Qeveria shqiptare zhvilloi dje ankandin për shitjen e obligacioneve 2-vjeçare në euro, që treguan sërish një interes të madh nga tregu për të investuar në këto instrumente. Shuma totale e kërkuar nga pjesëmarrësit në ankande arriti në 64.6 milionë euro, ndërsa shuma e pranuar nga qeveria shqiptare ishte në vlerën e 39.6 milionë eurove.

Me qëllim për të mbajtur disi më të ulët kuponin, Ministria e Financave ka preferuar të marrë një hua disi më të ulët nga shuma e shpallur prej 45 milionë eurosh. Megjithatë, kuponi apo interesi mesatar i obligacioneve ishte sërish i favorshëm, në nivelin 0.8%, po aq sa në ankandin e mëparshëm të obligacioneve në euro, që ishte zhvilluar në muajin janar.

Edhe ky ankand tregoi se kosto e huamarrjes së qeverisë në euro është ndjeshëm më e ulët krahasuar me atë në lekë. Në ankandin e fundit, obligacionet dyvjeçare në lekë u emetuan me një kupon prej 2.64%, nivel ky mbi tre herë më i lartë. Tregu financiar vijon të ketë likuiditet të lirë në euro, në kushtet e rritjes së depozitave dhe kur kreditimi në monedhën europiane është i dobët.

Në përgjithësi, oferta për euro në tregun financiar ngelet e lartë, çka ka sjellë edhe një zhvlerësim të monedhës europiane në kursin e këmbimit me lekun në nivelet më të ulëta të tetë viteve të fundit. Qeveria shqiptare po e shfrytëzon këtë moment të favorshëm për të siguruar financime me kosto më të ulët, duke i emetuar një pjesë të instrumenteve të borxhit në euro.

Ankandet në euro për financimin e borxhit të brendshëm janë bërë një praktikë e zakonshme vitet e fundit. Në muajin nëntor të vitit 2016, qeveria emetoi një obligacion 2-vjeçar me vlerë 35 milionë euro, ndërsa në janar të 2017 u zhvillua një tjetër ankand me vlerë 50 milionë euro.

Redaksia Online
D.T/Shqiptarja.com