TIRANE- Shefat e shërbimeve në të gjitha Qendrat Spitalore Universitare do të përzgjidhen me anë të konkursit, kurse shefat e departamenteve si në çdo fakultet tjetër do të zgjidhen. Ky fakt është pohuar nga Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj, kurse në draftin e hartuar nga komisioni për reformën në Arsimin e Lartë janë parashikuar edhe kriteret që duhet të ketë një shef shërbimi për të hyrë në konkurs. Në draft janë parashikuar një sërë kriteresh të cilat nisin që nga titulli, mosha, botimet etj.

“Kriteret për zgjedhjen e shefave të Shërbimit pranë departamenteve sugjerohet të jenë: titulli më i lartë; vjetërsia e titullit; vjetërsia pedagogjike (të paktën 15 vjeçare si pedagog i brendshëm); botimet jashtë dhe brenda vendit; aftësi organizative; organizim i aktiviteteve shkencore; pjesëmarrja në projekte ndërkombëtare; mosha e cila duhet t’i lejojë të mbyllë mandatin 4 vjeçar”, thuhet në draftin e hartuar nga komisioni për reformën në arsimin e lartë.

Ndërkohë sa i përket ndryshimeve që po ndodhin aktualisht në Ligjin e Arsimit të Lartë, i cili ka të bëjë vetëm me QSU-të, Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj ka sqaruar se aktualisht po bëhen ndryshimet e nevojshme të cilat erdhën si propozime nga LSI, pikërisht nga deputeti Petrit Vasili. Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj tha se qeveria është e gatshme për rishikimin e neneve 4 dhe 6  ku edhe u propozuan ndryshime, të cilat kanë të bëjnë me bordin drejtues dhe zgjedhjet e shefave. “Ne propozuam nevojën për të përmirësuar një pjesë të funksionimit të drejtimit të QSUT-së duke rikonceptuar bordin. Nuk ka tërheqje por ka pasur propozim nga Vasili që midis 6 neneve të pr/ligjit dy prej tyre të mund të mos miratoheshin e të vazhdonte mënyra e drejtimit të QSUT-së sic është sot.

Ne e pranuam. Ende jemi në diskutime me komisionet parlamentare deri sa të gjendet një zgjidhje” u shpreh Beqaj. Ndërkohë kreu i shëndetësisë tha se shefat e departamenteve do të zgjidhen ndërsa shefat e shërbimeve do të përzgjidhen pra do të drejtojnë ata që do të dalin nga konkursi fitues. Ndryshim ky që sipas ministrit është keqlexuar nga opozita. “Në mënyrë të sforcuar dhe dashakeqe ishte leximi i keq që iu bë procedurës së përkohshme. Shefat e departamenteve do të zgjidhen si çdo fakultet, ndërsa drejtuesit e shërbimeve do të përzgjidhen,” tha më tej Beqaj. Aktualisht projektligji është ende duke u diskutuar në Komisionet Parlamentare dhe më pas do të kalojë për miratim në parlament. 

Shkrimi u publikua sot, 7 maj 2014 në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia online
(d.a/shqiptarja.com)