Rama: Deri sot gjykata ka
qenë faltore e korrupsionit

Rama: Deri sot gjykata ka<br />qenë faltore e korrupsionit
TIRANE- Kryeministri Edi Rama në një intervistë për emisionin e “7 pa 5“, në VIZION+, tregoi për prioritetet e qeverisë së tij.
 
A e kanë këta drejtues të rinj përvojën apo….? Edhe këshilltarët janë të rinj në moshë, zoti Rama..?
Më duket se edhe ju që po bëni pyetjet jeni shumë të rinj në moshë. Mesa unë di, kur ju kanë dhënë përgjegjësinë të uleni në atë banak të mëngjesit s’është se keni pasur më shumë eksperiencë se sa të tjerë, që mund të kenë pasur më shumë eksperiencë se ju.
 
Lidhur me çështjen e ndarjes së mandatit të deputetit.... Kur do ndodhë kjo?
Do të fillojë së shpejti. Është çështje procedurash dhe është çështje e një organizimi të brendshëm, për të bërë të mundur që të mos ndihet për asnjë moment në Kuvend, mungesa e votave, sepse po të shikoni dhe Kodin Zgjedhor, ka disa afate dhe ka disa procedura për zëvendësimin e një deputeti me një tjetër.
 
A ndjeni një lloj presioni nga “senatorët” e PS...?
E vërteta është që ata të cilët ju iu referoheni si senatorë, janë pjesa më mbështetëse e ndryshimeve të ndodhura.
 
Nuk keni frikë se pas këtyre muajve të parë të mjaltit do keni dhe shumë të pakënaqur në rreshtat e partisë e militantëve....?
S’kam frikë nga asgjë, përveç se nga çfarë do të gjejmë përpara në kuptimin e shifrave të të dhënave të ekonomisë e të financave, në kuptimin e të papriturave që mund të na ndodhin dhe mund të na vënë në kushte emergjencash kombëtare.
 
Për të qenë më konkretë, cilat do të jenë sfidat e ekzekutivit “Rama” në këto 100 ditë të para, të paktën?
Zgjimi i një shteti tërësisht të përgjumur, me pjesë të tëra të trupit të tij që janë të paralizuara dhe me një pjesë shumë të madhe të trurit të vet që është jashtë funksionit.
 
Do të kemi një përgjigje pozitive? Për të hapur qoftë edhe derën e parë të atij labirinti në rrugën drejt Brukselit?
Për mua nuk është e rëndësishme data, për mua ka rëndësi që çdo ditë, Shqipëria të bëhet më evropiane.
 
Një detyrë e rëndësishme e lënë nga Brukseli është dhënia fund e kulturës së pandëshkueshmërisë në Shqipëri. Do të kemi diçka konkrete në këto 100 ditë që kemi para?
Ju e dini shumë mirë që kultura e pandëshkueshmërisë është një kulturë që i ka rrënjët sa tek një shtet, në tërësi, i kapur prej korrupsionit, tek një qeveri e paaftë për të luftuar sëmundjen që e ushqen vet korrupsionin. Tek një prokurori e cila, deri më sot, nuk është treguar në lartësinë e duhur përballë korrupsionit dhe tek një gjykatë që, deri më sot, më shumë ka qenë faltore e korrupsionit sesa ndëshkimore për korrupsionin. Nuk besoj se ka mendje të arsyeshme që të gjitha këto, t’i kërkojë të zgjidhen brenda 100 ditësh.
 
Duke qëndruar sërish tek Brukseli, duket se filozofia juaj qeverisëse synon më shumë modernizimin sesa ndëshkimin....?
Qeveria nuk është as prokurori, nuk është as gjykatë. Qeveria ka objektiv të vetin modernizmin dhe modernizimi në raport me korrupsionin, do të thotë ngushtim i hapësirave për korrupsion. Por, sigurisht që qeveria, teksa modernizon, nuk mund të bashkëjetojë me korrupsionin, përkundrazi, duhet që organizmi i saj ta jashtëqitë korrupsionin. Dhe është shumë e qartë që, përmes modernizimit, mekanizmat e bëjnë të mundur edhe këtë.
 
Keni 84 vota në Kuvend, a do t’i qëndroni premtimit per kujdes ndaj opozitës?
100 përqind! Nuk ka lidhje me votat.
 
Çfarë mendoni për një deputet që ndërron krahun politik ...?
Pyesni deputetin, unë nuk e kam ndërruar ndonjëherë krahun.
 
Para pak ditësh u bëtë me 84 vota, me mazhorancë absolute në Kuvend, për shkak të një deputeti i cili ndërroi krahun?
Në një moment të caktuar ne mund të kemi më shumë, por kjo nuk do të thotë që për këtë duhet të na pyesni ne. Duhet të pyesni ata që vendosin që të ndërrojnë krahun, apo të votojnë për një ligj, ose një tjetër, që lidhet me vullnetin e shumicës.
 
Kjo do të tregojë se ka negociata? Nard Ndoka do të kalojë me ju?
Ju siguroj që s’kam pasur kohë të merrem me çfarë flitet e çfarë përflitet, sepse jua thashë, zgjohem në mëngjes pas shumë pak orësh gjumë, me ndjesinë e kohës që ikën, ndërkohë që ka kaq shumë gjëra për të bërë.
 
Do të kishit bërë sërish të njëjtat premtime, shëndetësi falas, legalizime falas?
Premtimet e bëra, apo zotimet e marra, janë pjesë e një vizioni dhe bazohen në një program. Është vizioni për Shqipërinë që duam, për ky vizion nuk mund të kondicionohet nga gjendja financiare në një moment të caktuar. Gjendja financiare thjesht lëviz në kohë axhendën, por zotimet janë po ato, mbeten aty e ne do të luftojmë përditë për t’i realizuar.
 
A ka kontakte me aleatët e tjerë, përpos LSI...?
Duhet të pyesni ata. Unë kam qenë shumë i përqendruar në këtë periudhë fare të parë për të sistemuar disa aspekte të mekanizmit qeverisës, që nuk kanë të bëjnë me marrëveshjen me aleatët. Për të gjitha çfarë jemi marrë vesh, do vazhdojmë të merremi vesh.
 
18 deputetët e LSI, janë një mbështetje për ju apo është ajo çka ju keni paralajmëruar dikur, një rritje e LSI e zvogëlim i PS?
Nuk shikoj asnjë zvogëlim të PS. Përkundrazi! Kemi marrë rezultatin më të mirë historik në këto zgjedhje. Ashtu sikundër, nuk shikoj një trupë deputetësh të ndarë në PS e në LSI. Shikoj vetëm trupën e deputetëve të “Aleancës për Shqipërinë Evropiane.

Shkrimi u publikua sot (08.10.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Humbja në Liverpool, Ancelotti: Keni për ta parë, do kualifikohemi dhe do garojmë për trofeun

Humbja në Liverpool, Ancelotti: Keni për ta parë, do kualifikohemi dhe do garojmë për trofeun