Vendimi i Parlamentit të Qipros është padyshim një vendim historik, në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, por ndoshta është edhe fillimi i një peripecie të madhe e të paparashikueshme për vetë Eurozonën. Vendimet e qeverive eurpiane, në lidhje me Qipron, ishin të papranueshme, por edhe amatoreske.

I njëjti qëndrim që patën mbajtur edhe në rastin e Greqisë, por që në rastin e Greqisë u pranua e u votua pa asnjë lloj diskutimi, gjithçka që partnerët europianë kërkuan. Tani, me rastin e Qipros gjithçka varet në fije të perit. Tani shtrohet pyetja: “Pas Qipros kush e ka radhën? Italia, Spanja? Krejt Eurozona?”.

Shkelja e garancisë së depozitave, tashmë ka ndodhur. Kush është më shumë e kush më pak fajtor, kjo nuk ka fort rëndësi. Rëndësi ka fakti që ata që përcaktojnë fatet e Europës e kanë të pamundur të kuptojnë mirë gjithë situatën. Shumë faktorë ndikuan në marrjen e një vendimi të tillë skandaloz nga Eurogrup:

Vonesat e qëllimshme të liderëve qiprotë, madhësia gjigande e sistemit bankar të Qioros, disanalog me ekonominë e saj, inati i vendeve të Europës Veriore që të mos pranojnë të paguajnë dëmet e parave të “pista” rusetë depozituara atje. Por edhe po qe se gabimi do të korrigjohet një tabu në sistemin bankar të BE është thyer.

Kush do të mund të marrë seriozisht në Europë, e cila nënvlerëson e zhvlerëson monedhën e saj? Dhe çfarë është një “Europë e Bashkuar” përveçse një monedhë e përbashkët? Kriza ekonomike dëshmon se Europës po i merren këmbët. I është rikthyer klima e pasigurisë.

Në qendrën e asaj që gjithnjë e më shumë ngjan me dështimin e Europës, gjendet përplasja e dy qëndrimeve: Nga njëra anë nevoja e një pushteti të fuqishëm qendror, ku vendimet të merren shpejt dhe zbatimi i tyre të jetë rezultativ, nga ana tjetër, nevoja e një legalizimi demokratik të të gjitha procedurave.
Gjithashtu pas kësaj, edhe vetë qeveria qipriote duhet të dëshmojë përgjegjshmëri të lartë dhe gjakftohtësi që të shmanget katastrofa.

E njëjta gjë vlen edhe për Greqinë, e cila nuk do të ngelet pa u ndikuar nga zhvillimet e fundit në Qipro, pasi tashmë Qiproja, por edhe vetë Eurozona kanë hyrë në një rrugë të paparashikueshme dhe periudhe të vështirë.

Si Qiproja, edhe Eurozona dhe vetë BE po lundrojnë tashmë në dete e oqeane të paeksploruara më parë. Kjo rezulton edhe nga mungesa e një plani rezervë, në rast të një votimi negativ, ashtu sikundër edhe ndodhi. E mësuar që t’i nënshtrohen gjithë kërkesave të saj Gjermania dhe aleatët e saj më të ngushtë u gjendën të befasuar nga “JO” e madhe e qipriotëve, të cilët ftohen tashmë për krijimin e një rruge dhe strategjie kombëtare.

Ndërkohë Nikozia gjendet edhe përpara një rreziku tjetër. Atij të të ngelurit e vetme, jashtë BE dhe Eurozonës, jashtë portit të sigurtë që ofronte Europa e bashkuar dhe monedha e përbashkët. Dhe këtu mund të ndodhë që JO-ja e mëparshme, pas disa ditësh gtë jetë një lutje e përgjëruar e politikanëve të ishullit që t’i rikthehen planit të mëparshëm të Eurozonës, në lidhje pra me taksimin e të gjitha depozitave bankare, pra në pagimin e borxhit të një shteti nga të gjithë depozituesit.

Rrezikon tashmë të dalë nga Klubi i mbyllur i shteteve të fuqishme europiane. Çështja e madhe qëndron në atë që vendimi i djeshëm i Parlamentit qipriot do të ndryshojë orientimin gjeopolitik të Qipros dhe si?

Gjermanët luajnë shumë ashpër, pa llogaritur aspak pasojat gjeopolitike që mund të pasojnë qëndrimin e saj. Padiskutim që Gjermania do të vërë dorë në kapitalet bankare qipriote. Në mos në të gjitha, në një pjesë të madhe të tyre. Gjithashtu do që ta ketë “mirë” edhe me Rusinë, sidomos në kuadrin e investimeve gjermane në Rusi dhe hapjen e tregjeve ruse për industrinë e ekonominë gjermane, sidomnos tani që Europa është në Krizë. Gjermania varet pjesërisht nga Rusia në furnizimin me gaz dhe kjo gjë edhe nuk i pëlqen fort. Ndërkohë insistimi i gjermanëve ndaj “Oligarkëve rusë” mundet ta çojë përfundimisht Nikozinë në “krahët” e Moskës.

Atëherë çfarë kërkojnë rusët në Qipro? Mos vallë Qipron e konsiderojnë si të dobishme për sa kohe gjendet brenda Eurozonës, apo mos vallë duan thjesht të marrin të gjitha kapitalet ruse në bankat e tyre?

Mos vallë e shohin Republikën Qipriote në rolin e një bashkëudhëtari gtë Rusisë, ndoshta jatë zonës Euro?

Deri tani nuk kemi përgjigje të qarta. Lëvizjet e Rusisë ditët e ardhshme do të na japin një përgjigje të saktë. Udhëheqja politike e ishullit të Qipros duhet të peshojë tashmë gjithçka: Qëndrimin e Gjermanisë, rëndësinë gjeopolitike të burimeve të naftës e të gazit, planet afatgjata e fatshkurtra të Rusisë.

Vendimet që do të marrë Nikozia ditët e ardhshme nuk do të kenë të bëjnë vetëm me atë se kush do të paguajë çfarë. Janë vendime nga ato, të cilat përcaktojnë orientimin gjeopolitik të një vendi për shumë e shumë vite.

Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)