Kryesocialisti Rama apo kryeministri i vendit ka pasur sfida të mëdha me ish kryesocialsitin e parë Fatos Nano, ndërsa në të kundërt Lulëzim Basha ka marrë vetëm qershinë mbi tortë. Kreu i PD-së Sali Berisha e kalonte edhe e katapultonte Bashën ku të ndihej sa më mirë dhe të merrte vlerësimet si një drejtues i zoti, duke sfiduar edhe njërëz me kontribute të vlerësuara brenda PD-së. Si të thuash ndryshe, Berisha e shihte Bashën si fëmijë të vogël, që sa herë qante i duhej t’i jepte gjoks. Ndryshe ndodh me sfidat e Ramës në PS.
EDI RAMA
Kryeministri i zgjedhur Edi Rama është hasur me vështirësi në karrierën e tij politike, ose më saktë ka shpenzuar energji për të goditur në shenjë. Nano i bëri një nder të madh Ramës.
E solli nga Parisi me detyrën e ministrit të Kulturës në prill të 1998. Pas këtij anagzhimi, Rama ja mori dorën shumë mirë politikës shqiptare dhe shumë shpejt diti ta përdori atë në favor të tij. Në vitin 2000, Edi Rama kandidoi për zgjedhjet lokale në Tiranë si i pavarur por i mbështetur nga PS-ja. Për mandatin e dytë si kryetar bashkie ai kandidoi nën siglën e PS-së.
Fitorja e tij ishte e sigurt. Ai kishte bërë një ndryshim të dukshëm në Tiranë dhe dora e tij u vu re menjëherë. Në 2003 mori inisiativën për të marrë anëtarësinë në PS dhe madje të konkurronte me vetë liderin historik Fatos Nano për postin e kryetarit të partisë. Antarësimi dhe kandidimi e afroi më shumë me strukturat e partisë por edhe me njerëzit potencial brenda saj. Në zgjedhjet e përgjithshme të mbajtura më 3 Korrik 2005 Partia Socialiste humbi zgjedhjet dhe shumicën në parlament. I vendosur në rolin e humbësit, Nano më 1 Shtator të 2005 dha dorëheqjen si kryetar i partisë, duke i hapur rrugën Edi Ramës të merrte këtë post. Sigurisht që Ramës nuk i ra “bingo” për të drejtuar PS-në, por arriti që të menaxhonte njerëzit brenda për ta votuar në shumicë, por sigurisht I dha pikë dhe kandidimi në vitin 2003. Kështu ai pati që në fillim mbështetjen e Gramoz Ruçit, me votim Rama mori shumicën e votave për të qenë kryetar i PS-së përballë kandidatit tjetër Rexhep Meidanit.
Që prej vitit 2005 dhe deri në vitin 2011 Rama mbante pozicionin e kryetarit të bashkisë dhe postin e kryetarit të PS-së. Pasi mori edhe partinë, marrëdhëniet mes Ramës dhe Nanos u zbehën deri në përlpasjen e dyfishtë që u bë në vitin 2007, ku fundit i marrëdhënieve të tyre u dukën dukshëm. Gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2007 në shtypin e huaj dhe atë shqiptar u botuan fotografi nudo të Edi Ramës në një nga plazhet e Francës.
Edi Rama në librin e tij të fundit “Kurbani” shkruan: "E kam një ide sesi është përzier në këtë histori një politikan shumë i interesuar për humbjen time në ato zgjedhje", duke lejuar të mendojë lexuesi por edhe të spekulojnë mediat se publikimi i këtyre fotove është bërë nga Fatos Nanos. Megjithatë kjo nuk ishte një goditje e rëndë për Ramën, ai fitoi në zgjedhjet vendore të 18 shkurtit 2007 dhe e mbajti edhe për një mandat tjetër postin e kryetarit të bashkisë. Kështu që marrëdhëniet e tyre filluan “të përkeqësoheshin aq shumë sa “e keqja” do i përgjigjej me “të keqen”.
Kështu kur Nano kërkoi të zgjidhej si president në 8 Korrik 2007 mbas mbarimit të mandatit të presidentit Moisiu, Rama nuk e mbështeti në mënyrë. Shumica e deputetëve të opozitës të drejtuar nga PS-ja nuk e përkrahën kandidaturën e tij dhe bojkotuan zgjedhjet. Vetëm nëpërmjet raundit të tretë më 20 Korrik, Topi u zgjodh president. Po me të njëjtën histori Nano dhe Rama u përballën sërish në vitin 2012, kur Nano shpalli publikisht kandidaturën për President të Republikës, por që asnjeherë nuk mori formën zyrtare, pasi nuk u mbështet nga asnjë forcë politike, madje as nga vetë PS-ja.
