Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 5, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, "Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë" dhe të neneve 10 e 13, të ligjit nr.185/2013, "Për buxhetin e vitit 2014", me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave vendosi ne mbledhjen e sotme:
1. Në buxhetin e miratuar për vitin 2014, në kuadër të festimeve të 70-Vjetorit të Çlirimit të Vendit, të shtohet fondi prej 94 000 000 (nëntëdhjetë e katër milionë) lekësh, i cili të ndahet për disa institucione, si më poshtë vijon:
 a) Ministrisë së Mbrojtjes, në programin "Planifikim, menaxhim, administrim", zëri "Shpenzime korrente", fondi prej 7 000 000 (shtatë milionë) lekësh, për kryerjen e punimeve restauruse në objektin 0774, vendkomanda taktike e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, pranë Batalionit të Mbështetjes së Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura,  nr.8010 dhe për mbështetjen e aktiviteteve të shoqatave të veteranëve.
b) Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, në programin "Planifikim, menaxhim, administrim", zëri "Shpenzime korrente",  fondi prej 23 000 000 (njëzet e tre milionë) lekësh, për organizimin e koncertit të madh përmbyllës dhe të fushatës publicitare, me rastin e 70-Vjetorit të Çlirimit të Vendit.
c) Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, në programin "Planifikim, menaxhim, administrim",  zëri "Shpenzime korrente",  fondi prej 5 000 000 (pesë milionë) lekësh, për:
 i. organizimin e kampionatit sportiv mes shkollave "Kupa e 70-Vjetorit të Çlirimit";
ii. organizimin e ekspozitës kombëtare mes shkollave 9-vjeçare dhe të mesme me imazhin e lirisë;
iii. konferencën shkencore për Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare.
ç) Ministrisë së Kulturës, në programin "Arti dhe kultura", zëri "Shpenzime korrente", fondi prej 47 000 000 (dyzet e shtatë milionë) lekësh, për:
 i. organizimin e ekspozitës "Albanian artists after the fall", në hollin e Kryeministrisë;
ii. Festivalin e Dritave;
iii. ndërhyrjen restauruese në 20 objekte përkujtimore të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare;
iv. ekspozitën në "Bunkerin antibërthamor të Linzës" (Objekti 0774, vendkomanda taktike e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, pranë Batalionit të Mbështetjes së Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, nr.8010).
 d) Prefekturës Tiranë, në programin "Planifikim, menaxhim, administrim", zëri "Shpenzime korrente", fondi prej 1 000 000 (një milion) lekësh, për kryerjen e punimeve restauruse në Varrezat e Dëshmorëve, Tiranë, në përgatitje të ceremonisë zyrtare të nderimit.
dh) Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare, në programin "Planifikim, menaxhim, administrim", zëri "Shpenzime korrente", fondi prej 1 000 000 (një milion) lekësh, për organizimin e pritjes zyrtare në Pallatin e Kongreseve, me rastin e 70-Vjetorit të Çlirimit të Vendit.
e) Kryeministrisë, në programin "Planifikim, menaxhim, administrim", zëri "Shpenzime korrente", fondi prej10 000 000 (dhjetë milionë) lekësh, për organizimin e aktiviteteve me rastin e 70-Vjetorit të Çlirimit të Vendit.
 2. Efektet financiare të këtij vendimi prej 94 000 000 (nëntëdhjetë e katër milionë) lekësh përballohen nga fondi i kontingjencës, miratuar në buxhetin e vitit 2014.
 3. Ngarkohen Kryeministria, Ministria e Financave, Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Arsimit dhe Sportit, Ministria e Kulturës, Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Prefektura Tiranë dhe Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare për zbatimin e këtij vendimi. /ATSH