimit parauniversitar përkatëse, si hedhës dhe gjenerues i të dhënave.

c) Urdhrat profesionalë/DRAP/institucionet publike dhe jopublike të interesuara, që zhvillojnë provime të tjera të digjitalizuara:

i. menaxher aplikimesh për:

i/1. verifikimin e dokumentacionit të aplikantit për provim shteti nga zyra  vendore e arsimit parauniversitar vartës, si lexues;

i/2. përgatitjen e listës emërore të kandidatëve, e cila dërgohet edhe pranë QSHA-së në rrugë zyrtare, si hedhës dhe gjenerues i të dhënave.

9. Në bazë të ligjit nr.10325, datë 23.9.2010, “Për bazën e të dhënave shtetërore”, rregulloret për organizimin dhe funksionimin e brendshëm të bazës së të dhënave shtetërore përcaktohen nga institucioni administrues e miratohen nga titullari i tij.

10. Palët zbatojnë masat e duhura teknike dhe organizative për të siguruar një nivel sigurie të përshtatshëm ndaj rrezikut për çdo veprim në regjistër lidhur me aksesin, ndryshimin, korrigjimin, përhapjen e të dhënave personale, me qëllim garantimin e gjurmueshmërisë, të konfidencialitetit e të integritetit, disponueshmërinë e qëndrueshmërinë e sistemeve dhe të shërbimeve të përpunimit.

11. Vendimi nr.741, datë 3.12.2021, i Këshillit të Ministrave, “Për krijimin e bazës së të dhënave shtetërore të Sistemit të Provimit të Shtetit (SPSH)”, shfuqizohet.

12. Ngarkohen Ministria e Arsimit, ministritë sipas fushës së përgjegjësisë për profesionet e rregulluara, Qendra e Shërbimeve Arsimore, Agjencia Kombëtare e Arsimit Parauniversitar, Agjencia e Sigurimit të Cilësisë së Arsimit Parauniversitar, drejtoritë rajonale të arsimit parauniversitar, zyrat vendore të arsimit parauniversitar, autoritetet kompetente të profesioneve të rregulluara dhe urdhrat profesionalë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

***

V E N D I M PËR PËRCAKTIMIN E KRITEREVE, TË PROCEDURAVE,   TË PERIODICITETIT, TË METODOLOGJISË DHE TË LLOJEVE  TË MASAVE PËR VLERËSIMIN E PËRMBUSHJES SË KUSHTEVE DHE TË KRITEREVE TË FUNKSIONIMIT TË INSTITUTEVE   DHE NJËSIVE TË VEÇANTA TË KËRKIMIT SHKENCOR,   TË CILAT FINANCOHEN NGA FONDE PUBLIKE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 20, të   ligjit nr.109/2024, “Për shkencën dhe kërkimin shkencor në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Arsimit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

I. DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

1. Ky vendim përcakton kriteret, procedurat, periodicitetin dhe metodologjinë e vlerësimit të përmbushjes së kushteve dhe të kritereve të funksionimit të instituteve dhe njësive të veçanta të kërkimit shkencor, të cilat financohen nga fonde publike, si dhe llojet e masave në rast të mospërmbushjes së kushteve dhe të kritereve të funksionimit.

2. Ky vendim zbatohet për të gjitha institutet dhe njësitë e veçanta të kërkimit shkencor, që janë krijuar në bazë të ligjit nr.109/2024, “Për shkencën dhe kërkimin shkencor në Republikën e Shqipërisë”, dhe që financohen plotësisht ose pjesërisht nga fonde publike apo sipas një marrëveshjeje të posaçme financimi.

3. Ky vendim zbatohet edhe për projektet e kërkimit të financuara nga programe të huaja, kur financimi kombëtar bashkëkontribuon në buxhet.

