Kryeministri Edi Rama zhvilloi këtë të premte një takim me përfaqësues të sipërmarrjes dhe sistemit bankar për të promovuar dhe diskutuar ecurinë e programit qeveritar “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde”.
Gjatë fjalës së tij, Rama u ndal te sektori i fasonerisë, duke theksuar se modeli i bazuar te fuqia e lirë punëtore i përket së shkuarës.
“Koha kur kishte krah të lirë pune ka vdekur dhe sa më shumë të bashkëjetoni me iluzionin e ringjalljes së saj, aq më shumë do të mbeteni pas”, u shpreh kryeministri.
Rama komentoi edhe debatet për forcimin e lekut, duke hedhur poshtë pretendimet se ky fenomen lidhet me paratë e narkotrafikut.
“Duke pasur në mendje edhe ekonomistët popullorë që forcimin e lekut e lidhin me narkoregjimin, një banalitet absolut. Forcimi i lekut është sukses i ekonomisë shqiptare, një nga treguesit më kokëfortë të suksesit tonë dhe nuk ka të bëjë fare me atë shpjegimin e atyre që i thonë vetes analistë e nuk dinë çfarë flasin”, deklaroi ai.
Sipas Ramës, në Shqipëri hyjnë çdo vit miliarda euro nga ekonomia reale, ndaj pretendimet se forcimi i monedhës lidhet me aktivitetin kriminal nuk kanë bazë.
“Në një vend ku miliarda e miliarda hyjnë çdo vit nga ekonomia reale, të flasësh për narkotikë e gomarllëqe të tilla nuk kanë lidhje me realitetin”, përfundoi kryeministri.
Lajmi kryesor:
Programi ‘Dyfisho Sipërmarrjen’/ Rama: Me financime deri në 2 mln euro, përkrahim sipërmarrjet e vogla e të mesme! Do angazhojmë ekspertë ndërkombëtarë











