Ciladoqoftë shtëpia juaj - një apartament i thjeshtë - si imi, apo një shtëpi jashtë qytetit, dekorimi i saj për periudhën e fundvitit është një nga aktivitetet më të këndshme dhe të bukura, të cilës mund t'i dedikojmë një nga pasditet e ftohta të javës së dytë të dhjetorit. Atmosfera e dhjetorit është e dukshme gjithandej, nuk mjafton vetëm përgatitja e bredhit dhe vendosja e aty-këtu e disa dekorimeve të thjeshta. Është një çështje stili, gjetja e veçantive të cilat sjellin ndryshim, e po ashtu dedikimi me dashuri dhe pasion për të krijuar këtë atmosferë unike. Por edhe nëse nuk dini, mos u shqetësoni sepse çdo gjë mësohet. Mjaftojnë disa këshilla dhe paksa gusto dhe më pas koha do të bëjë të sajën. Vit pas viti, Krishtlindje pas Krishtlindje, shtëpia jonë do të fillojë të "vishet" dhe të "stilohet" më mirë, falë syrit tonë të stërvitur dhe dëshirës për të kaluar sa më bukur këtë festë. Ja disa nga këshillat që unë propozoj për rregullimin e shtëpisë për të patur një atmosferë sa më të ngrohtë dhe mikpritëse:

Ndriçimi
Duhet të jetë ai i duhuri, në mënyrë që ambienti ( shtëpia) juaj të kthehet në një vend të mrekullueshëm. Në radhë të parë të rrethohet nga sa më shumë qirinj me aroma që ne preferojmë. Personalisht për këtë stinë preferoj qirinjtë me erë erëzash si, kanella, pisha, apo era e agrumeve, pasi shoqërojnë dhe i rrinë mirë dimrit si stinë, por shumëkush mund të zgjedhë aromën që preferon. Qirinjtë mund të jenë në lartësi dhe madhësi të ndryshme, të vendosur në mbajtëse prej xhami, qeramike, kristali apo argjendi, varet nga preferencat si dhe nga stili i arredimit të shtëpise suaj.
Edhe këndet e skajshme të shtëpisë "meritojnë" vëmendje. Mos harroni të vendosni qirinj nëpër ballkone apo dritare, mjafton që të jeni të kujdesshëm që të jenë larg objekteve që lehtësisht mund të marrin flakë. Mund të vendosni dhe drita, të cilat përveç bredhit, rrinë mjaft mirë edhe përgjatë dritareve apo ballkonit dhe verandës suaj.

Aromat
Siç e përmenda dhe më lart, shtëpia jonë "tregon se kush jemi ne". Gjatë dhjetorit, kur vizitohemi më shumë nga miqtë, të afërmit etj, dhënia e një arome speciale ambientit të shtëpisë do t'u lerë përshtypje të vecantë të ftuarve, një nga ato përshtypje që mund të kujtohen për shumë kohë. Mund të përdorni vajra esencash apo dhe qirinj, siç lartpermenda, apo një shportë me putpuri' frutash dhe lulesh të thata. Për ata që nuk kanë mundësi të harxhojnë shumë, unë do të sugjeroja gjithmonë "marifetin e gjyshes sime": në një enë me pak ujë ku mund të hidhni lëkurat e agrumeve dhe 2-3 kokrra karafili. Lërini të ziejnë për 15 minuta dhe ndërkohë do të ndjeni që aroma e tyre do të mbushë ambientet e shtëpisë suaj.

