Rama: 21 Janari, peng i madh
arsye e fortë për qeverisje drejtë

Rama: 21 Janari, peng i madh<br />arsye e fortë për qeverisje drejtë
TIRANE- Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ashtu dhe kryetari i PD-së Lulzim Basha ishin mbrëmë në intervista televizive në dy televizione të ndryshme.  I ftuar në "Top Story" Rama ka folur për vendimet e para që ka marrë qeveria, marrëdhëniet me Presidentin, me Metën si dhe me opozitën. Kur është pyetur për bashkëpunimin me opozitën u shpreh se “nuk e dimë se me këtë do të bashkëpunojmë”. Po ashtu ai ka folur mbi marrëdhëniet me Blushin deri tek historia e zonjës që bënte kafenë tek kryeministria.

Duke u ndalur tek ngjarjet e “21 janarit”, duke i cilësuar si “një peng i madh”, ndërsa ka theksuar se kjo është “një arsye shumë e fortë për ta kthyer këtë mandat në mandatin e një qeverisjeje të drejtë”.

Nga ana tjetër në një intervistë në “Opinion” për Tv Klan, kreu i PD, sqaron debatet brenda grupit të djathtë parlamentar pranon humbjen e 23 qershorit si dhe premton një opozitë të fortë dhe premtuese në Parlament. LEXONI INTERVISTEN E Kreut PD, Basha: Kërcënimet e Ramës në Kuvend, sikletosën dhe Metën

 
INTERVISTA E KRYEMINISTRIT EDI RAMA DHENE PER EMISIONIN "TOP-STORY"

S.Balla: Zoti Rama, më në fund, kryeministër, apo jo. Dhe urime për detyrën.
Kryeministri Edi Rama: Mirëserdhët dhe ju falënderoj shumë.

S.Balla: Shoh që zgjodhët një vend simbolik të zyrës së kryeministrit, pikërisht dritaren. Besoj duhet të keni kujtime nga kjo dritare, gjatë protestave.
Kryeministri Edi Rama: Më mirë hajde ulemi dhe t’i lëmë kujtimet.
 
S.Balla: Në fakt desha të pyesja për 21 janarin, sa jemi këtu. E di që intervistat zakonisht të tilla duhet të nisnin ndryshe, por është një peng i madh 21 janari, besoj.
Kryeministri Edi Rama: Është një peng shumë i madh dhe është një arsye shumë e fortë për të mos përsëritur të gjitha ato që i shtynë njerëzit që të vijnë nëpër protesta dhe nga ana tjetër është edhe një arsye shumë e fortë për ta kthyer këtë mandat në mandatin e një qeverisjeje të drejtë.
 
S.Balla: Vazhdojmë atëherë. Më thoni sa peshon ajo karrige ku jeni ulur.
Kryeministri Edi Rama: Nuk është çështje karrigeje, është çështje e një përgjegjësie shumë të madhe, sepse e kam thënë edhe herë tjetër, në qoftë se do të kishte qenë një fitore nga ato, le të themi, të zakonshmet, edhe pse e zakonshme s’mund të ishte, sepse ishte një periudhë e gjatë kohe që ne luftuam për këtë fitore, barra do të ndjehej më pak, ndoshta dhe ajo ndjesia e brendshme do të ishte më e fortë në drejtim të entuziazmit dhe jo kaq e fortë në drejtim të përgjegjësisë, besoj. Kurse kjo fitore plebishitare, ky mandat kaq i fortë është shprehje e një nevoje shumë të madhe të njerëzve për një transformim rrënjësor, e bën shumë më të rëndë përgjegjësinë në këtë karrige.
 
