"Lufta ime" Botuesi i Hitlerit:
Libri nuk ngjall racizëm

TIRANE- Beqir Haluli, ka botuar disa libra këto vitet e fundit, por duket zhurma u bë me botimin e “Mein kampf” të Hitlerit. Ai është 62 vjeç dhe ka një grishje të hershme ndaj këtij libri, që në kohën e regjimit Komunist, në vitet, 70-të, kur kishte dëgjuar shumë për të , por s’mund ta lexonte për shkak të handikapit të gjuhës. Ai është i bindur se libri i botuar prej tij, nuk do të ngjallë racizëm, as përçarje, e as urrejtje. Përkundrazi, ai mendon se shqiptarët dinë ta dallojnë të mirën nga e keqja e ky libër do t’i njohë shqiptarët me të keqen.
Në këtë intervistë për Shqiptarja.com, botuesi Haluli, hedh poshtë edhe zërat se libri mund të ngjallë ndjenja racizmi, mund të ketë keqkuptime e reagime nga komuniteti hebre, apo më e rëndësishme atakimi me ligjin. Ai na tregon se ka marrë në dorë edhe kushtetutën edhe kodin penal, e beson se askund nuk sheh shteg për të faktuar shkelje ligji në rastin e këtij botimi.

Si të lindi ideja për ta botuar këtë libër?

Është ide shumë e hershme. Unë jam rreth 62 vjeç. Mbaj mend se kam pasur aq shumë dëshirë për ta lexuar këtë libër në vitet ’70 sa s’jua merr mendja. Nuk kisha mundësi ta lexoja, pasi nuk kisha dikë që të ma përkthente. Të gjithë të tjerët i lexoja: Stalinin, Leninin, etj. Ndërsa këtë jo. Më vonë me rënien e komunizmit këto gjëra u lejuan. Hyri interneti dhe fillova të njihem pjesërisht me këtë vepër por edhe vepra të tjera. Dhe mendova pse të mos e botoj? Pse të mos e njohim edhe ne këtë vepër, siç njohim veprën e Stalinit apo edhe të shumë diktatorëve të tjerë?
Kështu mendova ta botojmë, e që vetë lexuesi të bindet se kush është ky autor i tmerrshëm. Duke e lexuar këtë libër, shqiptarët, shumë herë më tepër do ta urrejnë këtë autor.

Pra ky botim është për të njohur, e për të mos harruar të keqen?
Po pa diskutim kjo është e vetmja arsye...

E vetmja arsye nuk është, pasi mund të ketë plot arsye... arsye marketingu p.sh?
Po më gjithë këtë zhurmë që po bëhet edhe libri do të shitet më shumë. Kjo dihet. Dhe nëse nuk do të bëhej zhurmë, ky libër është aq i mërzitshëm sa megjithë mend has vështirësi të madhe gjatë leximit.

Nga cila gjuhë është përkthyer libri, nga gjermanishtja?
Po nga gjermanishtja.

Njihen disa lloj botimesh në Evropë të këtij libri. P.sh në Francë është botuar një variant ku janë hequr disa pasazhe të vogla. Ky është botim i plotë?
Jo, jo vepra e tij e plotë nuk është 500 faqe. Më duket se ky libër është 2 apo 3 vëllime. Ky është vëllimi i parë i tij.

Pra nuk është vepra e plotë?
Jo nuk është e plotë. Më vonë mund ta nxjerrim të gjithë veprën e plotë, por për momentin kemi vetëm këtë vëllim me 526 faqe.

Nëpër librari pamë sot se kishte mjaft interes për librin. Si janë pritshmëritë tuaja?
Nuk e di s’mund të them gjë saktësisht. Kurioziteti është i madh. Por jam i sigurt se ai që e blen do të mërzitet. Është libër i mërzitshëm, i vështirë për t’u lexuar.

Njihen kontestimet që i janë bërë këtij libri dhe komuniteti hebre është ai që preket më shumë prej botimit të tij. Si mund të jenë marrëdhëniet e hebrenjve me Shqipërinë pas këtij botimi?
Nuk preken, përkundrazi. Unë them se shqiptarët gjithmonë i kanë mbrojtur hebrejtë. Kanë qenë streha e tyre gjatë Luftës së Dytë Botërore, e besoj që kjo vetëm sa do ti afrojë shqiptarët më shumë me hebrejtë. Më sa di unë hebrejtë nuk kanë reaguar me ndonjë mënyrë të pazakontë edhe në vende të tjera ku është botuar libri.

A është ky një libër që mund të ngjallë racizëm?
Unë besoj se në këtë rast përjashtohet racizmi. Jo më kot thashë se ky është një rast që i bashkon më shumë shqiptarët me hebrejtë. Ky libër normalisht është i bazuar në racizmin dhe kjo të bën ta urresh më tepër. Kur ai thotë se vetëm raca gjermane është dhe s’ka racë tjetër, normalisht unë si shqiptar do ta urrej këtë autor, sepse unë kam racën time.

Mendon se shkelet ndonjë ligj shqiptar me botimin e këtij libri?
Unë nuk jam specialist i fushës juridike, por them se jo. Kam marrë edhe kushtetutën edhe kodin penal sot, pas këtyre që po thuhen. Tek kushtetuta nuk ka asgjë që mund ta ndalojë librin.
Ndërsa të kodi penal është neni 226, që për mua nuk ka asnjë lidhje me këtë libër.

Nuk bëhet fjalë për nenin 226, por 265...
(Lexon nenin 256) Këtu nuk ka asgjë për nxitje racizmi. Kjo është thjeshtë një vepër që njerëzimi e ka përjetuar. E gjithë bota e njeh. E ka lexuar e stërlexuar. Vetëm shqiptarët nuk e njohin. Pse? Ne kemi tani një farë kulture, dimë ta ndajmë të mirën nga e keqja. Nuk besoj se do të ketë baza të forta për të faktuar diçka. Megjithatë nuk mund të them diçka më shumë pasi siç e thashë nuk jam specialist i fushës juridike.

(aq/shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen