AUSTRALI - Një fjalim i zellshëm i mbajtur nga kryeministrja e Australisë, Julia Gilliard, lidhur me fjalën misogjeni, ka bërë që kjo fjalë të ketë një tjetër përkufizim në fjalorët e vendit.

Gjatë javës së shkuar Gilliard shfrytëzoi një debat parlamentar për të sulmuar liderin konservator të opozitës Tony Abbott, duke e akuzuar atë për misogjenist, dhe që prej asaj dite, fjalimi i saj është kthyer në hitin e internetit. Në përgjigje të saj, kanë reaguar autoritetet e gjuhës angleze të Australisë, të cilët kanë vendosur të përkufizojnë fjalën misogjeni në kuptimin me të cilin është përdorur këto 30 vitet e fundit.

Aktualisht në fjalor kjo fjalë ka kuptimin "Urrejtja e femrave", ndërsa tashmë do t’i shtohet një përkufizim tjetër, i cili do të jetë "paragjykim i fortë kundër femrave", vendim i cili sugjeron se Abbott ka diskriminuar femrat. Sipas botueses Sue Butler, prej vitesh tashmë, komuniteti e ka përdorur këtë fjalë në një tjetër mënyrë.

Gjatë fjalimit të saj në Parlament, Gilliard sulmoi Abbott, një katolik konservator, për deklaratën e tij se meshkujt adaptohen më lehtë në ushtrimin e pushtetit, dhe ndërsa një herë tjetër për faktin se sipas tij, braktisja e pushtetit nga femra është zgjidhja më e lehtë. Ai qëndroi gjithashtu në rresht të parë të protestave kundër Gilliard, me postera në të cilët shkruhej "Të heqim shtrigën". Nga ana e tij Abbott i ka konsideruar këto akuza si të varfra dhe personale dhe si pjesë e fushatës qeveritare kundër tij.

Abbot, një notar dhe çiklist mjaft i zoti, pa krijuar perceptime të shumta ndër njerëz tha se ai ka probleme me votueset femra, ndërkohë që gruaja e tij dhe tre vajzat kanë nisur një fushatë duke dalë në publik për të zbutur imazhin e tij maskilist.

(ed.ka/Shqiptarja.com)