II. KRITERET E VLERËSIMIT TË PËRMBUSHJES SË KUSHTEVE DHE TË KRITEREVE TË FUNKSIONIMIT TË INSTITUTEVE DHE NJËSIVE TË VEÇANTA TË KËRKIMIT SHKENCOR TË FINANCUARA NGA FONDE PUBLIKE

Kriteret e vlerësimit të përmbushjes së kushteve dhe të kritereve të funksionimit të instituteve dhe njësive të veçanta të kërkimit shkencor, që kanë përfituar fonde publike, janë, si më poshtë vijon:

a) Vlerësimi institucional mbi funksionimin e strukturës së bordit shkencor dhe komitetit të etikës së bashku me rregulloren e tij;

b) Vlerësimi për menaxhimin financiar dhe kontrollin, në përputhje me                     ligjin nr.9963, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar;

c) Vlerësimi për kapacitetet njerëzore dhe profesionale mbi numrin e punonjësve kërkimorë-shkencorë të instituteve dhe njësive të veçanta të kërkimit shkencor;

ç) Vlerësimi mbi përdorimin e fondeve publike, sipas parashikimeve të legjislacionit në fuqi për menaxhimin financiar e kontrollin;

d) Realizimi i vlerësimit të produktit kërkimor-shkencor mbi përdorimin e bazës së të dhënave dhe rezultatit shkencor, sipas standardeve dhe objektivave të përcaktuar në marrëveshjen e financimit dhe kontributit në fushën e politikave publike;

dh) Vlerësimi për zbatimin e rregullave të transparencës, të etikës,  të parimeve të shkencës së hapur, të mbrojtjes së të dhënave personale gjatë realizimit të veprimtarisë kërkimore-shkencore, sipas legjislacionit në fuqi.

III. PROCEDURA E VLERËSIMIT TË PËRMBUSHJES SË KUSHTEVE DHE TË KRITEREVE TË FUNKSIONIMIT TË INSTITUTEVE DHE NJËSIVE TË VEÇANTA TË KËRKIMIT SHKENCOR TË FINANCUARA NGA FONDE PUBLIKE

1. Vlerësimi i përmbushjes së kushteve dhe kritereve të funksionimit të instituteve dhe njësive të veçanta të kërkimit shkencor të financuara nga fonde publike  realizohet nga ministria përgjegjëse për çështjet e shkencës dhe kërkimit shkencor, sipas procedurës së ndarë në fazat e mëposhtme:

a) Faza e përgatitjes, e cila përfshin hartimin e planit vjetor të vlerësimeve nga ministria përgjegjëse për kërkimin shkencor, ngritjen e grupit të punës për vlerësim dhe njoftimin e instituteve dhe njësive të veçanta të kërkimit shkencor me shkrim 30 (tridhjetë) ditë para fillimit të vlerësimit. Pas njoftimit, instituti dhe njësia e veçantë e kërkimit shkencor, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve nga data e njoftimit, paraqet:

i. raportin vjetor teknik;

ii. raportin financiar;

iii. raportin e vetëvlerësimit;

iv. dokumentet e kontrollit të brendshëm.

b) Faza e verifikimit, gjatë Së cilës grupi i punës i ngritur për vlerësimin, brenda 20 (njëzet) ditëve nga marrja e dokumentacionit, realizon detyrat, si më poshtë:

i. Analizën dokumentare;

ii. Intervistën me drejtues dhe staf;

iii. Verifikimet fizike (laboratorë, pajisje, aktivitete);

iv. Auditimin e procedurave financiare dhe të prokurimit;

v. Krahasimet ndërinstitucionale (benchmarking).

c) Faza e analizës dhe e vlerësimit, gjatë të cilës grupi i punës i ngritur për vlerësim, brenda 10 (dhjetë) ditëve nga përfundimi i fazës së dytë, përgatit matricën e vlerësimit, sipas kritereve, të cilat pikëzohen nga             1–5. Pesha e kritereve caktohet, si më poshtë:

i. 40% – performanca shkencore;

ii. 30% – performanca financiare;

iii. 20% – kapacitetet institucionale;

iv. 10% – transparenca dhe etika.

2. Grupi i punës i ngritur harton projektraportin e vlerësimit brenda                           45 (dyzet e pesë) ditëve nga fillimi i procedurës. Projektraporti i dërgohet institutit apo njësisë së veçantë të kërkimit shkencor për observime brenda 10 ditëve nga marrja e projektraportit. Raporti final publikohet me përjashtim të të dhënave konfidenciale.

