Rama: 60 efektivë të plagosur në protestat e opozitës...I jep Ina Nukut yllin e mirënjohjes (VIDEO)

Kryeministri Edi Rama në një takim me drejtues të policisë në Ministrinë e Brendshme, falenderoi efektivët gjatë mbarëvajtjes së protestave të opozitës joparlamentare prej muajit shkurt. Ai tha se 60 efektivë policie mbetën të plagosur gjatë protestave, ndërsa i vlerësoi ata për vendosmërinë e tyre dhe vetëpërmbajtjen shembullore siç ai e quajti. Rama veçoi rastin e Ina Nukut, efektives së "Shpiponjave" që u plagos me kapsollë gjatë një prej protestave,të cilës i akordoi  yllin e mirënjohjes publike të kryeministrit.

"Faleminderit në emrin tim, të qeverisë shqiptare dhe të çdo njeriu të zakonshëm të këtij vendi që sot ndihet i çliruar nga hija kërcënuese e ankthit për fatin e zgjedhjeve të 30 qershorit, e cila u vërtit për muaj të tërë nëpër Shqipëri dhe hyri në shtëpitë dhe në mendjet e zemrat e qytetarëve të këtij vendi, falë vënies në zbatim të një plani politik antikombëtar kundër zgjedhjeve, kundër drejtësisë, kundër Shqipërisë, mu në prag të vendimit për çeljen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian.

Faleminderit për punën, mundin dhe sakrificën e forcave të Policisë së Shtetit, të cilat mbajtën me përkushtim, dinjitet, profesionalizëm, një ngarkesë të jashtëzakonshme fizike dhe psikologjike, në tërë këta muaj të mbrapshtë. Mirënjohje dhe respekt për çdo efektiv policie që kontribuoi në forcimin e profilit të një trupe policore të organizuar mirë, të përgatitur mirë dhe të gatshme për të reaguar efektivisht dhe proporcionalisht në çdo moment agresiviteti të rritur kundër shtetit dhe institucioneve. Një mirënjohje e falenderim i veçantë për 60 efektivët e lënduar gjatë tërë kohës së çmendur të protestave e të sulmeve agresive të antishtetit, të cilat u zmbrapsën me vendosmëri, qëndrueshmëri dhe vetëpërmbajtje shembullore nga ana juaj.

Më vjen posaçërisht mirë që këtu mes jush ndodhet edhe simboli i rezistencës suaj së tërë kësaj periudhe tejet të vështirë për secilin dhe secilën prej jush, kolegia dhe mikja juaj, e them me krenari, tanimë dhe mikja ime, Ina Nuku.

Ina ra pre e një goditje qorre me lëndë plasëse, që mund t’i kishte marrë edhe jetën në krye të detyrës. Fatmirësisht, ajo reagoi menjëherë duke shmangur më të keqen e mundshme, por jo gjymtimin e dorës. Një vajzë e zonja dhe e bukur, studente e apasionuar, me rezultate shumë të mira, punonjëse e re dhe e përkushtuar e Policisë së Shtetit, Ina u plagos rëndë, jo në përballje me krimin e rrugës, por sepse u gjet përballë politikës së rrugës. Sot është dita e duhur për t’i dedikuar Inës dhe përmes saj të gjitha vajzave që shërbejnë nën uniformën e Policisë së Shtetit dhe të gjithëve ju që u përballët denjësisht me agresionin e antishtetit gjatë kësaj periudhe trazimi kombëtar, një shprehje simbolike mirënjohjeje, duke i akorduar “Yllin e mirënjohjes publike” të Kryeministrit", tha Rama.


Lajmi kryesor:

Rama falenderon policinë për protestat, fushatën dhe zgjedhjet: 30 qershori fitore e së drejtës, jo e së majtës (VIDEO)


G.M./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja