Qeveria shqiptare është në negociata me disa shtete për të marrë fuqi punëtore të kualifikuar për të mbuluar mungesat e tregut. Pas Bangladeshit, Filipineve tashmë vëmendja është zhvendosur edhe në Indonezi për të rekrutuar punonjës.

“Sigurisht adresimi i mungesës së fuqisë punëtore, por edhe i fuqisë punëtore të kualifikuar do të jetë pjesë e diskutimeve të ditës së sotme ku në fakt qeveria shqiptare ka ndërmarrë masa të rëndësishme me qëllim kualifikimin e fuqisë punëtore, por edhe me qëllim plotësimin e nevojave për fuqi punëtore edhe nëpërmjet marrëveshjeve që ne jemi duke nënshkruar me vende të treta”, tha Ibrahimaj.

Në mbledhjen e parë për këtë vit për konstituimin e Këshillit Kombëtar të Punës, ministrja e Ekonomisë Delina Ibrahimaj tha se do të vijohet me rritjen e pagës minimale derisa të arrihet në standardet e BE.

“Në programin e qeverisë parashikohet që do të ketë një rritje të mëtejshme të pagës minimale përgjatë katërvjeçarit të ardhshëm me qëllim që ne të sigurohemi që punonjësit pra të vendosim atë limitin që punonjësit të kenë një pagë sa më afër nevojave të tyre, por gjithashtu për të shkuar drejt standardit të Bashkimit Evropian, i cili parashikon që paga minimale duhet të jetë minimalisht sa 60% e pagës mesatare në nivel vendi”, tha Ibrahimaj.

Viti 2026, - tha Ibrahimaj - do të shoqërohet me një sërë nismash ligjore duke përfshirë edhe rishikimin e Kodit të Punës, si dhe do të prezantohet ligji i ri i nxitjes së punësimit.

“Ligji për nxitjen e punësimit synon modernizimin e shërbimeve të punësimit, digjitalizimin e proceseve, forcimin e garancisë rinore, krijimin e observatorit të tregut të punës si instrument thelbësor për hartimin e politikave në këtë fushë, por edhe për ndjekjen e zbatimit të politikave në këtë fushë”, tha Ibrahimaj.

Ministrja theksoi se fokusi gjatë këtij viti do të jetë edhe tek dialogu social, reforma e re e pensioneve si dhe tek statusi i minatorit.