Rama: Fatura e dëmeve nga tërmeti 1 mld Euro! Javën tjetër do të takoj Merkelin (VIDEO)

Kryeministri Edi Rama deklaroi për herë të parë zyrtarisht se fatura e dëmeve nga tërmeti llogaritet rreth një miliard Euro. Konferenca e Donatorëve është shpresa e madhe për të siguruar një shumë sa më të madhe për rindërtimin. Megjithatë, Rama pas takimeve në Itali me homologun Conte dhe ministrin e Jashtëm Di Maio u shpreh se javën tjetër do të takohet edhe me kancelaren gjermane Angela Merkel që konferenca të jetë e suksesshme. Kreu i qeverisë gjithashtu shtoi se pavarësisht si do të jetë rezultati nga konferenca e 17 shkurtit, qeveria pas asaj që do të ndodhë në Bruksel në mes të muajit të kaluar do të ketë lëvizje të tjera me qëllim rindërtimin.

"Përshëndetje nga Roma, ku kemi kryer dy takime të rëndësishme, me Kryeministrin dhe ministrin e Jashtëm në funksion të Rindërtimit, në vigjilje të Konferencës së Donatorëve për Shqipërinë, e cila do të mbahet në 17 shkurt në Bruksel, nën kujdesin e Presidentes së Komisionit Europian, Ursula Von Der Leyen.

I kam falenderuar natyrisht, Kryeministrin Conte dhe ministrin e Jashtëm Di Maio, për ndihmën e paçmuar të Italisë mike, qysh në orët e para pas tërmetit shkatërrues të 26 nëntorit. I kam informuar për punën që kemi bërë me planet e rindërtimit, si edhe me raportin e dëmeve, i cili pritet të përfundojë në ditët në vijim, në bashkëpunim me Bashkimin Europian dhe Kombet e Bashkuara. Shifra përfundimtare nuk ka dalë ende, por të dhënat e konsiderueshme që  janë mbledhur deri tani na japin një shumë që në fund do të rrotullohet rreth miliardit në euro, pak më shumë, pak më pak.

Ne do të bëjmë çmos, edhe me ndihmën e miqve të mëdhenj të Shqipërisë, ku Italia është pa asnjë dyshim ndër më të afërtit, që Konferenca e Donatorëve të jetë një sukses. Ndërkohë që e kemi shumë të qartë që për të përmbushur të gjithë nevojën e jashtëzakonshme, nuk do të mjaftojë, por jemi të mirëpërgatitur, për të vijuar pas Konferencës edhe disa me veprime të tjera kurajoze në aspektin financiar, duke përfituar nga qëndrueshmëria e lartë makroekonomike që kemi garantuar në këto vite reformash, si edhe duke kombinuar disa skema financimi për Rindërtimin, gjithnjë pa ndërprerë, sepse kjo është ambicia dhe pa reduktuar programe të tjera të investimeve, zhvillimit e të mbrojtjes sociale gjithashtu.

Jam shumë mirënjohës dhe realisht i inkurajuar nga vëmendja e veçantë dhe gatishmëria e plotë që kam gjetur qoftë nga Kryeministri, qoftë nga ministri i Jashtëm, ndërkohë që do të vijojmë me takimin me Kancelaren Merkel në fillimjavën e ardhshme e më  tutje, edhe me disa kontakte kyçe të nivelit të lartë në mënyrë që Konferenca të jetë një sukses.

Ju informoj po ashtu se planet e rindërtimit po ecin shpejt brenda kalendarit të parashikuar, për të mundësuar fillimin e ngritjes së banesave të para individuale në pranverë dhe përfunduar me shtëpitë në zonën rurale, brenda vitit 2020. Po punohet edhe me planet e zonave të rindërtimit në qytetet e prekura, brenda perimetrit, ku ndërhyrjet do të jenë masive dhe procesi i projektimit natyrshëm pak më i gjatë. Por jemi brenda afateve të përcaktuara dhe ndërkohë është e qartë për të gjithë dhe dua ta ritheksoj se do të vijojmë t’u paguajmë deri ditën e fundit qeranë e shtëpisë ku janë sistemuar njerëzit e prekur, deri kur t’i kthejmë në apartamentet e reja.

Gjithashtu jemi brenda afateve edhe me kalendarin ambicioz të rindërtimit të shkollave në gjithë zonën e prekur, si edhe të spitalit të Laçit, sëbashku me 5 qendra shëndetësore që duhen ndërtuar nga e para.  E di shumë mirë që për njerëzit e prekur çdo ditë është shumë e gjatë se është një pritje e lodhshëm, por ju lutem të gjithëve të mirëkuptojnë nevojën për durim. Durim dhe besim të plotë se askush nuk do të mbetet vetëm" deklaroi ai.


Lajmi kryesor:

'Fatura e tërmetit 1 mld Euro'! Rama nga Italia: Javën tjetër takoj Merkelin! Di Maio: Do gjejmë zgjidhje tek Konferenca e Donatorëve


  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Pesë pyetje për 2025-ën

Pesë pyetje për 2025-ën