Dhe kështu Rama vazhdoi ta menaxhonte mësë miri në funksion të tij, PS-në, duke nxjerrë nga rreshti edhe zërat e gjallë kundër vendimeve dhe sjelljeve të tij, siç ishte Kastriot Islami dhe Arben Malaj. Me zgjedhjet e 23 qershorit, Rama vulosi ëndrrën e tij për të qeverisur vendin, duke qeverisur me njërëzit e zgjedhur edhe duke shmangur kundërshtarët nga lista e deputetëve. I gjithë ky begraund të jep mesazhin e qartë që Rama ka ecur me këmbët e veta, i mbështetur për një kohë të shkurtër nga ish lideri historik i PS-së. Madje mes Ramës dhe Nanos ka pasur shpesh herë përplasje, madje edhe në distancë. Nano ka kritikuar Ramën për stilin autoritar të drejtimit të partisë dhe praktikat përjashtuese të anëtarëve themelues dhe me kontribut të madh.
LULZIM BASHA
Komplet ndryshe është marrëdhënia mes Bashës dhe Berishës, dhe rruga e Bashës drejt marrjes së drejtimit të PD-së. Basha u fut në PD në janar të vitit 2005 si Koordinator i Komitetit të Orientimit të Politikave.
Shumë shpejt, brenda këtij viti (maj 2005) ai u bë anëtar i kryesisë së partisë. Dhe në zgjedhjet parlamentare ai fiton të drejtën për të qenë ligjvënës në kuvend. Si të mos mjaftonte brenda një viti gjithë këto vlerësime për një njëri të sapoardhur, Berisha e bëri edhe minister të Transportit, ku ai shërbeu për një periudhë prej dy vjetësh, derisa ai u emërua Ministër i Jashtëm në 2007-ën. Brenda dy viteve u njëllos figura e Lulëzim Bashës.
Prokurori i përgjithshëm Theodhori Sollaku i kërkoi parlamentit të heqë imunitetin e Bashës në mënyrë që ai mund të fillonte një hetim me akuzën për korrupsion për dhënien e kontratës së ndërtimit të autostradës Durrës-Kukës një kompanie të përbashkët amerikano-turke kur ai ishte në krye të ministrisë së Transporteve. Brenda një mandati, Basha mbajti edhe postin e ministrit të Jashtëm, ku mori vlerësime për futjen e Shqipërisë në NATO. Portofoli i ministrit për Bashën ka qenë i garantuar në çdo mandat të marrë nga PD-ja.
Me zgjedhjet e përgjithshme në vitin 2009 Basha mandatohet sërish si deputet, kësaj here i Elbasanit, dhe sërish ministër, por i Brendshem. Berisha e promovoi shumë mirë Bashën jo vetëm në elektorat por edhe në strukturat e PD-së. Ndaj në zgjedhjet vendore të 2011-ës ai vendosi të nxjerrë kandidaturën e Bashës përballë Ramës. U duk që fitoi Rama. Por procesi skandaloz i numërimit të votive në KQZ nxorrën Bashën fitues. Edhe për këtë fitore Berisha u stërmundua shumë, duke përdor institucionet e drejtësisë për të nxjerrë Bashën fitues. Ja, edhe kryebashkiak Basha u bë me forcat e kryetarit të PD-së. Të dy u bënë si dy pika uji të pandashme.
Madje edhe në zgjedhjet 23 qershorit, Basha i qëndroi prapa Berisha, edhe pse kur u bë qytetari i parë u zotua se nuk do të merrej me punët e partisë. Por ndodhi e kundërta. Ai përveçse u përfshi në fushatën e Berishës, shpalli kandidaturën për të qenë kryetar i PD-së, pasi Berisha dha dorëheqje pas humbjes së thellë në zgjedhjet që kaluam. I vendosur që në start që do të ishte fitues përballë Sokol Olldashit, Basha fitoi thellë duke marrë timonin e PD-së në dorë. Basha vërtetë është zyrtarisht kreu i PD-së, por vendimet vështirë është ti marrë vetë. Me shumë gjasa Berisha është de fakto kryetar i PD, ndërsa de juro Basha. Lideri i ri i PD-së ndihet ende larg drejtimit të PD për aq kohë sa është edhe jashtë parlamentit.
Prezenca e Berishës në Kuvend e bën sërish më të dobët përballë Ramës që është në Parlament. Sërish përballja do të jetë Rama- Berisha. Në përfundim të gjithë kësaj analize përfundimi është se Rama është një lider i vërtetë që ka ecur vet duke përdorur njerëzit e duhur për të shkuar në finale. Ndërsa Basha është ende fëmija i vogël në duart e Berishës, që për çdo hap duhet të kapet për të bëra hapat e sigurta.
Shkrimi u botua sot në Shqiptarja.com, versioni print, dt.03.08.2013
Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)