Delegacioni shqiptar, i kryesuar nga kryeministri Rama ka mbërritur në Bruksel për Konferencën Ndërqeveritare ku për mediat, ai theksoi rëndësinë e këtij momenti për Shqipërinë. Delegacioni përbëhej nga kryenegociatorja Majlinda Dhuka, ministri i Jashtëm Ferit Hoxha, ministri i Brendshëm Besfort Lamallari dhe ministri i Drejtësisë, Toni Gogu.

“Është një moment shumë shumë i rëndësishëm në rrugëtimin tonë drejt anëtarësimit dhe është një moment për të cilin kemi punuar shumë fort qysh prej një kohe të gjatë. Dhe është një moment ku gjysma e punës nëse duhet ta them kështu e kapitujve të hapur do të mbyllet dhe gjysma tjetër e mbylljes do të hapet”, tha Rama.

I pyetur se çfarë mendon për mungesën e vetos në disa çështje nga shtetet anëtare, Rama tha se e mbështet, por lidhet me unionin politik dhe anëtarësimin me të drejta të plota.

“Unë në fakt i kam përmendur, kam qenë kampion i qasjeve të ndryshme në të kaluarën sepse kam mësuar se kapaciteti për të vazhduar zgjerimin, siç ka ndodhur më përpara nuk është aty, në kryeqytetet e rëndësishme dhe është shumë e qartë nga ana tjetër që nëqoftëse bëhet si duhet është gjëja e duhur për t'u bërë. Pra e mbështes, por duhet të diskutohet, duhet konceptuar ashtu siç duhet sepse nuk ka të bëjë me një anëtarësim të lehtë. Ka të bëjë së pari me një union real politik dhe së dyti me një rrugëtim të anëtarësimit të plotë me të drejta të plota bashkë me reformat e nevojshme të Bashkimit Europian”, tha kryeministri.

Më pas, ai tha se si një nga vendet më pro-europiane, Shqipëria është e gatshme për të vijuar më tej.

“Dëgjoni, Shqipëria është një vend që gjithmonë ka qenë 100% në përputhje me politikën e jashtme të BE-së, kështu që nuk kemi ndjerë ndonjë kënaqësi të përfytyrojmë të kemi veto, duke qenë vendi më pro Bashkimit Evropian e më pro atlantik në Evropë dhe kur them vendi më pro BE-së flas për barometrin e BE-së, nuk flas për atë që mendojmë ne.  Ne jemi fanatikë të BE-së, kështu që fanatikët e BE-së nuk mund të vënë veto për vendimet e BE-së”, tha kryeministri.

Pasi vendi kaloi me sukses objektivat e ndërmjetme për grupin e “Themeloreve”, ky takim i radhës në Bruksel do të shërbejë për të përcaktuar piketat përmbyllëse për këtë grupkapitull ku përfshihen Kapitulli 23 – Gjyqësori dhe të Drejtat Themelore, si dhe Kapitulli 24 – Drejtësia, Liria dhe Siguria, funksionimi i institucioneve demokratike, reforma në administratën publike dhe kriteret ekonomike.

Gjetja e konsensusit mes vendeve anëtare për t’i dhënë më në fund dritën jeshile hapit tjetër të rëndësishëm të integrimit ka ardhur me një ashpërsim të termave në dokumentin final, të aprovuar javën e shkuar nga përfaqësuesit e vendeve anëtare. Dokumenti i Këshillit të BE ka gjuhë më kushtëzuese se ai i Komisionit, duke vënë theksin te rezultatet konkrete për sundimin e ligjit dhe reformat. SPAK dhe presionet politike ndaj tij dalin në plan të parë, ndërsa korrupsioni cilësohet si “shqetësim thelbësor”.

Më herët, opozita kishte deklaruar se procesi i anëtarësimit ishte bllokuar duke renditur si arsye kryesore mosdorëzimin e Belinda Ballukut në duart e SPAK duke votuar pro imunitetit të saj në Kuvend.

Lajm në përditësim...

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:00
Konferenca Ndërqeveritare, Rama për propozimin e Merz: Jam i kënaqur, është me interes! Jemi talebanët e Europës, do të bëjmë gjithçka për t’u anëtarësuar

1779820883_edirama.jpg

Lidhur me propozimin e Merz për anëtarësimin gradual të vendeve kandidate në BE, Rama tha se Europa e bashkuar është më mirë për të gjithë. Rama tha se kandidatët s’duhet të ndahen, ndërsa tha se Shqipëria është “talebane e Europës” duke rikonfirmuar qëndrimin për t’u anëtarësuar.