IV. METODOLOGJIA PËR VLERËSIMIN E PËRMBUSHJES SË KUSHTEVE DHE TË KRITEREVE TË FUNKSIONIMIT TË INSTITUTEVE DHE NJËSIVE TË VEÇANTA TË KËRKIMIT SHKENCOR, QË FINANCOHEN NGA FONDE PUBLIKE

Metodologjia për kryerjen e këtij vlerësimi bazohet në instrumentet e mëposhtme:

a) Indikatorët metodologjikë:

i. analizë statistikore;

ii. analizë cilësore;

iii. analizë krahasuese (benchmarking);

iv. analizë e riskut;

v. verifikim fizik;

vi. raporte të auditimit të brendshëm e të jashtëm.

b) Indikatorët shkencorë:

i. numri i botimeve, sipas kategorisë;

ii. faktorët e ndikimit;

iii. patentat;

iv. projektet ndërkombëtare;

v. nivelet e technology readiness level.

c) Indikatorët financiarë:

i. përdorimi i buxhetit;

ii. shmangiet nga plani i prokurimit;

iii. rekomandimet e auditimeve;

iv. përqindja e kostove joproduktive.

ç) Indikatorët institucionalë:

i. funksionimi i organeve drejtuese;

ii. rregulloret e brendshme;

iii. procedurat e zbatimit të akteve.

d) Indikatorët e transparencës e të etikës:

i. publikimet në faqet zyrtare;

ii. raportimet periodike;

iii. ankesat dhe trajtimi i tyre.

V. PERIODICITETI PËR VLERËSIMIN E PËRMBUSHJES SË KUSHTEVE DHE TË KRITEREVE TË FUNKSIONIMIT TË INSTITUTEVE DHE NJËSIVE TË VEÇANTA TË KËRKIMIT SHKENCOR, QË FINANCOHEN NGA FONDE PUBLIKE

1. Ministria përgjegjëse për çështjet e shkencës e të kërkimit shkencor kryen vlerësimin e përmbushjes së kushteve dhe të kritereve të funksionimit të instituteve dhe njësive të veçanta të kërkimit shkencor të financuara nga fonde publike të paktën një herë në çdo dy vjet për çdo projekt të financuar nga fonde publike dhe në përfundim të tij. Në rast se, sipas marrëveshjes së financimit, kjo kohëzgjatje është më pak se dy vjet, realizohet në përfundim të projektit.

2. Për projektet e kërkimit të financuara nga programe të huaja, kur financimi kombëtar bashkëkontribuon në buxhet, kryerja e vlerësimit të përmbushjes së kushteve dhe të kritereve të funksionimit të instituteve dhe të njësive të veçanta të kërkimit shkencor të financuara nga fonde publike realizohet nga ministria përgjegjëse për shkencën dhe kërkimin shkencor për fondet e dhëna nga buxheti i shtetit, sipas kohëzgjatjes së përcaktuar në pikën 1 të këtij kreu.

VI. LLOJET E MASAVE PËR VLERËSIMIN E INSTITUTEVE DHE TË NJËSIVE TË VEÇANTA TË KËRKIMIT SHKENCOR, QË FINANCOHEN NGA FONDE PUBLIKE

1. Ministria përgjegjëse për çështjet e shkencës e të kërkimit shkencor, bazuar në raportin e vlerësimit, merr masa për institutet dhe njësitë e veçanta të kërkimit shkencor, sipas shkeljeve të konstatuara.

2. Shkeljet klasifikohen, si më poshtë:

a) Shkelje shumë të rënda, kur konstatohen shkelje e një apo më shumë prej kritereve institucionale; merret masa e mosfinancimit nga fonde publike të asnjë projekti për një periudhë deri në 10 (dhjetë) vjet dhe ndërprerje e plotë ose e pjesshme e fondeve publike, nëse projekti nuk ka përfunduar;

b) Shkelje të rënda, kur konstatohet shkelje e një apo më shumë prej kritereve të vlerësimit shkencor/produktit kërkimor-shkencor; merret masa e pezullimit të projektit deri në përmbushjen e kritereve të paplotësuara;

c) shkelje të lehta, kur konstatohet mospërmbushje e kritereve të etikës e të transparencës; merret masa e vendosjes së afateve të detyrueshme për përmbushjen e shkeljeve të konstatuara.

