Kryeministri Edi Rama ka ftuar publikisht studentët protestues për dialog me qeverinë. Në rrjetin social “Facebook”, Rama shkruan se nesër në orën 11:00 do të zhvillojë një bashkëbisedim live me studentët, me qëllim diskutimin e kërkesave të tyre, të cilat artikulohen prej 6 ditësh në protestat e zhvilluara para Ministrisë së Arsimit, por edhe në qytete të tjera. Studentët kanë paraqitur tetë kërkesa në adresë të qeverisë dhe vazhdimësia e protestave, sipas tyre, do të varet nga lëvizja e qeverisë.  

Postimi i Ramës në Facebook

Kjo është thirrja e dytë e Ramës drejtuar studentëve, pasi edhe ditën e dytë të protestës së tyre i ftoi të negocionin, por studentët refuzuan. Pas apelit të kreut të qeverisë, ka ardhur edhe reagimi nga protesta përpara Ministrisë së Arsimit. Ata janë shprehur se nuk duan as negociata dhe as dialog me qeverinë, duke i lënë si detyrë dhe kusht plotësimin e 8 kërkesave (Lexo këtu). Në një reagim të dytë më pas, kryeministri sqaroi se nuk kërkon të negociojë me protestuesit, por të dialogojë me ta (Lexo këtu). Kujtojmë se ditën e martë, studentët kanë paralajmëruar një protestë edhe më masive, të cilës do t’i bashkohen studentë nga të gjitha rrethet.


Lajmi kryesor:

Incident në protestë, një grup studentësh i heqin megafonin pedagogut/ Zbardhet letra me kërkesat e reja drejtuar Ramës