“Është shumë me interes dhe e mirëpritur vëmendja e veçantë që kancelari gjerman i kushton zgjerimit dhe ne e vlerësojmë shumë këtë. Ka qenë një temë që për disa ishte tabu dhe për ne nuk ishte tabu. Unë jam i kënaqur me këtë sepse u bënë disa vite që mendoj se duhet gjetur një mënyrë krjuese sepse jemi në një botë krejt të re. Europa ka një luftë me të cilën duhet të merret në tokën e saj dhe shumë sfida me të cilat duhet të përballet. Një Europë e bashkuar është më mirë për të gjithë. As qeveria e Shqipërisë, as e Ballkanit Perëndimor, por vetë Parlamenti Europian ka nxjerrë një raport që mbajtja jonë jashtë është më e kushtueshme sesa mbajtja brenda. Letra jonë u është drejtuar vendeve anëtare. Duhet ta shohim gjerësisht, pa nevojën për të provokuar ndokënd, kandidatët nuk duhet të ndahen. E dyta, po Moldavia? Moldavia u ka mbijeutar dy agresioneve ruse në dy fushata shumë të vështira e në dukje e brishtë, por një grua shumë e fortë i ka drejtuar me shumë guxim, me vullnet mjaft të fortë europian duke u premtuar moldavëve BE. Ne jemi talebanët e BE-së. Nuk do t’ hedhim sytë askund. Çfarëdo të duhet, do ta bëjmë për të hyrë brenda. Ka pika të dobëta që duhen marrë në konsideratë”, tha Rama.

Ora 20:53
Komisionerja Marta Kos: Mbështesim vizionin e Shqipërisë për mbylljen e negociatave në 2027-ën, pastaj do i ngjitem malit të Korabit bashkë me Ramën

1779820452_martakos.jpg

Komisionerja europiane për Zgjerim, Marta Kos, është shprehur se mbështet fuqishëm vizionin e Shqipërisë për mbylljen e negociatave deri në vitin 2027.

Nëse ky objektiv do të arrihet, Marta Kos premtoi se do të ngjisë malin e Korabit bashkë me kryeministrin Rama.

“Ne mblidhemi këtu sa herë që flasim për kapitujt. Por gjithçka që bëjmë e bëjmë për njerëzit. Kjo mbështetje kaq e lartë në vendin tuaj, është udhëheqja më e mirë që mund të ketë vendi. Shqipëria po shfrytëzon këtë moment historik ku zgjerimi është edhe njëherë përparësi e BE-së. Nëse dikush e kupton se kjo derë mundësie nuk mund të jetë e hapur gjithmonë, ky është vendi juaj. Dhe duke kuptuar këtë ju mund të jeni të suksesshëm. Kur flasim për datën ju thashë që mbështesim vizionin e Shqipërisë për mbylljen e negociatave deri në vitin 2027 dhe pastaj do i ngjitem Korabit bashkë me kryeministrin. Kjo është e vetmja piketë mbyllëse që kam pasur sot. Por mund t’i ngjitemi edhe kullës Eifel”, tha mes të tjerash Kos.

Ora 20:47
Rama në Konferencën Ndërqeveritare: Ndihemi të inkurajuar, është vetëm fillimi i fundit

 

Kryeministri Rama tha se miratimi i qëndrimit të përbashkët të vendeve anëtare për IBAR-in është vetëm fillimi i fundit.

“Ndihemi të inkurajuar, por me më shumë përgjegjësi sepse e dimë që s’është fundi, është vetëm fillimi i fundit. E dimë që duhet të bëjmë shumë më tepër punë, por t’u themi të gjithë shqiptarëve, fjala IBAR u bë edhe më trendi sesa fjala botërore”, tha Rama.

Ora 20:44
‘Agapi mou’ e ‘Yubim te’, Rama e nis me batuta fjalimin në Konferencën Ndërqeveritare, Kos ia kthen me puthje (VIDEO)

 

Me batuta e nisi kryeministri Rama fjalën e tij në Konferencën Ndërqeveritare ku iu drejtua Zëvendësministres për Çështjet Europiane të Qipros, Marilena Raouna, në greqisht, kurse Komisioneres së Zgjerimit, Marta Kos në një variant “jo saktësisht slloven.” Në këmbim, Rama mori një puthje nga Kos.

“E dashur Marilena, agapi mou! Faleminderit shumë, e dashur Marta! Nuk më do mua? Po mendoja të thoja “Yubim te”, “Yubim te” nuk është saktësisht varianti slloven, por edhe mund të jetë. Duhet të shihni e të mësoni nga dashuria e Shqipërisë për BE, dashuria e pashtershme, pa kushte, dashuri që sjell vuajtje ndonjëherë, por ja ku jemi, por sigurisht jemi shumë të lumtur”, tha Rama.

Ora 20:42
Konferenca Ndërqeveritare me BE-në në Bruksel/ Marta Kos: Shqipëria ka bërë hapa të mëdha në përmbushjen e kritereve për t’u anëtarësuar në Unionin Europian

 

Komisionerja Europiane për Zgjerimin, Marta Kos, është shprehur se Shqipëria ka bërë hapa të suksesshme në përmbushjen e kritereve për anëtarësim në BE.

Komentet Kos i bëri gjatë fjalës së saj në Konferencën e 8-të Ndërqeveritare Shqipëri-BE, ku tha se ky është një moment që çel një fazë të re të bisedimeve për zgjerimin dhe bën të mundur ecjen para të Shqipërisë në procesin e negociatave.

