Për vendet prej të cilëve në vende të ndryshme të zonës Shengen, u dyndën mijëra qytetarë për të kërkuar dhe përfituar azil ekonomik, nuk do të ketë rikthim të regjimit të vizave.
 
Lajmi është konfirmuar nga komisioneri për punët e brendshme në Komisionin Europian, Dimitri Avramopoulos i cili ka deklaruar se nuk ka rivendosje vizash për Ballkanin tani, por ai ka theksuar domosdoshmërinë për të ulur numrin e azilkërkuesve për të mbajtur lëvizjen e lirë.
 
"Asnjë shtet anëtar i Bashkimit Europian nuk ka kërkuar të aktivizojë klauzolën e pezullimit të liberalizimit të vizave për vendet e Ballkanit" është shprehur Avramopoulos duke folur në emër të Komisionit Europian të përcjellë  gjatë forumit vjetor BE-Ballkan të ministrave të brendshëm dhe të drejtësisë së Ballkanit Perëndimor, të Komisionit Europian dhe presidencës së BE-së të zhvilluar në Sarajevë.
 
Edhe sipas presidencës së Bashkimit Europian, aktualisht asnjë shtet anëtar i BE-së nuk ka kërkuar pezullimin e lëvizjes së lirë afatshkurtër  pa viza në zonën Shengen për vendet e  Ballkanit.
 
Megjithatë, Komisioni Europian ka paralajmëruar, se nëse nuk ulet numri i azilkërkuesve, kjo do të ketê pasoja për lëvizjen e lirë.


Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)