Rama i prerë për Ahmetajn: Familja jonë nuk mban mbi shpinë askënd, e sidomos ata që fryjnë xhepat me anë të pushtetit

I prerë ka qenë kryeministri Edi Rama me një mesazh të fortë, të thellë e të qartë fillimisht për reformën në drejtësi dhe për gjykimin e ish zv kryeministrit Arben Ahmetajt, ish numrit dy të qeverisë së tij. Rama tha se para ligjit PS nuk mbron askënd, asnjë që fryn xhepin me buxhetin e shtetit.

'Sot ne votuam një kërkesë të SPAK-ut për të autorizuar arrestimin e një deputeti, i cili ka mbuluar detyra të rëndësishme në qeveritë tona, si ministër dhe zv.kryeministër!

Ky i zyrtarit më të lartë shqiptar që gjermësot ka përfunduar në rrjetën hetimore të SPAK-ut, ishte një tjetër test për ne, si nismëtarët e Reformës në Drejtësi, kur ishim në opozitë, udhëheqësit e saj të vendosur kur erdhëm në qeveri dhe garantët e saj të palëkundur që kur Reforma u miratua e hyri në rrugën e zbatimit të saj.

Kush më ka dëgjuar, qysh në krye të herës besoj duhet ta mbajë mend se e kam kërkuar me shumë ngulm këtë reformë. Kur kam thënë se nuk duam një tjetër arrnë nga ato të mëparshmet për drejtësinë, po duam një përmbysje të sistemit të vjetër të drejtësisë, e kam menduar shumë mirë çka flas dhe kam folur pikërisht atë që kam menduar.

Kur kam folur për sistem të vjetër, nuk kam pasur parasysh vetëm kalbësirën kutërbuese të drejtësisë gjasme demokratike të çerek shekulli tranzicion, ku pandëshkueshmëria ishte kthyer në një normë poshtëruese për shqiptarët e për Shqipërinë. Po kam pasur parasysh edhe vetë kulturën mjerane të një drejtësie të egër për njeriun e zakonshëm dhe të një drejtësie të gjunjëzuar para njeriut të veshur me pushtet, kulturë që  rrënjët i ka të shtrira qysh nga dita e parë e krijimit të shtetit shqiptar dhe deri vonë në ditët tona sepse asnjëherë, që nga viti 1912 dhe deri në vitet kur ne, Partia Socialiste e Shqipërisë, i hymë detit në këmbë, për ta nxjerrë matanë Reformën në Drejtësi, nuk kishte bërë kurrë vaki, që një shkelës ligji me pushtet, të trajtohej nga drejtësia si një njeri i zakonshëm në shkelje të ligjit.

Rasti i vetëm në memorien historike të 33 vjetëve nga rënia e sistemit të drejtësisë proletare, kur një njeri me pushtet është dënuar nga gjykatat e këtij vendi, ai i ish-kryeministrit Fatos Nano ishte në fakt, rasti i fundit i traditës shtetërore shqiptare, të persekutimit dhe burgosjes politike të një kundërshtari të pushtetit arbitrar të radhës, që nga koha e përpara mbretërisë e deri shumë vonë.

Periudha e diktaturës komuniste ishte pastaj shëmbëlltyra më e përbindshme e asaj kulture barbarie të drejtësisë sipas oreksit të të parit.

Kur kam thënë se nuk duam një reformë për ta vënë drejtësinë nën kontrollin e një pale kundër tjetrës, po duam një drejtësi të re, të pavarur nga pushteti i politikës, të aftë për ta luftuar korrupsionin e niveleve më të larta dhe krimin e organizuar, të ndershme në hetimet e gjykimet e saj, pavarësisht ngjyrave partiake, lidhjeve klanore, tundimeve korruptive, nuk kam qenë vetëm lideri i opozitës, po kam qenë edhe kryeministri i Shqipërisë.  Nuk kam folur për të qenë në rregull me manualin e komunikimit të kryetarit të qeverisë, si paraardhësit e mi.

