Isa Mustafa dje ia nisi punës së re në Kuvend të Kosovës, edhe pse Partia Demokratike e Hashim Thaçit e dërgoi atë në Gjykatën Kushtetuese, duke konsideruar se seanca inauguruese e të enjtes ishte antikushtetuese e rrjedhimisht edhe zgjedhja e tij antiligjore.

PDK-ja e cila e qiti vetën në peshore dhe e pa se është kundërshtar jo i denjë për Bllokun Tri-partiakë, vendosi të luajë lojën e “kamikazit”.

T’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese me idenë që procesin për zgjedhjen e kryeparlamentarit ta kthejë në nisje, ose thonë ndryshe në pikën zero.

Në këtë lojë, PDK-ja luajti me kartën e fundit, ose krejt ose humbje. E rrjedhimisht nëse gjykata e Enver Hasanit vendos ashtu siç mendon partia që doli e para në zgjedhjet e 8 qershorit, atëherë duhet të mbahet edhe një seancë tjetër, me të njëjtit skenar, me të njëjtit aktorë, që për shumëkënd i bije “m’u koritë n’ditë të pazarit”.

Derisa gjykata nuk e interpreton kërkesën e PDK-së, gjithçka mund të supozohet dhe mund të jepen vlerësime të ndryshme, jo neni aq, jo neni kaq, jo i ligjshëm jo i paligjshëm. Prandaj, nëse Enver Hasani i jep të drejta PDK-së që ta propozojë kandidatin për kryetar të Kuvendit, atëherë infrastruktura është gati që të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme, sepse PDK-ja nuk e ka fuqinë për ta zgjedhur kryeparlamentarin.

Kjo u pa edhe në seancën e 17 korrikut, se kjo nomenklaturë është “Mision Imposible” dhe në garë e qiti Agim Aliun. Jo se ky i fundit nuk është më i mirë se 90 për qind të deputetëve të PDK-së, por figura karizamtike ka efektin e dyanshëm në zgjedhjen e kryeparlamentarit, kryeministrit dhe të presidentit të vendit.

Në këtë proces të gjithë e dinë se para Agim Aliut në garë për t’i gëzuar privilegjet e kryeparlamentarit kanë qenë Hajredin Kuçi, Enver Hoxhaj, Arsim Bajrami, Xhavit Haliti e disa të tjerë, por nuk kanë pranuar që “të digjen” për “luftë pa adresë”.
E nëse analizohet procesi i deritanishëm, shihet se PDK-ja është e gatshme që të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme gjatë muajve të vjeshtës dhe aty të sprovohen edhe një herë forcat se cili koalicion është më i fuqishëm për ta drejtuar vendin.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme, për shumëkënd konsiderohen humbje kohe, shpenzim enorm buxhetor, stagnim në të gjitha proceset, në ekonomi, diplomaci, integrim, e më së shumti në imazhin e vendit. Të gjitha këto janë konsekuenca të pariparueshme, ndërsa e keqja po vjen për shkak të paqartësive kushtetuese dhe lakmisë së pushtetit.

Mirëpo për të mos i hyrë “novosella punëve të thella” është mirë që të mos rrezikohet me zgjedhje të reja, por t’u jepet mundësi partive të Bllokut Tri-partiakë, që t’i drejtojnë institucionet e reja, Kuvendin dhe Qeverinë.

Ndoshta, siç po thonë disa politikanë me këtë zhargonin e ri “është e shëndetshme për demokracinë” që PDK-ja të dalë në opozitë, në mënyrë që t’i pastrojë radhët e veta, sepse brenda shtatë vjetëve të kaluara, shumë njerëz janë infiltruar në parti si klandestinë, e në anën tjetër i kanë nxjerrë jashtë militantët e moçëm.

Ndoshta, është koha që partia e Hashim Thaçit t’ia bëjë vetës një autoportret, sidomos pas deklarimeve të të gjitha partive politike se nuk hyjnë në bashkëqeverisje me partinë e tij. Për PDK-në është e rëndë, natyrisht, të dalë në opozitë kur ka dalë e para në zgjedhje, sepse në këtë mënyrë edhe humb kuptimi i të qenit i pari. Por, autoportreti nënkupton edhe një lloj “katarzisë” edhe nga fjalori politik i disa zyrtarëve edhe nga prepotenca politike e disa ministrave.