Kushtet higjieno-sanitare dhe distancimi social, po rezultojnë dy nga sfidat më të mëdha në këtë kohë pandemie. Edhe pse situata në të cilën ndodhemi nuk është normale, shumica e qytetarëve në rrugën kryesore të Institutit, nuk ruajnë as distancën, dalin të grumbulluar dhe pa maska e doreza. Ndërsa të pyetur nga Report TV ata thonë se nuk ndjehen të rrezikuar. "Nuk ndiqem i rrezikuar, as frikë nuk kam. Nuk është përhap shumë në vendin tonë, sot 14 raste kishte", tha një qytetar.
Ndonëse Ministria e Shëndetësisë dhe jo vetëm ka kërkuar në mënyrë të vazhdueshme, ruajtjen e protokolleve mjekësore edhe gjatë ushtrimit të aktivitetit, shumica e dyqaneve në Institut nuk i respektojnë, kjo për shkak se disa prej tyre shesin në trotuar.
Përveç këtyre problemeve në këtë zonë shqetësim mbetet edhe grumbullimi i një shumëllojshmërie dyqanesh në të njëjtin vend. Pra së bashku shiten veshje, produkte ushqimore në buzë rruge, orendi shtëpiake apo edhe lodra për fëmijë.
Por si është gjendja financiare e bizneseve që janë hapur ditën e djeshme. Një prej tregtarëve thotë se ka gjendje stok 7-8 milionë lekë ndërsa shitje s’ka.
“Dje një orë kishte dhe sot fare. Pa shitur këto nuk marrim dot as furnizim nga jashtë. Stok kam rreth 7-8 milionë lekë, kam rreth 25 vite që shes dhe nuk më kishte ndodhur një situatë më vështirë”, thotë një tregtarë.
Por bllokimi i shitjes së veshjeve dimërore, tashmë është kthyer në një pengesë për shumë tregtarë që të bëjnë porosi për sezonin veror. Pavarësisht se çmimet janë ulur tregtare të tjera thotë se qytetarët thonë se nuk i përballojnë çmimet.
“Fare, fare s’ka njerëz fare sikur janë trembur, janë larguar. Nuk kemi menduar asgjë sepse jemi dhe në një moshë që s’jemi të aftë me punuar diku tjetër dhe jemi të përqendruar vetëm këtu. Na ka mbetur malli dimëror diku tek 3 milionë na ka mbetur. Nuk kemi në plan me marrë porosi të reja se s’kemi të ardhura. Çmimet i kemi ulur fare, po i japim dhe aq sa i kemi marrë vetëm vetëm që të qarkulloj pak malli dhe me ndihmuar ata që janë në nevojë. Ne fituam 260 mijë lekë, llogarit qiranë, dritat dhe taksat se jemi të rregull”, shprehet një tjetër tregtare.
“Unë sot kam dalë dhe ka pasur shumë pak. Këtu është një zonë që ka shumë tokë, dhe njerëzit bien pas bimëve, është koha dhe mbjellin perime. I gjithë malli që shikoni këtu është stok, mall që nuk shitet më. Stok ka mbetur12-13 milionë lekë. Ato pak gjëra që i kanë marrë, kanë qenë 10 mijë lekë, po e japim 8 mijë lekë”, thotë tregtarja.
Gjatë intervistave me tregtarët e pakicës në zonën e Institutit, të cilët kanë rihapur aktivitetin e tyre ditën e djeshme, ata shprehen se kanë marrë këstin e parë të pagës së luftës prej 26 mijë lekësh por problem mbetet mungesa e shitjeve. Të gjitha këta biznese do të lejohet të ushtrojnë aktivitetin brenda fashës orare 05:00 me 17:30 të pasdites.