Radio Tirana, si funksionoi gjatë pushtimit fashist

Radio Tirana, si funksionoi gjatë pushtimit fashist

Godina e RTSH

Pjesa e tretë

Ndërsa trupat fashiste ato ditë të para të prillit të vitit 1939 po përgatisnin me shpejtësi pushtimin e Shqipërisë, thirrjet më të fuqishme që populli të ngrihej e të luftonte kundër pushtuesit u dëgjuan nga mikrofonët e Radio Tiranës. Për këtë dëshmon një artikull botuar në gazetën "Bashkimi i Kombit", më 9 prill të vitit 1944, me titull "Kujtime Radio Tirana, dhe 7 prilli 1939" ku, ndër të tjera, thuhet:

"Radio Tirana në ditët fatale u kallzua më i vlefshëmi nga ç'mund të besohet, madje shumë më i vlefshëm nga shtatmadhoria e gjeneral Aranitit që kujtoi se me shembjen e urës së Shijakut e kreu detyrën, pra, RadioTirana e pagoi plotësisht detyrën e vet. Në Berlin, Londër, edhe aty në Romë vetë zëri i shqiptarëve, shpërndarë nga mikrofonii saj, la jehonë të thellë. Në shumë vende të qytetëruara lajmet e përhapura nga Radio Tirana, shkaktuan botime të posaçme në fletoret më në zë të përditshme. Shqipëria në ato çaste kritike mundi ta thotë fjalëm e saj".

“Jehona e Radio Tiranës, në atë të premte të zezë,- vazhdon artikulli,- ka qenë më e madhe dhe më e fortë në kryqytetet ballkanike dhe sidomos në Bukuresht, Stamboll, Sofie, ku jetojë në me shumicë shqiptarë mërgimtarë, të djegur e të zhuritur për mëmëdhenë".

Këto thirje u bënë së pari nga drejtori i Radio Tiranës, Gjergj Bubani, drejtori i ATSH-së, Mihal Sherko, komentatori sportiv, Anton Mazreku, madje edhe nga kryeministri, Mehdi Frashëri.

Por rezistenca qe e kotë. Shqipëria ra nën sun sundimin fashist. Po ashtu kultura, arti, propaganda. Nuk përjashtohej as Radio Tirana, që menjëherë u vu nën kotrollin e pushtuesit..

Për t'i treguar botës se ata nuk janë pushtues, fashistët që më 14 prill të vitit 1939, siç njofton edhe gazeta "Shtypi", nisën të transmetonin programe në të gjitha gjuhët ballkanike: serbo-kroatisht, greqisht, bullgarish, rumanisht,turqisht si dhe frengjisht, anglisht, në të cilat pushtimi e cilësohej “çlirim” i Shqipërisë.

"Vendi ynë ka fituar kështu rekordin në gjuhë të huaja midis radiostaconeve të Ballkanit,- vazhdonte "Shtypi" në po atë datë.- Shqiptari në mërgim ka mundësi të vihet në korrent të ngjarjeve të përditshme me të gjitha hollësirat dhe komentet e duhura”.

Sigurisht që ato dy dhoma në Bashkinë e Tiransë ishin shumë pak për synimet e pushtuesve, të cilët pas disa muajsh e transferuan Radion në një godinë të re në rrugën "Kont Urani", në një kthesë të rrugës së Kavajës, ku ajo mbeti si e tillë deri më 5 dhjetor të vitit 1965. Godina e re e Radio Tiranës nisi të pajisej nga specialistët italianë me aparaturat më moderne të kohës.

 Siç njoftonte gazeta "Fashizmi" e datës 29 dhjetor 1939 në një artikull me titull: "RadioTirana vepër fashiste", përfaqsuesi i qeverisë shqiptare, Xhafer Ypi dhe Valauri, kryetari i EIAR-I, (Ente Italiana Audio Radio), nënshkruan një marrëveshje për instalimin e një stacioni të fuqishëm me fuqi prej 50 kv, që do të transmetonte me valë të mesme.

"Shqipëria do të ketë një nga stacionet më të fuqishme të Ballkanit",- njoftonte kjo gazetë, duke i bërë jehonë marrëveshjes së mësipërme. Sipas kësaj gazete, do të fuqizoheshin të gjitha shërbimet e radiodifuzionit në Shqipëri, të cilat me ngritjen e stacionit të ri, do të shpërndaheshin nga një ndër stacionet më të fuqishme dhë më moderne të Ballkanit".

