TIRANË, 30 Shtator /ATSH- I. Vata/- Kryeministri Edi Rama ka ripërsëritur qëndrimin e tij për të pastruar qytetin nga ndërtimet pa leje që kanë zënë hapësirat publike, ndërkohë që aksioni i INUK vazhdon edhe sot në Tiranë.
Kryeministri Rama nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook pohoi sot se "keqqeverisja e djeshme rrënoi vendin për qëllime fitimi në kurriz të qytetarëve".
"Do vijojë papushim çlirimi nga çibanët e keqqeverisjes që rrënoi vendin për qëllime fitimi në kurriz të qytetarëve," shkruan Rama.
Inspektorati Ndërtimor Urbanistik Kombëtar ka nisur që ditën e hënë aksionin në kryeqytet për prishjen e rreth 600 objekteve të ndërtuara pa leje në rrugët e Tiranës dhe paralajmëron se aksioni do të vijojë deri në çlirimin e plotë të hapësirave publike në të gjitha rrugët e kryeqytetit. Kryeministri Rama e ilustron me foto aksionin e INUK që vazhdon punën për pastrimin e rrugëve të kryeqytetit./m.m/