S.Balla: Megjithatë le të themi ky moment, jemi në orët e pasdites së ditës së diel, kur ju keni rreth një orë që jeni larguar nga Presidenca, është sigurisht një moment i rëndësishëm edhe personal, është një kulmim i një karrierë politike. Ju e keni nisur shumë herët për ta ndërprerë dhe për ta rinisur sërish pas vitit 1998, kur ju u caktuat ministër i Kulturës. Pra, projekti juaj politik është më i hershëm se kaq.
Kryeministri Edi Rama: Patjetër që është një arritje, nuk diskutohet dhe është një arsye për të qenë krenar që njerëzit besojnë në këtë detyrë, e cila, besoj, është nga detyrat më të mëdha që një njeri mund të ketë në vendin e vet, por, edhe një herë tjetër, mënyra sesi gjërat kanë shkuar në këtë vend dhe mënyra sesi njerëzit reaguan ndaj gjërave që shkuan në drejtim të gabuar në këtë vend më bën shumë të vetëdijshëm që njerëzit nuk kanë votuar thjesht për të ndërruar një kryeministër me një tjetër, nuk kanë votuar për njeriun që do të ulej në këtë karrige, por kanë votuar për një ndryshim rrënjësor të vendit, duke filluar nga modeli qeverisës. Në këtë kuptim, karrigia është që të ulem unë, kurse pushteti padyshim duhet të jetë i njerëzve që më sollën mua këtu, përndryshe, koha kalon shumë shpejt dhe gjërat kthehen aty ku ishin.
 
S.Balla: Zoti Rama, besoj do t’ju pyes për të gjitha këto, pasi këto qenë edhe disa nga mesazhet që ju thatë në atë fjalë, deri diku spontane, që mbajtët para njerëzve, para se të hynit në kryeministri. Megjithatë do të doja t’ju pyesja për përjetimin tuaj personal. Realisht çfarë ndjetë kur u futët, përtej, të themi, atij zhargoni politik, unë e kuptoj përgjegjësia e votës etj. etj., për të cilat do të flasim. Por çfarë ndjen një person, kur vjen në majë të pushtetit, por, natyrisht, duke ardhur edhe në një mënyrë të caktuar, siç erdhët ju, pasi ka qenë një rrugë jo e lehtë.
Kryeministri Edi Rama: Është një ndjesi peshe mbi supe dhe një lloj jo boshllëku, por një lloj ndjesie paralele e një zbrazëtie që lidhet me kujtesën e menjëhershme si në një film me flashback të sa shumë vështirësive, sa shumë problemeve, sa shumë plagëve, sa shumë padrejtësive, halleve e me radhë janë mbrapa këtij vendimi të njerëzve për të bërë këtë ndryshim. Në fund të fundit, ajo që ndodh në skenë është ajo që shohim, por kush e vë në skenë është një popull i tërë që fatkeqësisht bëhet i padukshëm mbasi projektorët janë mbi skenën, por në fakt është arsyeja pse ne të gjithë jemi në skenë. Nga ana tjetër, ma bëri më të lehtë gjithë këtë kapërcim, se është edhe si një kapërcim, nuk është futja nga një palë shkallë në një godinë, por është një kapërcim periudhash të jetës...
 
S.Balla: Epokal.
Kryeministri Edi Rama: Edhe periudhash që lidhen me jetën e një vendi, ma bëri më të lehtë takimi me zonjën që ka qenë edhe në kohën kur unë kam hyrë në këtë godinë si ministër i Kulturës dhe që shërbente me shumë dashuri për të gjithë, në barin e kryeministrisë.
 