VII. DISPOZITA PËRFUNDIMTARE

1. Rregullat teknike, në varësi të fushës së veprimtarisë kërkimore-shkencore, për monitorimin dhe vlerësimin e përmbushjes së kushteve dhe të kritereve të funksionimit të instituteve dhe të njësive të veçanta të kërkimit shkencor të financuara nga fonde publike, përcaktohen në marrëveshjet dypalëshe ose shumëpalëshe, që lidhen ndërmjet institucioneve financuese dhe atyre përfituese, në përputhje me legjislacionin për kontrollin e menaxhimin financiar.

2. Ngarkohen ministria përgjegjëse për çështjet e shkencës dhe të kërkimit shkencor, institutet dhe njësitë e veçanta të kërkimit shkencor për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

***

V E N D I M PËR

PËRCAKTIMIN E KATEGORIZIMIT NË PAGË DHE SHPËRBLIMIT PËR PUNËN NË BAZË TË CILËSISË E TË RËNDËSISË  SË REZULTATEVE TË KËRKIMIT SHKENCOR TË PERSONELIT    TË INSTITUTEVE DHE TË NJËSIVE TË VEÇANTA TË KËRKIMIT SHKENCOR PUBLIK

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 4, të nenit 23, të   ligjit nr.109/2024, “Për shkencën dhe kërkimin shkencor në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Arsimit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Në fushën e veprimit të këtij vendimi përfshihen punonjësit   kërkimorë-shkencorë dhe punonjësit ndihmësteknikë dhe administrativë të instituteve dhe të njësive të veçanta të kërkimit shkencor publik.

2. Elementet përbërëse të pagës bruto mujore të punonjësve   kërkimorë-shkencorë janë, si më poshtë vijon:

a) Paga për pozicion/kategori, që përcaktohet në lidhjet nr.1 dhe nr.2, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij. Për pozicionet drejtues i institutit ose drejtues i njësisë së veçantë të kërkimit shkencor publik, paga është në përputhje me kategorinë, që zotëron punonjësi kërkimor-shkencor.

b) Shtesa për vjetërsi, në masën 1 (një) për qind, për çdo vit pune, por jo më shumë se për 25 (njëzt e pesë) vjet.

3. Klasat e pagave për punonjësit administrativë janë sipas lidhjes nr.3, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij. Elementet përbërëse të pagës bruto mujore të secilës klasë page (paga për pozicion, shtesa për vjetërsi në punë dhe shtesa e nivelit të kualifikimit) dhe vlerat e çdo elementi janë sipas përcaktimeve të vendimit përkatës të Këshillit të Ministrave për pagat e nëpunësve civilë të institucioneve të administratës shtetërore.

4. Klasat e pagave për punonjësit ndihmësteknikë janë sipas lidhjes nr.4, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij. Elementet përbërëse të pagës bruto mujore të secilës klasë page (paga për pozicion dhe shtesa për vjetërsi në punë) dhe vlerat e çdo elementi janë sipas përcaktimeve të vendimit përkatës të Këshillit të Ministrave për pagat e punonjësve mbështetës dhe punonjësve të tjerë të specialiteteve të ndryshme në disa institucione të administratës publike.

5. Shpërblimi për punën kërkimore-shkencore jepet nga të ardhurat e siguruara nga veprimtaria e institutit ose njësisë së veçantë të kërkimit shkencor publik, deri në kufirin 20 për qind të nivelit të pagës minimale, për kategoritë e personelit kërkimor-shkencor. Shpërblimi jepet me vendim të drejtuesit të institutit ose njësisë së veçantë të kërkimit shkencor publik, bazuar në pikëzimin për kriteret e vlerësimit të veprimtarisë kërkimore, të përcaktuara me udhëzim të ministrit përgjegjës për çështjet e shkencës dhe kërkimit shkencor, sipas nenit 29, të ligjit nr.109/2024.

6. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, përballohen nga fondet grant të miratuara në buxhetin e shtetit për institutet dhe njësitë e veçanta të kërkimit shkencor publik, fondet publike për kërkimin shkencor, si dhe nga të ardhurat e krijuara nga veprimtaria e tyre.

7. Ngarkohen ministria përgjegjëse për çështjet e shkencës dhe kërkimit shkencor, institutet dhe njësitë e veçanta të kërkimit shkencor publik për zbatimin e këtij vendimi.

     Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA