"Momarrëveshja" e Kadaresë
merr çmimin “At Zef Pllumi”

"Momarrëveshja" e Kadaresë <br />merr çmimin “At Zef Pllumi”
TIRANE- Katër autorë të njohur të letrave shqipe janë nderuar dje me çmimin prestigjioz “At Zef Pllumi” në komunën e Shëngjinit. Ata janë: shkrimtari i njohur Ismail Kadare, politikani Spartak Ngjela, shkrimtari Zija Çela dhe poeti Ridvan Dibra. Çmimet letrare që mbajnë emrin e At Zef Pllumit janë ndarë në bazë të vlerësimeve për librin më të mirë të vitit nga autorët shqiptarë në vëllime me poezi, prozë (vëllim me tregime, novelë, roman), publicistikë dhe memuaristikë. Bashkia e Shëngjinit dhe Universiteti Europian i Tiranës janë inisiatorët dhe organizatorët e parë që e kanë krijuar këtë çmimin letrar në shenjë nderimi e respekti për jetën dhe veprën e klerikut erudit At Zef Pllumi. Ndarja e këtij çmimi, sipas organizatorëve, do të vijojë si një traditë e përvitshme për çdo javë të tretë të dhjetorit. Dje në mesditë në komunën e Shëngjinit, juria e përbërë nga publicisti i njohur Blendi Fevziu, kryetar, dhe tre anëtarët e kësaj jurie që janë poeti dhe politikani Preç Zogaj, studiuesi Agron Gjekmarkaj, publicisti Remzi Lani dhe gazetari Alfred Lela, kanë nderuar me çmimin “At Zef Pllumi” në zhanrin e publicistikë-esiestikë shkrimtarin Ismail Kadare për librin “Mosmarrëveshja”. Pas kësaj juria ka nderuar me çmimin “At Zef Pllumi” në memuaristikë politikanin e njohur Spartak Ngjela për librin “Përkulja dhe rënia e tiranisë shqiptare (1975 – 1991)”, ndërsa në krijimtari letrare për prozë e poezi me këtë çmim janë vlerësuar përkatësisht, shkrimtari Zija Çela për vëllimin e tij të dytë me tregime “Buza e kuqe dhe gjaku i errët” dhe Rudolf Marku për poezinë “Një ballkanas në Londër”.

Gjatë ceremonisë,kryetari i Bashkisë së Shëngjinit, Salvador Kaccaj tha se: “Konkursi kombëtar i letërsisë i pagëzuar me emrin e At Zef Pllumit nga Komuna Shëngjin është një ngjarje e rëndësishme për kulturën shqiptare ende me e rëndësishme për komunitetin tonë. Rëndësia e këtij evenimenti është polisemantike”. Kaccaj theksoi se “At Zef Pllumi është bir i Shëngjinit më i shkëlqyeri i bijve, përfaqësuesi më autentik i gjithçkaje përfaqësojnë françeskanët në historinë e kombit dhe të kulturës, bashkimi më fatlum i traditës me bashkëkohësinë , shkrimtar me moralin më të lartë të shkrimit, ideolog i lirisë kundër tiranisë, qëndrestar i krishterë, kur njeriu u thye.”

ISMAIL KADARE: “MOSMARRËVESHJA” ËSHTË THJESHT SPROVË LETRARE. KY LIBËR U PËRKET TË GJITHËVE

Fituesi i çmimit “At Zef Pllumi” për librin “Mosmarrëveshja”, Ismail Kadare, vlerësohet për mënyrën sesi i ka shprehur raportet e marrëdhënies se Shqipërisë me vetveten. Këtë libër me natyrë eseistike autori e quan një sprovë letrare. “Ky libër nuk është as histori dhe as shkencë, por thjesht letërsi dhe sprovë letrare”, tha Kadare. Sipas tij “ky libër u përket të gjithëve”. Libri nis me sprovën “Rreth himnit të vjetër të shtetit” për të vazhduar më tej me “Enigma”, “Mjegull,Prolog me djallin”, “Dialog me Djallin dhe Zotin”, “Pantomima e frikshme e Bronzit”, “Gjergj K kundër Arbrit”, “Intermexo me dy vrasje në sfond”,“Lëngatë në gadishull”, “Tri gjendje të Kastriotit”, “Epilog me Zotin”. “Si veteran i gjymtuar pas prerjes, u përmend në krye të kësaj prove, ai himn do të avitej me drojë te sheshi i kombeve, përballë himnit të Europës, muzikës së Bethovenit dhe fjalëve të Schiler-it për vëllazërimin e popujve, me tagrin për t’i dhënë zërin dhe arsyet e Shqipërisë. Nëpërmjet tij, shqiptarët i kishin bërë një pyetje dhe një premtim Zotit, në të vërtetë ndërgjegjes së tyre, dhe kishin më shumë se një shekull që rrihnin të kapnin përgjigjen për të. Se Zoti vetë e kishte thënë me gojë… Se çfarë kishte thënë Zoti dhe si e kishin kuptuar ata, ky kishte qenë dhe ende mbetej thelbi i pazbërthyer i çështjes”, shkruan Kadare në një nga sprovat e këtij libri.