Në të njejtën kohë, u modernizuan edhe më shumë dy studiot që ndodheshin në katin e tretë të godinës së re të Radios, nisi të botohej revista e përdyjavshme "Radioprogrami", që më pas u quajt "Radiorevista Tirana" dhe më pas "Vatra Shqiptare". Në këto revista botoheshin programet e Radio Tiranës, si dhe rubrika kulturoro-artistike dhe letrare. Sigurisht që botoheshin edhe materiale propagandistike fashiste. Kjo ishte e pamënjanueshme. Megjithatë, revista u bë pasqyrë e mendimit intelektual shqiptar dhe botëror. Kjo revistë pushoi së botuari në shtator të vitit 1944.

Për të kuptuar se ç'propagandë bënin fashistët edhe për Radio Tiranën, mjafton të përmendim një artikull të botuar në numrin e parë të revistës "Radioprogrami",(11prill 1940), me titull "Nj vit jete në Radio Tirana", ku shkruhej: "Brenda një vendi pak metër katror- një platformë e zezë ngjitur pas muri. Në një cep- një tryezë e vogël, një copë hekuri e bardhë, mikrofoni, pjesë kanconetash…. letra të daktilografuara. Një djalosh flokëverdhë, i mbytur në djersë, shprehet me shumë gjeste e pak fjalë….Mbi një karrige- disa dhjetëra disqe të prishura nga përdorimi. Një i nxehtë që të zë frymën. Jashtë 37 shkallë në hije. Brenda 40 shkallë…Ishte qendra e Radio Tiranës këtu e një një vit më parë. Sot në rrugën "Kont Urani", një pallat iv ogël dhe I këndshëm është qendra e shërbimeve të Radios me gjithë aktivitetet e saj harmonike e kumbuese, që fillojnë në mëngjes dhee vazhdojnë deri në mbëmje vonë".

Për aftësimin profesional të personelit krijues të Radios u ngritën kurse. Një ndër ta ishte kursi për përgatitjen e folësve, drejtur nga folësja Kaliopi Plasari, shkolla e përgatitjes së këngëarëve drejtohej nga Tefta Tashko e pianisti Tonin Guraziu së bashku muzikantin italian, Mario Etore. Funksiononte edhe kursi i kitarës dhe më pas shkolla e instrumenistëvë, ku nisën hapat e parë Nikolla Zoraqi,Ymer Skënderi, Genc Bogdo që u bënë më pas muzikantë dhe kompozitorë të njohur.

Për ngritjen teknike ndihmoi inxhinieri i njohur italian, Antonio Galeaci, i cili së bashku me pianistin Mario Etore qëndroi në Shqipëri deri më 1948, duke dhënë ndihmesë të ndieshme në ecurinë Radio Tiranës.

Ndër emisionet më të njohura përmendim programet e orkestrës moderne të drejtuar, vec Mario Etores, edhe nga dirigjenti tjetër italian,Sardeli, "Radio Posta", emision me muzikë të kërkuar nga dëgjuesit, "Ora gazmore".

Kishte edhe emisione të tjerta interesante si: "Ora e fëmjëvë ",

"Ora letrare", ku lexoheshin dhe diskutoheshin vepra të njohura të letësissë shqipe dhe botërore. Emisione me interes ishin dhe ato me karakter kulturor, shkencor, emisione përkujtimore për figura të mëdha shqiptare dhe të huaja, ku bashkëpunonin personalitete të kulturës dhe artit shqiptar.

Pa dyshim, ndër emisionet më të dëgjuara të Radio Tiranës ishte dhe "Ora e mjekut", i cili kishe nisur që në javët e para të krijimit të Radio Tiranës nga dr.Hamdi Sulcebeu, emisioni më jetëgjatë i Radio Tiranës që ai e vazhdoi deri në ditët e fundit të jetës së tij, po të marrim parasysh se vazhdoi për më shumë se 50 vjet.Me shumë interes ndiqej gjithshtu edhe "Kronika sportive", përgatitur nga Anton Mazreku.

Ndonëse në kushtet e rënda të pushtimit fashist, kur në pogramet e Radio Tiransë zunë vend edhe programe në italishte, si lajme, komente, mësimi i gjuhës italiane, sidomos programe të muzikës së lehtë, prapëseprapë Radio Tirana u përpoq të ruante tipare kombëtare. Kjo, u pa, vec atyre që përmendëm më sipër, edhe te emisonet muzikore që përbënin pjesën dërmuese të programeve të Radios.

