"Curiosity", roboti laborator i Agjencisë Amerikane të Hapësirës, NASA, i dërguar në planetin Mars ka shpuar me sukses një shkëmb në këtë planet, duke marrë mostrën e parë mbi të cilën do të analizohet nëse në Mars ka pasur ndonjëherë kushte mjedisore të favorshme për të mirëpritur forma jetësore.

Njoftimi u bë nga vetë NASA, e cila e përcakton këtë arritje si rezultatin më të rëndësishëm nga koha e arritjes së sondës në Mars, më 6 gusht të vitit të kaluar.

"Ky është rezultati më i rëndësishëm për grupin e zbritjes në planetin Mars që nga koha kur Curiosity mbërriti atje", -u shpreh John Grunsfeld, zëvendësadministratori i NASA-s për misionet e shkencës.

Imazhet e publikuara nga NASA tregojnë një vrimë të thellë 1.6 cm dhe të gjerë 2.5 cm. Është zgjedhur pikërisht shkëmbi "Jonh Klein" si objekt shpimi, pasi ai mund të përmbajë informacione të rëndësishme për praninë e mundshme në të kaluarën të një mjedisi të lagësht.

Tashmë detyra e "Curiosity", do të jetë "të shijojë" mostrën e gjetur falë mjeteve të tij.