“Puna juaj e 10 viteve ka qenë e suksesshme. Janë hedhur hapa në mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Ngritja e institucioneve të reja të drejtësisë, ka frenuar ndërhyrjen e politikës në sistemin gjyqësor. SPAK ka vërtetuar se mund të japë rezultate dhe të bëhet institucioni më i besuar në Shqipëri. Ky është një themel i fortë për të punuar mbi të. Sot ne po vendosim me vetëbesim edhe termat përfundimtarë të rrugëtimit në BE-së.

Arritja e sotme çel një fazë të re të bisedimeve të zgjerimit dhe bën të mundur për Shqipërinë të ecë përpara me mbylljen e kapitujve. Ky është momenti për të kremtuar dhe intensifikuar punën. Ne vijojmë të mbështesim punën e Shqipërisë për mbylljen e negociatave në vitin 2027. Pritet progres i mëtejshëm. Mbëtetemi te Shqipëria për të konsoliduar reformat dhe kjo duhet të përfshijë të gjitha forcat politike dhe shoqërinë civile në vend.

Është koha të përmbushim pritshmëritë e shqiptarëve. Më shumë se 90 % e shqiptarëve mbështesin anëtarësimin në BE. Kremtoni arritjen dhe le t’i kthehemi menjëherë punës. Prej jush sa më shumë kapituj të mbyllen në rrugëtimin e anëtarësimit të Shqipërisë, aq më i suksesshëm do të jetë edhe bashkëpunimi me BE-në”, tha mes të tjerash Marta Kos.

Ora 20:32
Konferenca Ndërqeveritare, zv/ministrja e Qipros: Fillimi i një faze të re edhe më sfiduese, gur kilometrik për të ecur përpara

Zëvendësministrja për Çështjet Europiane të Qipros, Marilena Raouna përgëzoi punën e Shqipërisë në procesin e anëtarësimit duke thënë se ka shënuar një hap të madh. Raouna tha se tashmë nis një fazë e re, edhe më sfiduese.

“Gjatë presidencs së Qipros Këshilli ka vlerësuar përparimin e Shqipërisë. Konferenca doli në përfundimin që Shqipëria ka plotësuar me sukses grupkapitullin e Themeloreve. Kjo është një arritje e rëndësishme. Ky gur kilometrik e lejon Shqipërinë të ecë përpara në procesin e anëtarësimit dhe të mbyllim provizorisht kapitujt. Zgjerimi është strategjik për presidencën e Qipros. Ne besojmë thellësisht te zgjerimi dhe jemi të kënaqur që procesi i anëtarësimit të Shqipërisë po ecën përpara në mënyrë vendimtare, me vlerësim e kushtëzim rigororz dhe të drejtë. Do të doja të përgëzoja qeverinë shqiptare për përkushtimin dhe vendosmërinë e tyre për të çuar përpara reforma të vështira. E dimë që procesi i anëtarësimit është një rrugëtim i mundimshëm, por që ia vlen. Konferenca e sotme shënon fillimin e një faze të re edhe më sfiduese. Progresi nuk matet vetëm me miratimin e reformave, por me zbatimin e tyre efektiv, një bilanc të konsoliduar, rezultate të qëndrueshme dhe të pakthyeshme. BE pret me padurim për të vazhduar këtë vrull reformash që e ka sjellë Shqipërinë këtu sot. Komisioni Europian mbetet i përkushtuar të mbështesë Shqipërinë dhe presidenca e Qipros do ta mbështesë”, tha Raouna.

Ora 19:45
Konferenca e 8-të Ndërqeveritare Shqipëri-BE, kryeministri Rama takim në Bruksel me Komisioneren Marta Kos dhe zv.ministren e Qipros

 

Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim në Bruksel me Zëvendësministren për Çështjet Europiane e Qipros, Marilena Raouna dhe Komisioneren Europiane për Zgjerimin, Marta Kos.

Takimi është zhvilluar para nisjes së Konferencës së 8-të Ndërqeveritare Shqipëri-BE, në kuadër të procesit të negociatave të anëtarësimit.

Ora 18:48
Rama në Bruksel për Konferencën e 8-të Ndërqeveritare Shqipëri-BE, pritet në takim nga kryeministri i Belgjikës (VIDEO)

 

Kryeministri Edi Rama është pritur sot në një takim në Bruksel nga kryeministri i Mbretërisë së Belgjikës, Bart De Wever.

Rama ndodhet në Bruksel sëbashku me një ekip negociator, pasi do të marrë pjesë në Konferencën e 8-të Ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian, për procesin e negociatave të anëtarësimit.

Konferenca e 8-të konsiderohet një moment i rëndësishëm në fazën aktuale të negociatave, pasi fokusohet në përmbylljen e kushteve të ndërmjetme që përcaktojnë ritmin e mëtejshëm të procesit të integrimit evropian të Shqipërisë.