"Gladitorët” e Janaq Paços, porosi e
Vangjel Toçit për amfiteatrin e Durrësit

"Gladitorët” e Janaq Paços, porosi e<br />Vangjel Toçit për amfiteatrin e Durrësit
Dy “gladiatorët” e skuptorit Janaq Paço kanë qëndruar për më shumë se 30 vjet në mjediset e Muzeut Arkeologjik të Durrësit. Figurat monumentale, që sot ndodhen në Qendrën e Realizimit të veprave të artit në Tiranë, ishin porositur nga ish-drejtori i Muzeut, arkeologu i ndjerë, Vangjel Toçi-tha skulptori Qazim Kërtusha, i cili ka punuar si restaurator për më shumë se tre dekada.
 
“E kujtoj mirë mesin e viteve 1970, pasi sapo isha emëruar në Muzeun arkeologjik dhe figurat skulpturore ishin përgatitur në pjesë. Ato mbaheshin në një nga magazinat e muzeut të vjetër arkeologjik, i cili ndodhej në shëtitore, para godinës së ish-fabrikës së Cigareve.
 
Kërtusha shton se dy figurat, sipas drejtorit Vangjel Toçi do të vendoseshin pranë murit mesjetar, shumë pranë Amfiteatrit antik të Durrësit. Pushteti vendor i asaj kohe kishte aprovuar projektin e prof. Vangjelit, i cili parashikonte ngritjen e një parku me objekte arkeologjike në lulishten pranë bregdetit, e cila atë kohë thirrej nga durrsakët me emrin “lungomare”.
 
Në zbatim të këtij projekti, në atë periudhë në lulishte u ndërtuan të paktën 4 minisheshe betoni me shkallare të buta, në qendër të të cilave u vendosën kollona me kapitele, apo amfora të mëdha-kujton Qazim Kërtusha.
 
Lulishtet arkeologjike
 
Edhe dy “Gladiatorët” e punuar nga skulptori i njohur Janaq Paço synonin krijimin e atmosferës antike e mesjetare në sheshe dhe lulishte publike të qytetit. Arkeologu Afrim Hoti, drejtor i institucionit në disa periudha të gjata, thotë se sipas skicave të Vangjel Toçit, dy skultprat mbi 3 mt të larta ishin parashikuar të instaloheshin në fillim të rrugës me kalldrëm që ngjitet deri në afërsi të Kullës mesjetare, mbi muret e Amfiteatrit.
 
Menjëherë pas kësaj hapësire ndodhet Amfiteatri dhe dy luftëtarët, që 2000 vjet më parë ndesheshin në arenën e tij pritej të krijonin një efekt të veçantë te vizitorët. Një variant tjetër, i pazyrtarizuar parashikonte vendosjen e tyre brenda amfiteatrit.
 
Por, projekti i skulpturave të parkut me jehonë të lashtë nuk u realizua i plotë. Grupi i prof. Janaq Paços mbeti vetëm një ëndërr, ndërsa pjesët e monumentit në allçi u endën për disa dekada.
 
Dy figurat ishin të ndara në pjesë, 43 të tilla sipas nipit të Paços, dhe vetëm në fundin e viteve 1990 janë transferuar në mjediset e muzeut të ri arkeologjik. “Jemi kujdesur të gjithë për to, pasi e dinim që ishin vepër e prof. Janaq Paços, autorit të “Skënderbeut të Krujës”-vijon dëshminë e tij skuptori Qazim Kërtusha, edhe ai mjaft i njohur në Durrës për numrin e madh të skulpturave të parkut.
 
Figurat dalloheshin veçanërisht për kostumografinë e shfrytëzuar nga Paço si veshje e dy gladiatorëve-kujton kolegu i ri i Paços. Kërtusha vetë, në atë kohë ka përgatitur bocetin e “Gruas me patë, një figurë e frymëzuar nga periudha ilire. Ndërkaq Skulptori i Merituar, Sabri Tuçi, i diplomuar në Romë punon gjithashtu një figurë me veshje ilire, edhe ajo e destinuar të mbetet bocet.
 
33 vjet në magazina pa inventar
 
Ish-drejtori Afrim Hoti dëshmon se dy “gladiatorët” me superpërmasa janë ruajtur në magazinat e të dy muzeve, megjithëse nuk ishin në listat e inventarëve. “Drejtori Vangjel Toçi, kur ende nuk kishte dalë në pension, më ka treguar se veprat ishin shlyer nga pikpamja financiare dhe përderisa zinin shumë vend ato mund të largoheshin nga muzeu-vijon prof. Hoti.
 
Gladiatorët nuk mund të vendoseshin më në Durrës. Kohët kishin ndryshuar, autori i projektit, prof. Vangjel Toçi, kishte dalë në pension, megjithëseqë në vitet 1970 ishte kujdesur që honorari i krijimtarisë
për dy “gladiatorët e Durrësit” të paguhej, brenda limiteve ligjore prej 3 mijë lek të reja për secilën prej skulpturave.
 
Në atë kohë edhe një autor tjetër, Sotir Kosta kishte përgatitur figurën e gruas ilire, Lipidia, me një lartësi prej 3 mt, por edhe ajo nuk u vendos në një nga sheshet bregdetare, siç ishte parashikuar. Sidoqoftë, Lipidia për vite me radhë u bë pjesë ie itinerarit të portikut, në krahun e majtë të muzeut të vjetër arkeologjik.
 
Shpresat e familjarëve të mjeshtrit kanë rikthyer idenë e vendosjes së “gladiatorëve” pranë mureve mesjetare të Durrësit. Afrim Hoti ishte ende drejtor i Muzeut Arkeologjik, kur familjarët e skulptorit i kanë marrë pjesët prej allçie të dy figurave të mëdha dhe i kanë dërguar në Tiranë.
 
Ishin shumë delikate dhe të mëdha, kujton prof. Afrim Hoti, i cili kujton se sipas projektit të parë ato duhet të derdheshin në bronx, ose në beton artistik, ashtu siç ndodhi pas vitit 2007 në Qendrën e realizimit të veprave monumentale. 

Pjesët e ruajtura për më shumë se 30 vjet në magazinat e muzeut të vjetër dhe të ri të qytetit janë tërhequr nga familjarët e Janaq Paços në vitin 2007, të cilët gjetën nëj mbështetje ministrore për t’i derdhur në beton artistik dy figurat, që ishin blatuar për hyrjen e amfiteatrit.

Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)

 

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Drejtori në detyrë i Shërbimit Sekret: Dështimi i masave të sigurisë për ish-Presidentin Trump 'i pajustifikueshëm'

Drejtori në detyrë i Shërbimit Sekret: Dështimi i masave të sigurisë për ish-Presidentin Trump 'i pajustifikueshëm'