Qeveria ka miratuar këtë të mërkurë një mbështetje financiare për familjet e dy efektivëve të Policisë së Shtetit që u përfshinë në përplasjen e armatosur me Violand Braçellarin në malin e Bodesë, ku humbi jetën efektivi Enea Mekolli dhe mbeti i plagosur kolegu i tij, Edison Adri.

Lajmi u bë i ditur nga ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, i cili tha se familja e Dëshmorit të Atdheut, Enea Mekolli, do të përfitojë 5 milionë lekë të reja, ndërsa familja e efektivit Edison Adri do të përfitojë 3 milionë lekë të reja.

“Në mbledhjen e sotme të Qeverisë miratuam vendimet për mbështetjen financiare të familjeve të dy efektivëve; Dëshmorit të Atdheut, Enea Mekolli dhe Edison Adrit, i cili mbeti i plagosur në përballjen me krimin. Përkatësisht do të akordohen 5 dhe 3 milionë lekë të reja për familjet e tyre”, deklaroi Lamallari.

Ministri theksoi se asnjë ndihmë financiare nuk mund të kompensojë humbjen e jetës apo pasojat e ngjarjes, por shteti ka detyrimin të qëndrojë pranë familjeve të efektivëve që sakrifikuan në shërbim të detyrës.

“Asnjë ndihmë nuk mund të zbusë dhimbjen për ngjarjen e rëndë, por shteti ka detyrimin të qëndrojë pranë familjeve të tyre, me respekt, mirënjohje dhe mbështetje konkrete. Sakrifica e tyre nuk do të harrohet. Ministria e Punëve të Brendshme po ndjek të gjitha procedurat ligjore për trajtimin e familjes së Dëshmorit të Atdheut Enea Mekolli sipas Ligjit ‘Për statusin Fëmijë në Përkujdesje të Republikës’”, tha ministri.

Kjo do të thotë se fëmija i efektivit të rënë në krye të detyrës do të përfitojë trajtim financiar të përmuajshëm deri në arritjen e moshës madhore, sipas përcaktimeve ligjore.

Vendimi vjen pak ditë pas ngjarjes së rëndë të 4 qershorit të ndodhur në malin e Bodesë, ku gjatë një operacioni për kapjen e 43-vjeçarit Violand Braçellari, forcat e policisë u përballën me të shtëna me armë zjarri.

Sipas të dhënave hetimore, Braçellari hapi zjarr ndaj efektivëve sapo policia iu afrua zonës ku ai qëndronte. Nga të shtënat mbeti i vrarë efektivi Enea Mekolli, ndërsa u plagos Edison Adri.

Hetimet e Prokurorisë zbuluan se Mekolli nuk arriti të qëllonte asnjë plumb gjatë sulmit. Pranë trupit të tij u gjet arma e shërbimit me 29 fishekë ende në karikator dhe një tjetër në fole, fakt që sipas hetuesve tregon se ai u godit menjëherë sapo autori hapi zjarr.

Pas shkëmbimit të zjarrit, Braçellari tentoi të largohej, por u kap i plagosur pak metra larg vendit të ngjarjes. Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave vijojnë.