'Ra ky mort dhe u pamë në… Prishtinë'

'Ra ky mort dhe u pamë në… Prishtinë'

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, po viziton Kosovën në të njëjtën ditë, kur në Uashington do  të nisnin bisedimet Kosovë- Serbi, të dështuara për shkak të ndërhyrjes së Gjykatës Speciale kundër kryetarit të delegacionit të Kosovës Hashim Thaçi, përmes publikimit të fletëthirrjes në Gjykatë. Vizita e tij i përngjan titullit të esesë së shkrimtarit tonë të madh Ismail Kadare për Kosovën: “Ra ky mort e u pamë”.

Dështimi i bisedimeve dhe konspiracioni kundër Shtëpisë së Bardhë, për këtë histori, do të ketë ndikim afatgjatë mbi të ardhmen politike të Kosovës.

Rikthimi i besimit për t’u ri-ulur në tryezën e bisedimeve është  një sfidë e vështirë.

Shqipëria duhet t’i gjendet pranë Kosovës, jo vetëm si shteti amë, por dhe si një aleat i SHBA dhe vend i NATO-s, që aspiron Bashkimin Europian. Qetësia dhe kthjelltësia për të ruajtur aleancën me Perëndimin në kushtet e një tërmeti politik që pritet të ndodhë në Kosovë dhe që mund të krijojë zbrazëti dhe shanse për anarki, është vendimtare në këto momente.

Kosova është goditur dhe provokuar, pikërisht tek pika e saj më e fortë, tek të qenit një shtet i krijuar nga Perëndimi. Dhe këtij provokimi duhet t’i rezistojë.

Procesi i ndryshimeve politike që po vjen prej Gjykatës Speciale, kërkon një përgjigje të shpejtë politike dhe një reformim të klasës politike, për të ruajtur atë që është arritur, por dhe për të ruajtur reputacionin dhe historinë e drejtë të luftës së Kosovës.

Dhe kjo nuk është sfidë vetëm e atyre që po preken nga Gjykata, por dhe e atyre që po fërkojnë duart nga fletëthirrjet e Gjykatës Speciale.

Nga ana tjetër, Shqipëria nuk mund të jetë as tutore dhe as indiferente ndaj dështimit të dialogut të nisur. Por vendimin për vazhdimin e dialogut duhet ta marrë vetë Kosova, pasi historia tregoi, se dialogu dështoi duke pasur garant SHBA-në, e jo më Shqipërinë.

Ekipi përfaqësues i dialogut duhet të rindërtohet bashkë me një mbështetje të re politike për të. Koha ka më pak rëndësi, se sa përmbajtja në këtë histori.

Dhe së fundmi, për Edi Ramën, vizita në Prishtinë ka dhe një rëndësi personale, pasi u jep fund polemikave politike që kanë shoqëruar kohët e fundit figurën e tij në Prishtinë.

Ai u takua me liderin e Vetëvendosjes Albin Kurti, i cili ndjehej i zemëruar që Edi Rama nuk u përfshi në betejën politike në Prishtinë për shkarkimin e tij, por qëndroi indiferent, ashtu sikundër Haradinaj u përfshi në polemika personale me të, dhe vazhdon t’i mbajë mëri për një padi civile ndaj tij në Prishtinë, nga e cila Rama ka premtuar se do të tërhiqet.

Për herë të parë Edi Rama do të takohet privatisht, por dhe zyrtarisht me liderin e LDK, Isa Mustafa, pas një distance  politike dhe personale të tij me LDK-në, dhe po ashtu ka ftuar kryeministrin Hoti në Tiranë.

Kjo është hera e parë që Edi Rama takon një lider të LDK, pas një dreke pune që ka pasur dikur me Ibrahim Rugovën.

Në mos vlen për ndonjë të madhe, vizita e tij në Prishtinë vlen për të qetësuar debatin politik mes dy vendeve dhe kthimin e vëmendjes tek problemi që ka Kosova me armiqtë e saj, dhe jo problemet që kanë shqiptarët me njëri- tjetrin.

B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Skuadra më e ndjekur në botë s'është në Evropë, lihet pas Dortmundi! Inter 'mbret' në Itali

Skuadra më e ndjekur në botë s'është në Evropë, lihet pas Dortmundi! Inter 'mbret' në Itali