Tingujt
Muzika është elementi thelbësor që kompleton atmosferën e fundvitit dhe i jep shtëpisë një mikpritje ndryshe. Shumëkush ndërron dhe muzikën e celularit gjatë vigjiljeve të Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri. Në treg ekzistojnë shumë CD në versione modern, por dhe ato klasiket, për ta kthyer vërtetë atmosferën në diçka sublime dhe të paharrueshme. Një sugjerim imi, të cilin e kam praktikuar dhe përdor shpesh, jane "4 stinët" e Antonio Vivaldit dhe sidomos Vjeshta dhe Dimri. Por dhe muzikën tuaj të preferuar, apo paksa xhaz apo blues mund ta vini në sfond. Nëse miqtë tuaj janë familjarë me fëmijë ashtu si dhe ju mund të vini një cd me këngë krishtlindjesh. Edhe pse për të vegjël, tingujt e këtyre këngëve tashmë të shndërruara në mit, shtojnë atmosferën festive. Festimi i Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri nëpërmjet rregullimit apo ridizenjimit të shtëpisë enkas për festë është një shenjë e shprehjes së dashurisë për familjen tonë, të afërmit dhe një mikëpritje e denjë që i bëhet fillimit të një Viti të Ri, të shpresave dhe objektivave të reja. Edhe kur të jeni kujdesur më së miri për të krijuar një shtëpi festash mos harroni një detaj shumë të rëndësishëm. Lumturinë e një shtëpie e karakterizojnë njerëzit që jetojnë brenda saj. Festat bëhen të bukura kur dashuria dhe gëzimi zënë vend kudo.

NGJYRAT E TRYEZES SE KRISHTLINDJEVE

E kuqe, e artë, e bardhë apo e argjendtë, janë ngjyrat që stolisin më së miri një tryezë të përsosur Krishtlindjesh.
Nga një zgjedhje më tradicionale me disa detaje të vogla plot fantazi deri tek më e guximshmja gjithnjë në përputhje të plotë me atmosferën. E bardha sjell në tryezë pastërtinë e borës, me ngjyrën e kuqe triumfon elegenca ndërsa ngjyra e florinjtë dhe e argjendtë e bëjnë ambjentin tuaj me më shumë klas dhe thuajse krijojnë një tendecë në shtëpinë tuaj. Cilado qoftë ngjyra që do të zgjidhni e rëndësishme është që të kujtoni se Krishtlindjet janë një rast special për të ngritur në këmbë një event dhe për këtë duhet të angazhohet e gjithë familja.

Tryeza e kuqe
Tradicionale dhe mjaft e ngrohtë është tryeza ku zotëron më së shumti ngjyra e kuqe. Mbulesa duhet të jetë e gjatë dhe cepat e saj duhet te arrijnë gati deri në dysheme. Shumëmirë rri edhe një mbulesë e kuqe me qëndisma të arta ose të argjendta. Në mes të tryezës mund të vini tre nga simbolet e festës; shandani me qirinjtë e kuq, panetone e zbukuruar me fruta dhe kurora tradicionale e festës.

Tryeza e bardhë

Një tjetër frymëzim tepër i përshtatshëm për festën edhe një tyreze e bardhë e cila sjell brenda shtëpisë magjinë e borës. E bardha në këtë rast, simbol i pastërtisë dhe elegancës, bëhet ngjyra bazë e festës. Mbulesa duhet të jetë lino e bardhë, me sete porcelain të bardhë ose ngjyrë krem. Po rmund të përdorni edhe detaje festive si përshembull globet dekorues të pemës mund të përdoren fare mirë si shenjues vendesh. Në këtë rast mund t'i shtoni secilës prej tyre nga një karton të vogël ku të keni shkruar emrin e të ftuarit. POr mund të përdorni edhe kapelëza të vogla të Babagjyshit ndërsa për më të vegjlit do t'i surprizoni nëse në pjatat e tyre do të vini biskota në formë yjesh.

Tryeza e artë
Për një Krishtlindje më të sofistikuar ngjyra e përsosur është e arta. Në këtë rast mund të përdorni një set të ngjashëm me atë të tryezës së bardhë, por me reflekse të arta dhe porcelane më transparente. Në qendër të kësaj tryeze mund të merrni degë të thara pemësh, t'I spruzoni me varak dhe pasi të jenë tharë mund t'I vini në një vazo. Nëse shtoni një orkidea tryeza juaj do të jetë vërtet shik.


Shkrimi u publikua sot në Suplementin Fundjava, në gazetën Shqiptarja.com(print), 14 dhjetor 2014
(ad.ti/shqiptarja.com)