S.Balla: Dhe, në fakt, shembulli i kësaj zonje, që unë besoj e shpresoj që ju do ta mbani në punë, ngre një pyetje të fortë. Natyrisht, shumë veta bien dakord që me administratën publike në këtë vend, në këto tetë vite janë bërë edhe gabime dhe këtu po e fus në vlerë absolute, pasi mendimet janë shumë më kritike. Por tek ajo pjesë e shqiptarëve, që i përket gjeneratës të cilën ju pretendoni me këtë program, me këtë fitore e me këtë qeveri ta përfaqësoni, është gjithmonë ajo mungesa e trashëgimisë shtetërore, pra, këtu gjithkush kur vjen, e nis nga zero dhe këto akuza nuk munguan edhe ndaj jush nga deputetët e opozitës në Kuvend. Unë e kuptoj ndryshimin, por deri tani, zoti Rama, përveç fjalimit në Prishtinë, kur ju në një farë mënyrë vlerësuat rolin e ish kryeministrit Berisha përsa i përket lobimit për TAP-in, nuk ju kam dëgjuar të thoni që nga kjo mazhorancë, tani që mbaroi propaganda elektorale, tani që jeni në këtë zyrë, çfarë realisht trashëgoni diçka pozitive që ju do ta ruani? 
Kryeministri Edi Rama: Unë them që ka një, le të themi, tërësi hapash, të përkthyera në legjislacion, që janë hedhur në funksion të integrimit në Bashkimin Europian dhe që sigurisht kanë pjesën e meritës së opozitës së deridjeshme, që ka bërë të vetën kur është thirrur për të bërë të vetën për ligjet me 3/5, por kanë edhe një masë të konsiderueshme kontributi të qeverisë së djeshme dhe opozitës së sotme. Problemi i Shqipërisë nuk është legjislacioni, problemi i Shqipërisë nuk është sa vandakë me ligje kemi në arkivin e Kuvendit të Shqipërisë, por problemi është sa ligjshmëri kemi në rrugë, sa ligjshmëri kemi në marrëdhëniet e njerëzve me institucionet, sa ligjshmëri kemi në mënyrën sesi administrata ju shërben njerëzve e me radhë. Dhe në këtë aspekt, unë, me keqardhje e them, por shoh regres, nuk shoh progres.
 
S. Balla: Zoti Rama, le t’i rikthehemi pikërisht ashtu si ju e nisët punën si kryeministër e si qeveri e re. Këtë të diel, ju miratuat tre vendimet e para. Mund të na thoni diçka më tepër për këto tre vendime, sepse, kur flitet për vazhdimësi të shtetit, ju bëtë në fakt një gjë që do të duket si një goditje, hoqët me vendim qeverie fotografinë e presidentit Nishani.
Kryeministri Edi Rama: Nuk ka lidhje me këtë. Unë e kam thënë dhe e përsëris, me presidentin e Republikës do të bëj gjithçka është në dorën time, që të ndërtojmë një marrëdhënie shembullore për nga mënyra sesi dy përfaqësues të lartë të dy institucioneve kaq të rëndësishme mund të bashkëpunojnë në respekt të Kushtetutës dhe në interes të qytetarëve e të ligjit, pavarësisht se vijnë nga parti të ndryshme. Kjo ka lidhje me një histori shumë të stërzgjatur e qesharake të gjithë kësaj periudhe, kur asnjëherë një fotografi e presidentit të Republikës nuk ka gjetur paqe mbi mure, sepse gjithmonë është bërë objekt i kontestit të palëve për beteja të verbra brenda vetes, apo për inerci betejash me të tjerët. Nga ana tjetër besoj që ky vend ka nevojë për një rilindje morale dhe kjo rilindje morale duhet jo vetëm të përfshijë, por duhet të jetë pjesë e dijes qeverisëse. Megjithëse simbolet kanë një peshë relative, pesha e tyre nganjëherë është shumë e rëndësishme në momente të caktuara dhe Ismail Qemali besoj është një figurë e gjithpranuar dhe është një simbol që rrezaton shumëçka në funksion të një rilindjeje morale të qeverisjes edhe në rrugën për të gjetur pika të përbashkëta referimi me të gjithë.
 
S.Balla: Zoti kryeministër, ju patët pas fotografisë kolektive me ministrat, një bisedë të shkurtër kokë më kokë me kreun e shtetit, me zotin Nishani. Mund të na thoni diçka më tepër, çfarë biseduat me të? 
Kryeministri Edi Rama: Sipas protokollit, në këtë ceremoni, pasi bëhet betimi, presidenti tërhiqet me kryeministrin për një kohë të shkurtër dhe këmbejnë, le të themi, disa opinione të para dhe këto opinione ishin në vazhdën e atyre opinioneve që unë i kam këmbyer edhe më parë me presidentin, për një bashkëpunim institucional dhe për një marrëdhënie që të tejkalojë të shkuarën në funksion të të ardhmes, duke respektuar Kushtetutën, duke luajtur secili rolin e vet, i patrazuar nga tjetri, siç ka ndodhur fatkeqësisht rëndom në gjithë këto vite dhe duke dhënë një shembull bashkëpunimi për qytetarët.
 
