Java e parë e vitit 2016-të do të mbahet mend si java e krimit. Në vetëm 8 ditë, në vend janë regjistruar 7 vrasje me armë zjarri dhe 9 viktima. Mëngjesin e një janarit Afrim Uzo vrau gruan Lina Uzo me urdhër mbrojtje dhe më pas veten në qytetin e Sarandës.

Ende pa u sqaruar rrethanat e vrasjes në Sarandë, paraditen e 2 janarit në Drishtë të Shkodrës, një 30-vjeçari Aleksandër Esat Dushaj vrau me kallashnikov dy vëllezërit Abdullah dhe Skënder Shkëmbi pasi, ky i fundit e refuzoi për dhëndër.

Kur nuk kishin kaluar ende 24 orë nga vrasja e bujshme e Shkodrës, ish efektivi i policisë rrugore Dritan Lorenci u ekzekutua në automjetin e tij  nga persona të paidentifikuar në rrugën nacionale Shkodër-Lezhë.

Por, pas 2 vrasjeve të dyfishta, dhe asaj të efektivit Lorenci më 4 janar një 28-vjeçar, Ismet Xhani u vra nga bashkëfshatari i tij Xhevdet Saraçi për një plep që ra në jonxhën e tij. Fatmirësisht plumbave i shpëtoi kushëriri i Xhanit.

Dy ditë më pas, një tjetër vrasje tronditi vendin. Këtë herë në qytetin bregdetar të Vlorës, ku u vra me armë zjarri, Andrea Billa, 36-vjeç, i cili ishte kthyer nga Spanja për festat e fundvitit.

Më 7 janar, sërish vrasja ishte kryelajmi i ditës. Gazmend Çollaku, 40 vjeç u gjet i vdekur në një fshat të Fushë-Krujës, një ditë pasi u mor peng në një lokal në Durrës.
Seria e vrasjeve vazhdoi edhe këtë të premte, ku 44-vjeçari Denis Kasa u ekzekutua me kallashnikov në hyrje të qytetit të Fierit ndërsa dy të tjerë mbetën të plagosur.

Redaksia Online
(u.s/shqiptarja.com)