Për herë të parë Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale e pranon se pas datës 20 të çdo muaji, pacientët në spitale përballen me mungesë të shërbimit të analizave nga ana e koncesionarit. Pas mbledhjes së qeverisë, ministrja Evis Sala, premtoi se ky ngërç do të zgjidhet brenda vitit.

 “Aktualisht një nga metodat është mbledhja e të dhënave dhe mbi bazën e të dhënave bëhet planifikimi i shërbimit. Prandaj mbledhja e të dhënave, kemi mbledhur të dhëna për të parë sepse nuk duhet të mungojnë analizat jo vetëm në datën 20 por dhe në datën 30. Këtë po e adresojmë dhe do e zgjidhim brenda këtij viti”, tha Sala.

Prej disa vitesh, në dhjetëditëshin e fundit të çdo muaji, ndërpritet shërbimi i analizave, kur  arrihet edhe tavani buxhetor mujor për koncesionarin, duke bërë që analiza kryhen vetëm për rastet e urgjencave.

Ky shërbim prej vitit 2019 ofrohet nga konsorciumi “BOE Labopharma Sh.p.k & Exalab Francë & AB Laboratory Solutions B.V Holandë, me përfaqësues Labopharma Sh.p.k. Sipas kontratës mes Fondit i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor dhe QSUT-së, koncesionari njofton spitalin për arritjen e 75% për qind të tavanit buxhetor mujor.

Pas këtij tavani, në laborator pranohen analizat për pacientet e referuar e4 më pas vetëm për rastet e urgjencave. Sipas kontratës, kur arrihet tavani 100%, koncesionari e vijon shërbimin për rastet urgjente pa pagesë.

“Koncesioni laboratorik i spitaleve universitare, rajonale dhe atyre bashkiake të Sarandës dhe Lushnjës” u firmos në mbledhjen e 24 prillit 2019 nga qeveria dhe hyri në fuqi në dhjetor të po atij viti. Vlera e kontratës është 13 miliardë lekë dhe afati i saj përfundon në vitin 2028.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:57
Koncesionari në QSUT nuk ofron analiza pas datës 20 të çdo muaji, reagon Xhixho: Situatë skandaloze, shëndeti i qytetarëve varet nga një datë në kalendar

1774095409_erisaxhixho.JPG

Ditën e sotme, për herë të parë Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale e pranoi se pas datës 20 të çdo muaji, pacientët në spitale përballen me mungesë të shërbimit të analizave nga ana e koncesionarit. Pas mbledhjes së qeverisë, ministrja Evis Sala, premtoi se ky ngërç do të zgjidhet brenda vitit.

Lidhur me këtë situatë, ka reaguar deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, e cila përmes një postimi në rrjetet sociale shkruan se është skandaloze dhe e papranueshme që në QSUT, pas datës 20 të çdo muaji, pacientëve të shtruar t’u mohohen analizat bazë jetike.

Në reagimin e saj Xhixho shtoi se është e papranueshme që qytetarët të përballen me mungesë ekzaminimesh mjekësore për shkak të mungesës së fondeve.

Reagimi i Xhixhos:

Është skandaloze dhe e papranueshme që në QSUT, pas datës 20 të çdo muaji, pacientëve të shtruar t’u mohohen analizat bazë jetike.

Kjo do të thotë se nëse një qytetar sëmuret pas kësaj date, ai përballet me mungesë ekzaminimesh – jo për shkak të mungesës së mjekëve apo kapaciteteve, por për shkak të mungesës së fondeve.

Si është e mundur që shëndeti i qytetarëve të varet nga një datë në kalendar? Ndërprerja e analizave për shkak të mungesës së buxhetit është alarmante dhe e papranueshme.