Në ditën e lumturimit të Nënë Terezës, kryeministri Edi Rama tha se kjo është një ditë e shënuar, ku ndryshe nga ditët  e tjera të shënuara të imponon shumë modesti dhe aspak fanfare përkujtimore.

Sipas tij, Nënë Tereza është personi unik që na bën të ndihemi krenar për identitetin shqiptar. “Për shumë kohë Nënë Tereza është përkujtuar dhe është kremtuar në vendin tonë më së shumti e mbështjellë virtualisht me ngjyrat kuq e zi të flamurit tonë. Me të vërtetë 40 vjet pasi iu mohua gjaku dhe rrënjët e saj, përfshirë këtu mjerisht edhe nga vendi prej ku u çel jeta e saj, Shqipëria dhe shqiptarët ndjenë një nevojë therëse për t’iu përgjigjur krahë hapur por edhe të penduar rënkimit të përsëritur të saj ku thoshte, “nga gjaku unë jam shqiptare. Përmasa kombëtare e këtij personi unik, të reshtur në përvujtshmëri nga dashuria dhe vëtmohimi për të tjerët, pa më të voglin dalllim është për ne si shqiptar element i domosdoshëm sepse ai mëton në gjakun tonë”, tha kryeministri.

Dashuria tha Rama qëndronte në themel të vullnetarizmit të Nënë Terezës. “Nënë Tereza thoshte se një zemër e ndarë është varrmihëse e paqes. Në këtë aspekt besoj që qëndronte vlera thelbësore e vullnetarizmit sepse duke krijuar kushtet  për të bashkuar zemrat, krijon mundësinë për të për të fituar një ekuilibër të shëndetshëm”, u shpreh Rama. Fjala e plotë Ramës në 12-vjetorit të Lumturimit të Nënë Terezës

Ai vlerësoi veprën e Nënë Terezës si një mbartëse e vlerave më të mira të njeriut në shërbim të shoqërisë, ndërsa theksoi se pikërisht këto vlera duhet të përqafohen gjithmonë e më shumë nga shoqëria jonë. “Nëse i besojmë Nënë Terezës, mjaft të kujtojmë një fjalë të saj: 'Mos prisni një lider t'ju thotë se çfarë duhet të bëni, por bëni atë që mundeni person me person’. Ndoshta askush prej jush nuk do të përjetojë përvojën mistike dhe rrugëtimin unikal të Nënë Terezës dhe të motrave të saj, megjithatë çdonjëri prej jush, çdonjëri prej nesh kur është fjala për të qenë vullnetar për një kauzë të madhe apo të vogël, por në thelb çdo kauzë që i shërben qoftë edhe një njeriu të vetëm është e madhe sa vetë njerëzimi, jemi sidoqoftë të thirrur të mbartim përkushtimin dhe vetëmohimin që rrezaton në madhështi figura dhe rruga e Nënë Terezës”, tha Rama në fjalën e tij.

Kryeministri solli në vëmendje pamjet e Nënë Terezës ku ajo i përulet një fëmije dhe ato ku princesha Diana i përulet Nënë Terezës, për të treguar madhështinë e figurës së saj.

“Në këtë emër vlen si shembull të përmendet ajo çka 30 vjet më parë, sekretari I Kombeve të bashkuara  Peres de Kuelar i rezervoi në fjalën e tij Nënë terezës.” Ja gruaja më e fuqishme e kësaj toke, që kudo mikpritet me respekt dhe adhurim. Ajo është një njeri dhe në të njëjtën kohë Kombet e Bashkuara sepse në zemrën e saj u ka dhënë strehë të varfërve të çdo cepi të globit. Atë që përpiqen ta bëjnë çdo ditë kombet e bashkuara  mund ta bëjë edhe një zemër e vetme duke u përpjekur çdo ditë si të ishte kombet e bashkuara” , përfundoi fjalën e tij kryeminstri Edi Rama.

Klosi: Do hartojmë ligjin për vullnetarizmin

Gjatë aktivitetit të organizuar në Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë me temë “Nënë Tereza, Ambasadore e Paqes dhe Vullnetarizmit”, ministri Klosi  ka theksuar angazhimin e MMSR-së për të hartuar një ligj të posaçëm për Vullnetarizmin.

klosi

“Kur më mirë se sot, mund të bëjmë sadopak nga puna e kësaj gruaje të madhe, që e bëri të njohur vendin tonë në të gjithë botën, duke nisur së bashku punën për hartimin e ligjit të Vullnetarizmit? Kur më mirë se në këtë ditë të lumturuar, mund të fillojmë kontributin dhe angazhimin tonë qytetar duke promovuar dhe mbështetur më tej kulturën më të thjeshtë, atë të kontributit njerëzor dhe human?”, u shpreh ministri Klosi.

Sipas tij puna e vërtetë nuk do jetë thjesht bërja e një ligji, por krijimi i një debati të gjerë në opinionin publik për të nxitur vullnetarizmin si pjesë e vlerave të shoqërisë sonë, të cilin e promovoi më së miri Nënë Tereza me punën e saj të përditshme. “Vetëm angazhimi i të gjithë rrjetit të të rinjve vullnetarë do të mund ta shndërroj Vullnetarizmin në traditën shqiptare në pjesë të kulturës dhe shoqërisë, në angazhim qytetar dhe formim lidhjesh shoqërore”,  tha Klosi.