S.Balla: A duhet të ndjehet presidenti Nishani i rrezikuar potencialisht nga një impeachment, nga një shkarkim?
Kryeministri Edi Rama: Presidenti Nishani nuk ka asnjë arsye të ndjehet i rrezikuar nga asgjë, por i ka të gjitha arsyet që të jetë gardian i Kushtetutës, ashtu sikundër Kushtetua e kërkon. Nga ana tjetër, mund t’ju siguroj që, për sa më takon, epoka e municioneve që mblidheshin në këtë zyrë dhe pastaj mbushnin topat apo armët e luftës politike, për t’u nisur të shtënat drejt presidencës, ka mbaruar. Në të gjitha rastet, ju nuk do të dëgjoni që unë si kryeministër të sulmoj publikisht presidentin. Sigurisht që mund të ketë momente mosdakortësie, por, gjithmonë, në rast se do të shprehen, edhe pse do të bëj çmos që këto as të mos shprehen, por t’i shprehen presidentit në rrugë konfidenciale, nuk do të kenë lidhje fare me çfarë na kanë parë sytë e dëgjuar veshët deri pak kohë më parë.

S.Balla: Zoti kryeministër, jua bëjë këtë pyetje, pasi ditët e parë të legjislaturës së re sigurisht prodhuan edhe lajm përsa i përket numrit të votave që ka mazhoranca juaj, e drejtuar nga ju dhe zoti Meta dhe kjo u vërejt në votimin për kryetarin e ri të Kuvendit, i cili mori 91 vota, dy më pak sesa 3/5 që nevojiten për një shkarkim potencial të presidentit të Republikës. Ju thoni që nuk do ta sulmoni presidentin Nishani dhe ai nuk ka asnjë arsye, përsa kohë është gardian i Kushtetutës, të ndjehet i rrezikuar nga çdo lloj kërcënimi nga kjo supermazhorancë politike e krijuar në Kuvend. Por a jeni i sigurt që edhe zoti Meta mendon kështu?
Kryeministri Edi Rama: Jam absolutisht i sigurt sepse ne kemi biseduar edhe për këtë temë. Në rolin e kryetarit të Kuvendit, zoti Meta dëshiron të lërë gjurmë duke ndryshuar një vazhdë që kulturalisht është e papranueshme për një vend evropian dhe demokratik dhe pjesë e këtij ndryshimi është edhe raporti i kryetarit të Kuvendit me presidentin e Republikës, sepse përsëri, çnuk na kanë parë sytë e çnuk na kanë dëgjuar veshët, për fat të keq.

S.Balla: Në fakt, qoftë edhe për mënyrën si shkuan zgjedhjet, për rezultatin e thellë, qoftë edhe për krijimin e një kulture të re demokratike në vend, bashkëjetesa apo koabitacioni, meqenëse ju jeni simpatizant i kulturës franceze, besoj se është një gjë e mirë për vendin. Pra, ne kemi një kryetar Kuvendi të një partie, kryeministrin të një partie tjetër dhe opozita e cila ka një ish përfaqësuesin e saj në krye të presidencës. Dhe kjo duket sikur direkt sjell një klimë të re, e cila u vu re edhe në ditët e parë të Kuvendit dhe besoj se edhe ju e vlerësuat rolin e zotit Meta si një moderator i një stili tjetër, që po fut një kulturë të re, të paktën deri tani. Megjithëse, për shembull, ka pasur shumë reagime kryesisht në rrjetet sociale, kanë qenë simpatizantë të krahut tuaj, të krahut të majtë, të cilët ngrinin një shqetësim të drejtë e thoshin se përse kjo mazhorancë e re e nisi jetën parlamentare duke shkelur rregullin. Latë një deputet të opozitës të fliste pa limit.
Kryeministri Edi Rama: Kjo është një pyetje që duhet t’ia bëni kryetarit të Kuvendit, por, nga ana tjetër, kryetari i Kuvendit e deklaroi që për këtë kishte marrë konsensusin e kryetarit të grupit tonë parlamentar dhe në atë sallë eksperienca e kryetarit të grupit socialist është shumë më e besueshme si pikë referimi, sesa opinioni im.