Këtë e verteton edhe një relacion mbi veprimtarinë e Radio Tiranës gjatë 6-mujorit të parë të vitit 1943, (Arkivi i Shtetit,dosja 12, faqe 198), ku theksohet se po punohej për mbledhjen e apuntave melodike "që do të krijojnë këngën shqiptare, duke e rikthyer në një formë të re, por që do të rrjedhë vetvetiu e do të përmbledhë tërë folklorin melodik të vendit. Për të filluar këto veprime u bë një përmbledhje dhe një rishikimi motiveve të para shqiptare në volumin "Jeta shqiptare", volum i cili po përhapet në të gjithë Shqipërinë".

Në kultivimin e muzikës popullore shqiptare në Radio Tirana, luajti rol krijimi grupit toskë dhe grupit karakteristik shkodran, me këngatarin e njohur, Kel Sata, grupi I burrave drejtuar nga Mihal Ciko, këngëtar i njohur dhe drejtues i sektorit të muzikës në Radio, grup që që u bë shumë popullor.

Gjithashtu duhet përmendur nisma që mori këngëtarja e njohur Tefta Tashko, punonjëse e Radios, e cila më 1942 shkoi në Itali, ku regjistroi këngë popullore shqiptare, të cilat edhe sot kanë vlera të jashtëzakonshme.

Ndër këngëtarë të tjerë të njohur të Radios përmendim sopranon Marie Paluca, (Kraja), tenorët Kristaq Antoniun,Kostaq Koco, këngataret Bardhyle Nase, Merita Sokoli, Behije Cela,(Levonja),Viktori Xhaçka, që kënduan me pasion këngë popullore shqiptare.

Vend të rëndësishëmnë programet e Radio Tiranës zinte dhe muzika klasike, e cila i përcillej dëgjuesit me disqe që erdhën posaçërisht nga Italia. Vec kësaj, në Radio jepeshin edhe koncerte me muzikë dhome, koncerte të orkestrave të vogla, komplekse karakteristike e komplekse me fizarmonikë.

Dëgjuesi ynë pati mundësi në ato vite të dëgjonte pjesë të njohura sinfonike në interpretimin e Orkestrës së Forcave të Armatosura Italiane, që transmetoheshin kryesisht nga Radio Tirana.

Në një artikull të botuar më 14 korrik të vitit 1943 në gazetën "Tomori", vihet në dukje se Radio Tirana kishte transmetuar "…rreth njëzetë koncerte të mëdhënj sinfonikë nga më të mirët, duke përmbledhur copa muzike klasike,nga më të mirat, copa autorësh klasikë të kohës së kaluar, dhe nga ato më të mëdhatë dhe më të shquarat të kohës sonë…ndër të cilat pesë sinfonitë më të njohura të Beethovenit”.

Në këtë mënyrë gama e veprimtarisë së Radio Tiranës u rrit shumë. Për këtë qëllim u krijuan sektorë të tillë si i radiopërhapjes, ku përfshihej dhe informacioni, sektori i gjuhëve të huaja, i programacionit, i grupit dramatik, për të cilin do të flasim më pas,sektori teknik, sektori i muzikës, i rubrikave të ndryshme, ku aktivizoheshin rreth 50 vetë, shifër e madhe për ato vite.

Më 16 prill 1943 në gazetën "Roja Kombëtare" jepej njoftimi se në Kashar do të vendosej një stacion i fuqishëm prej 50 kv, nga 3 kv, me të cilin punonte Radio Tirana, por ky projekt dështoi,sepse Italia fashiste kapitulloi në verë të vitit 1943.

Sidoqoftë, edhe me atë kapacitet të vogël, Radio Tirana, siç e pamë, po bënte përpara. Ndaj të vjen të vesh buzën në gaz, kur në një dosje të ruajtur në Arkivin e RTVSH-së për historinë e Radios në vite e para shkruhet: "Radio Tirana, e cila u vu në funksionim në nëntor të vitit 1938. Ashtu si i gjithë shtypi borgjez dhe reaksionar i asaj kohe, ishte në duart e klikës feudoborgjeze të Zogut dhe u shërbente interesave klasore…Në kushtet e një radioje të kufizuar primitive dhe injorancës së regjimit, Radio Tirana u shfrytëzua si mjet për të helmuar ndërgjegjen e popullit dhe për të vënë në gjumë ndërgjegjen e tij…Shërbimi i vërtetë i Radios fillon vetëm pas Clirimit të vendit nga okupatorët nazi-fashistë, përmbysjss së klasës feudo-borgjeze dhe vendosjes së pushtetit popullor..".

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Spahiu: Dyshoj se për 10 vjet, nuk ka gjykatë që guxon të dënojë Berishën dhe Ramën

Spahiu: Dyshoj se për 10 vjet, nuk ka gjykatë që guxon të dënojë Berishën dhe Ramën