 
 
Ambasada amerikane në Tiranë, përkujton Nënë Terezën

Dita e Lumturimit të Nënë Terezës është përkujtuar edhe nga ambasada amerikane në Tiranë. 

Në kujtim të saj, ambasada ka postuar në faqen e saj zyrtare ne Facebook, një foto të humanistes Nënë Tereza, me postulatin e saj që karakterizonte këtë figurë madhore të kombit shqiptar.

teresa

“Jo të gjithë mund të bëjnë gjëra të mëdha, por ne mund të bëjmë gjëra të vogla me shumë dashuri”.
 

Berisha: Rama ia hoqi Tiranës shtatoren e Nënë Terezës.

Edhe ish kryeministri Sali Berisha ka kujtuar sot ditën e lumturimit të Nënë Terezës, duke postuar në faqen e tij në Facebook një foto me Nënë Terezën dhe bashkëshorten Liri Berisha.

berisha

Ndonëse ditë feste Berisha nuk humb rastin që të shigjetojë kryeministrin Rama.
 
Sipas Berishës, Rama ia hoqi Tiranës shtatoren e Nënë terezës, pasi ai ka në shpirt urrejtjen atërore ndaj saj. “Sot është dita e lumturimit të Nënë Terezës, nobelistes, shqiptares më të madhe të të gjitha kohërave, gruas më të shquar të shekullit të saj! Tiranës, Edi Rama i hoqi shtatoren e saj, sepse ai ka në shpirt urrejtjen atërore ndaj saj”, shkruan berisha në Facebook.
 
12 vjet nga lumturimi i Nënë Terezës

Humanistja  dhe misionarja me origjinë shqiptare  Nënë Tereza mbush sot 12 vjet nga lumturimi i saj. Anjeze Gonxhe Bojaxhiu e njohur në mbarë botën si Nënë Tereza e Kalkutës, emër të cilin e mori kur themeloi urdhrin “Misionarët e Dashurisë “ në vitin 1951 për t’u shërbyer të varfërve dhe të pashpresëve të Indisë, u lumturua më 19 tetor 2003 nga papa Gjon Pali i 2 në Vatikan.
 
Çdo 19 tetor, veçanërisht Shqipëria dhe India, kujtojnë përvjetorin e lumturimit të Nënës Terezë, Gonxhe Bojaxhiut, e cila nuk është vetëm festë liturgjike, por Festa Kombëtare e Saj.
 
Në vitin 1979, kur mori çmimin Nobel për Paqe, e gjithë bota mësoi se Nënë Tereza ishte shqiptare. Në çastin e marrjes së Çmimit Nobel, një nga klerikët që merrte pjesë në sallë e pyeti Nënë Terezën se nga ishte. Ajo deklaroi: “Kam lindur në Shkup, jam shkolluar në Londër, jetoj në Kalkutë dhe punoj për të gjithë njerëzit e varfër në Botë. Atdheu im është një vend i vogël me emrin Shqipëri”.

Nënë tereza gjithashtu është nderuar edhe me shumë ccmime të tjera. Në vitin 2003 aeroportit  të Tiranës, iu dha emir “ Nënë Tereze”, ndërsa në hyrje të aeroportit u inaugurua edhe busti i saj.
 
Nënë Tereza ka lindur në Shkup me 26 gusht 1910 në një familje kosovare dhe kur ishte 18 vjeçe u bë kandidate e Motrave të Loretos, të cilët kryenin misione humanitare në Indi. Gonxhja ishte fëmija i tretë i Kolë Bojaxhiut (Nikollë Bojaxhiu) me origjinë nga Mirdita dhe e Drane Bojaxhiut (mbiemri i vajzërisë Barnaj) nga Novo Sella e Gjakovës.
 
Ajo  vdiq ne 5 shtator 1997 ne Kalkuta të Indisë. Nënë Tereza prehet në selinë e Urdhrit të  misionarëve të bamirësisë në Kalkuta. 

Nënë Tereza udhëtoi për të ndihmuar dhe shërbyer të uriturve në Etiopi,viktimave të rrezatimit në Cernobill, dhe viktimave të tërmetit në Armeni. Në 1991, Nënë Tereza kthehet për here të parë në vendlindjen e saj dhe hapi shtëpinë e Vëllezërve Misionarë të Bamirësisë në Tiranë, Shqipëri. Deri më 1996, Nënë Tereza ishte duke punuar në 517 misione në më shumë se 100 vende. Gjatë viteve, Bamiresia e Misionareve të Nënë Terezës u zgjerua nga dymbëdhjetë në mijëra persona që u shërbejnë “me të varfërve nga të varfërit” në 450 qendra në mbarë botën. 
 
19 tetori, dita e lumturimit të Nënë Terezës është shpallur festë kombëtare në Shqipëri.


Redaksia Online
(u.s/shqiptarja.com)