S.Balla: E futur në vlerë absolute, ky shqetësim mund të përkthehet në një pyetje tjetër. Kemi dëgjuar gjithmonë nga ish kryetari i mazhorancës së djeshme, më besoni, mua, unë, do të respektoj opozitën, do t’i jap këtë apo atë. Kjo mazhorancë që do të keni tani është shumë e madhe dhe duket për momentin shumë e fortë, megjithëse zoti Blushi i dha krisjet e para dhe jemi prapë në të njëjtën situatë. Pra, ne duhet t’ju besojmë juve apo zotit Meta që do të respektoni apo nuk do të respektoni ligjin, siç e gjykoni ju të arsyeshme. Në rastin e zotit Berisha besoj qe një vendim i arsyeshëm dhe i kuptueshëm për opinionin e gjerë publik, por përse opinioni publik duhet t’ju besojë juve dhe arsyes tuaj, kur në fund të fundit jeni këtu i votuar nga një milionë shqiptarë, edhe për shkak se duhet një kulturë e re e zbatimit të rregullave e ligjit dhe ku kemi ne garanci që kjo nuk do të ndodhë në një rast tjetër nesër apo pasnesër?
Kryeministri Edi Rama: Ndoshta gjashtë muaj më vonë, kur ne të bëjmë një bashkëbisedim tjetër, mund të bëhet kjo pyetje, sepse mund të kenë lindur dyshime, që unë shpresoj jo, kurse sot jemi në kushtet kur opinioni publik e ka marrë vendimin e tij dhe na ka besuar si dy parti, por si një forcë, Aleanca për Shqipërinë Europiane dhe ne jemi shumë të vendosur që të qeverisim qoftë Kuvendin, qoftë Shqipërinë përmes qeverisë si një forcë me dy parti që janë komplementare me njëra-tjetrën, sigurisht me dy liderë që janë liderët e këtyre dy partive, duke qenë të vetëdijshëm se mandatin e kemi përveç të tjerave, për të mos e shpërdorur me gabime të përsëritura. Neve, besoj, nuk na kërkohet të mos bëjmë gabime, na kërkohet të mos përsërisim gabimet e të shkuarës, qoftë në raport me keqqeverisjen që shqiptarët i dhanë fund me një milionë shuplaka në 23 qershor, qoftë edhe në raport me qeverisjen e të majtës në të shkuarën.

S.Balla: Zoti Rama, ndjesë që po këmbëngul tek kjo pikë, po ç’mund t’ju pyes në ditën e parë të qeverisë, përpos dy vendimeve të tjera që do t’ju pyes pak më vonë. Raportet me opozitën e sotme janë të rëndësishme, sepse njerëzit kërkojnë një klimë të re politike në vend dhe sigurisht, sinjalet e para u dhanë në parlament, me disa kompromise që iu bënë opozitës. Por një nga arsyet pse përfaqësues të opozitës duken pak të stresuar, por edhe pikëpyetja që e ka edhe një pjesë e opinionit publik, a do të ketë revansh të mazhorancës së re ndaj mazhorancës së djeshme?
Kryeministri Edi Rama: Ne kemi vetëm një revansh, revanshin me të shkuarën si traditë e konfliktit, traditë e dhunës verbale që shtrihet tek personalja, tek fisi e tek fara, traditës së një jete politike që është vërtet jetë e ulët në sallën e parlamentit, ku në vend që të ballafaqohen vizione, programe e këndvështrime, që normalisht janë të ndryshme e lavdi Zotit që janë të ndryshme, kacafyten persona. Ky është revanshi që ne kemi. Revansh me çka duhet të ndryshojë dhe në emër të asaj që do të ndryshojë.