SPARTAK NGJELA: TRISHTIMI ËSHTË INJORANCË. TË KAP KUR NUK JE NË GJENDJE TË KUPTOSH FENOMENIN

Fituesi i Çmimit “At Zef Pllumi”, Spartak Ngjela, me librin “Përkulja dhe rënia e tiranisë shqiptare)” thotë “...kurrë nuk dihet se çfarë realisht është trishtimi, ashtu sikundër kurrë nuk do të mësosh ndonjëherë se cilat kanë qenë shkaqet e këtij trishtimi: ka qenë pasojë e një sistemi politik që nuk ka lejuar një brez të tërë të bëjë jetën e tij; ka qenë trishtim që ka ardhur nga një luftë e përgjithshme që torturon ditë për ditë me bombardimet e me të vrarët në luftë; ka qenë fatkeqësi natyrore...; apo ka qenë, më në fund, një rrjedhojë normale e jetës e cila, si rregull, për të gjithë ka udhëtarë të përbashkët: trishtimin, tmerrin dhe gabimin? Të gjitha këto mund të jenë, por gjithsesi unë në këtë vëllim do t'i qëndroj pandarësisë se gjithçka e trishtë ka pasur një kuptim që vjen e krijohet nga kushtet detyruese të jetës që të imponojnë të tjerët. Kur jeta është imponim, ajo ka në brendësi të vet gjithmonë trishtimin, por kur e di këtë, varet tërësisht nga ti nëse je apo jo i aftë për të dalë nga ky trishtim dhe për të qëndruar në një kohë që, ndonëse ikën për të konsumuar jetën, nuk mund të ikë nëse ti ke ditur që ta mbushësh me mendimin tënd, me idetë e tua, dhe më në fund me krijimin tënd. Trishtimi në fakt është injorancë, sepse të kap atëherë kur ti nuk je në gjendje të kuptosh fenomenin...

RUDOLF MARKU: “LIBËR KULTURASH QË BASHKËJETOJNË ME NDËRMJETËSUES POETIN”
Mënyrën e veçantë të shprehjes poetike për Librin “Një ballkanas në Londër” të Rudolf Markut, shkrimtari Arian Leka e shpreh me këto fjalë: “…në vend të formës kanonike të krijimtarisë së vet dhe të mënyrës se si dëshiron ta shohin pasardhësit, ai zgjodhi të pazakonshmen: jo trashëgiminë, por gjurmën e freskët, atë që rrezikon të mos vihet re në çastin kur shfaqet dhe që, zakonisht, bashkëkohësit nuk e mbajnë mend. Edhe në këtë rast, ky poet i shmanget konformizmit letrar, duke na sjellë krijimtari të re, një libër të ri, kapriçoz: librin e ballkanasit të shkulur nga toposi, por jo nga etnosi i vet (Një ballkanas në Londër, Malet); librin e dashurive pranuese, fajtore apo të lumtura….” Pastaj Leka thotë se ky është “një libër kulturash, që rreken të bashkëjetojnë, duke përdorur si ndërmjetësues poetin”.


ZIJA CELA: “NË LIBRA NUK DEKLAROJ ASGJË TJETËR VEÇ SINQERITETIT TIM”

Libri me tregime e novela me titullin “Buza e kuqe dhe gjaku i errët” i Zija Çelës, i vlerësuar me Çmimin “At Zef Pllumbi”, vijoi pas vëllimit “Pika drite në eklips”. Megjithëse vëllimi pasues i përket botimit më të fundit të autorit, ai nuk i ndan këto nga njëra-tjetra. “Në vëllimin e parë që i përket viteve para ’90-s, liria nuk ekzistonte jashtë, por sa ka ekzistuar brenda meje dhe kështu lindën të gjitha që janë përfshirë në këtë libër. Në vëllimin e dytë i jam përgjigjur pyetjes, liria ekziston tash më pas vitit 1990, por sa e gëzojë unë lirinë krijuese. Kjo është krijimtari që e kam shkruar në kushte të reja që u arritën pas atij viti. Në qoftë se me këto dy libra i marr si dy valixhe, dhe me to në dorë duhej të ndalesha në një doganë dhe do më bëhej pyetja “A keni gjë për të më deklaruar?”, unë do të përgjigjesha shumë shkurt: “Asgjë veç sinqeritetit tim”.

(Redaksia online )

(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Tuneli i Llogarasë

Tuneli i Llogarasë