Në Komisionin e Ligjeve, PS ka dhënë konsensusin për miratimin e projektligjit për ngritjen e Gjykatës Administrative, ndërkohë ka dhe një vullnet të shprehur për ta votuar edhe në Kuvend. Pse tani e jo dy vjet më parë votimi i këtij projektligji?
Jo. E vërteta është që, në momentin që ky ligj hyri në diskutim, nuk ishin kushtet për të bërë një diskutim konstruktiv dhe për më tepër bëhej fjalë për një projekt, i cili duhej shtjelluar mirë në një proces gjithëpërfshirës që ne praktikisht kemi marrë përsipër që ta bëjmë të mundur.
Tani që ju thoni se janë pjekur kushtet, është djegur fondi prej 16 milionë dollarësh që USAID nëpërmjet projektit “Sfida e Mijëvjeçarit” i kishte akorduar qeverisë shqiptare për ngritjen e kësaj gjykate. A ndiheni në një farë mënyre përgjegjës që tani këtë faturë do t’ia faturoni taksapaguesve shqiptarë?
Unë nuk besoj se gjërat janë pikërisht kështu dhe për më tepër është shumë e rëndësishme, që askush të mos harrojë se procesi i integrimit e marrja e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë, është një proces e një hap kaq i rëndësishëm përpara, sa nuk mund të lidhet thjeshtë me çka ne miratojmë në letër, por lidhet me çka në realitetin e gjërave inplementohet.
Është thjeshtë koincidencë konsensusi që do të jepni ju për Gjykatën Administrative, apo lidhet me vizitën tuaj të afërt në SHBA? Ka shumë zëra që thonë se kjo po bëhet thjesht për disa foto me zyrtarët e lartë të SHBA...?
Kjo s’ka asnjë lidhje. Vizita ime në Uashington është planifikuar kohë më parë, ndërkohë që Gjykata Administrative është futur në rendin e ditës së Komisionit të Ligjeve vetëm pak ditë më parë. Kështu që është pjesë e një procesi të dakordësuar më parë me partnerët europianë.
Tentuat të bllokoni si grup parlamentar miratimin e Kodit Penal në Kuvend, vota ishte surprizë nga ana e grupit të PS, duke pasur parasysh qëndrimin që u mbajt nga grupi në komisionin e Ligjeve. Ishte vendim i minutës së fundit ai për votimin e Kodit Penal?
Diskutimi në këtë komision ishte një diskutim real, i vërtetë dhe jo një diskutim fasadë apo një farsë. Ngecën në një pikë që për ne ishte shumë e rëndësishme, luftuam deri në minutën e fundit që ajo të bëhej pjesë e konsensusit e në momentin e fundit kur pala tjetër refuzoi midis rrëzimit të të gjithë ligjit dhe pajtimit, me faktin se në atë pikë ne s’arritëm dot të merrnin konsensusin, ne zgjodhëm të dytën, sepse ishte më e rëndësishme që të kalohej Kodi Penal sesa të futeshim pastaj në një proces tejet të ngatërruar. Të gjitha gjërat që lidhen me marrjen e statusit të vendit kandidat për shkak të asaj pike që ishte e rëndësishme dhe mbetet e rëndësishme.
Vitin e kaluar në progres-raport u vlerësua se shkak kryesor që u refuzua statusi ishte mungesa e vullnetit politik e në mënyrë të veçantë bojkoti i opozitës. Pranon opozita përgjegjësitë e saj për këtë refuzim?
Unë nuk besoj se arrijmë tek e vërteta, nëse nxjerrim nga konteksti një element të një raporti që është i gjatë dhe që është shteruar lidhur me arsyet pse Shqipëria nuk e mori statusin e vendit kandidat. Bojkoti ishte një pikë, e cila, sigurisht, përbënte një problem për këndvështrimin e Komisionit Europian, por ama të mos harrojmë se janë dhjetëra e dhjetëra pika të tjera, të cilat janë tejet problematike për Shqipërinë dhe kanë të bëjnë me qeverisjen, me funksionin e institucioneve dhe me radhë, të cilat nuk kanë të bëjnë me opozitën.
Vetëm 4 muaj na ndajnë nga zgjedhjet presidenciale. Ju keni kërkuar një president konsensual. A ka PS një kandidat të saj, përveç Fatos Nanos, që ka shfaqur ambicien e tij për president?
Fatos Nano nuk është kandidat i PS-së, është një figurë politike, e cila ka shfaqur ambicien për të qenë një kandidat mbi palët. Është një figurë politike që ka shpallur një ambicie, por nuk është kandidat i PS-së.
Nuk do ta mbështesni ambicien e tij?
Nuk thashë këtë, thashë që ai ka shpallur një ambicie si një figurë mbi palët. Ka kohë që është distancuar nga PS, ka kohë që nuk e përfaqëson PS, në kërkim të një profili që ai ka zgjedhur dhe tentuar ta mishërojë. Sesa e ka mishëruar kjo pastaj është çështje e gjykimit të palëve, sot s’jemi në ditën e gjykimit.
Pati shumë pakënaqësi vendimi juaj, z.Rama, për të bërë një rikonfigurim të anëtarëve të kryesisë të deleguar nëpër qarqe?
Së pari, kjo nuk është e vërtetë. Së dyti, në rast se ju doni të dini më shumë dhe doni të kontribuoni që kjo të bëhet më mirë, unë përgjigjen e kam standarde për të gjithë, merrni kartën e anëtarësisë së PS e bëhuni pjesë e familjes politike, në të kundërt pastaj ky mbetet një kuriozitet normal për profesionin tuaj, por që nuk përbën asnjë arsye që unë të humbas kohën time dhe të telespektatorëve tuaj për t’u marrë me këtë çështje.
Ka dhënë z.Braçe dorëheqjen nga Kryesia, për shkak të këtyre pakënaqësive?
Unë e dhashë përgjigjen time, por përsëri unë them se kjo është e pavërtetë.
Po afrojnë zgjedhjet e 2013-tës, nëse do të ketë sërish një humbje dhe PS do të jetë sërish në opozitë, do jepni dorëheqjen si kryetar i kësaj force politike?
Nëse-ja është një fjalë, për të cilën ne kemi një fjalë tjetër pastaj, por unë jam i bindur se tashmë është e pamundur që qeveria dhe kryeministri të marrin një mandat të tretë për 1001 arsyet që lidhen me gjendjen e Shqipërisë, atë çka jetojnë sot familjet shqiptare, për shqiptarët ka kohë që ka ardhur koha e ndryshimit e koha për ndryshim ka ardhur si një kambanë e fortë që do të zgjojë dhe shumëkënd nga ata që deri dje kanë menduar se mund të qëndrohet dhe jashtë këtij procesi, dhe gjërat mund të shkojnë mirë.
(sg/shqiptarja.com)