S.Balla: Zoti Rama ka një debat që ka lindur pak javë më parë. Një nga vendimet e fundit të qeverisë, i dekretuar nga presidenti i Republikës në cilësinë edhe të Komandantit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, për kalimin e një ndërtese, të administruar nga ushtria shqiptare, si seli e re e Partisë Demokratike. Si gazetar ju them realisht se Partia Demokratike kishte nevojë për një seli të re, sidomos tani që aktiviteti i tyre është vetëm opozitar, sigurisht ka nevojë për më shumë hapësira. Sigurisht ka një debat për mënyrën si u kalua. Ajo që njerëzve u intereson është cili do të jetë qëndrimi apo aksioni. A do të ndërmerrni ju ndonjë aksion të mirëfilltë, për të zhvleftësuar këtë vendim, apo do ta pranoni si një gabim e në emër të një klime të re politike do vazhdoni përpara.
Kryeministri Edi Rama: Një gjë tjetër që do të ndryshojë është natyra e qeverisjes dhe metoda e qeverisjes së kryeministrit. Unë nuk do të anonçoj vendime që anëtarët e qeverisë do t’i marrin vesh bashkë me televizorin dhe nuk do të deklaroj më parë çka do të bëhet, pa rakorduar së bashku brenda përbrenda Aleancës për Shqipërinë Europiane, jo thjesht midis meje e kryetarit të Kuvendit që është njëkohësisht edhe partneri strategjik në koalicion, por brenda përfaqësuesve të rëndësishëm të kësaj shumice që nuk janë vetëm ministrat, por janë edhe kryetarët e grupeve, janë edhe deputetët me përvojë. Kështu që ne do të ecim me një metodologji krejt tjetër.

S.Balla: Dakord, por ju pyeta për një gjë konkrete.
Kryeministri Edi Rama: Dhe përgjigja ime është kur ta diskutojmë dhe të vendosim do të themi se çfarë kemi vendosur. Ndërkohë që bashkë me të gjithë kolegët ministra kemi vendosur qoftë vendimin për të cilin folëm, qoftë vendimin për të kaluar në qeveri Kodin Ministror.

S.Balla: Të rrimë tek Kodi Ministror. Çfarë do të thotë, se tek shumë është interpretuar si mënyrë censurimi që ju do t’u bëni ministrave?
Kryeministri Edi Rama: Kodi Etik Ministror është praktikisht dokument i miratuar bashkërisht, i një praktike të mirë që ne e kemi huazuar si praktikë, pavarësisht se e kemi modifikuar në funksion të kontekstit tonë, nga qeveria britanike dhe e kanë edhe qeveri të tjera, që do të thotë se është një angazhim për një sërë elementesh që kanë të bëjnë me ndërveprimin dhe me etikën e qeverisjes. Do të jetë publik që nesër.

S.Balla: Vendimi i tretë?
Kryeministri Edi Rama: Vendimi i tretë është anulimi i ndërhyrjeve në ligj që kanë mundësuar futjen e plehrave nga jashtë në Shqipëri. Pra, Shqipëria nuk do të importojë më plehra nga jashtë. Ky është një angazhim solemn që e kemi marrë përpara popullit dhe na u duk shumë e rëndësishme që ta vendosim në vend këtë zotim qysh në ditën e parë.

S.Balla: Në kuadrin e transparencës e keni konsultuar këtë pikërisht me palën që e ka kontestuar atë, shoqërinë civile?
Kryeministri Edi Rama: Ne kemi bërë atë që shoqëria civile ka kërkuar. Kështu që besoj në këtë pikë nuk kemi pasur nevojë të konsultohemi.

S.Balla: Pra, në një farë mënyrë, referendumi i dhjetorit është tashmë jashtë...
Kryeministri Edi Rama: Të gjithë ata që kanë firmosur për referendumin e dhjetorit kanë marrë atë që kanë kërkuar, anulimin e importit të plehrave në Shqipëri.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Dy ish-kunatat, Nora Istrefi e Tuna bëhen bashkë, këndojnë mbi arkivol 'My love' (VIDEO)

Dy ish-kunatat, Nora Istrefi e Tuna bëhen bashkë, këndojnë mbi arkivol 'My love' (VIDEO)