As nuk jam mjaftuar me fjalët e mëdha për nevojën e Reformës në Drejtësi pa vepruar, por jam përpjekur papushim, për ta miratuar atë edhe me koston e prishjes së qeverisë së koalicionit aso kohe, e pse jo edhe të humbjes së pushtetit, po të ishte nevoja dhe për ta mbështetur atë pa asnjë bishtnim karshi qëllimit të saj të madh, edhe kur ndodh që ajo të veprojë në mënyrë jo fort bindëse në ndonjë rast të caktuar. 

Nuk jam përpjekur thjesht për korrupsionin e nivelit të lartë të atyre që dje në qeveri grabitën sa mundën dhe sot në opozitë baltosin sa mundin pa u hyrë ende as edhe një gjemb në këmbë, po e kam pasur edhe për nivelin e lartë të qeverisjes sonë sigurisht sepse mua këtë mision ma kanë besuar shqiptarët dhe përpara atyre, qoftë atyre që më kanë zgjedhur apo qoftë atyre që nuk më kanë zgjedhur për ta udhëhequr këtë përpjekje historike në të mirë të të gjithëve, për këtë vend të bekuar nga dora e Zotit dhe të penguar kaq gjatë nga dora e robit, unë nuk pajtohem dot me askënd që e abuzon këtë besim, duke e kthyer mandatin e shqiptarëve, të votuesve tanë dhe besimin tim gjithashtu, në një mundësi të palejueshme për të fryrë xhepin, duke punuar për shtetin.

Për hir të këtij misioni dhe për t’u kthyer shqiptarëve, me sa fuqitë e mia ma lejojnë, nderin e jashtëzakonshëm që më kanë bërë duke më besuar udhëheqjen e këtij vendi, unë jam gati të mbaj pa asnjë ankim baltën e pambarimtë që kundërshtarët e të gjitha llojeve më hedhin çdo ditë padrejtësisht fytyrë e në gjoks prej vitesh, por nuk kam qenë, nuk jam, e nuk do të jem kurrë gati, të mbaj në shpinë bashkë me Partinë Socialiste, askënd që e kujton gabimisht shpinën e madhe të kësaj familjeje politike, kurrizin e një kali që mund ta kalërojë për të shirë për vete, në lëmin e pushtetit të marrë nga populli.

Kur kam thënë se dua një drejtësi që të shohë drejt, pa i ulur sytë as përballë të majtës e as përballë të djathtës, që të ecë drejt, pa marrë anë, që të godasë drejtësisht, pa i matur çështjet me peshoren e politikës, e kam ditur mirë edhe çfarë them, e kam ditur mirë edhe çfarë vjen.

Natyrisht, t’i thuash këto, të përpiqesh me mish e me shpirt që kështu të ndodhë më në fund, në këtë tokë të etur për drejtësi, dhe më tej t’i shohësh të fillojnë të ndodhin kështu, gjërat për të cilat je përpjekur me të gjithë shumicën qeverisëse, nuk është, nuk ka sesi të jetë, e njëjta gjë sepse ndryshe nga çdo reformë tjetër transformuese, e cila në një mënyrë a një tjetër prek interesat e njerëzve, kjo e drejtësisë në veprim prek jetët e tyre dhe cënon edhe lirinë e njerëzve. E kur pastaj ndër këta njerëz, ndodh të jenë edhe persona me të cilët ke punuar deri edhe fare afër, ke ndarë kohë, mendime, sfida të përbashkëta, ditë të mira e të këqija, kjo histori bëhet shumë më e vështirë ta jetosh, se sa ta imagjinosh, ta planifikosh, ta krijosh me votë e ta garantosh me bindje në vazhdimësinë e saj.'- tha Rama.


Lajmi kryesor:

Kuvendi i hapi rrugë arrestimit, Rama për Ahmetajn: Na u vu para një dosje voluminoze, gjykata të thotë fjalën e fundit! PS s'mban mbi shpinë askënd që fryn xhepat nga pushteti


G.MO/M.Q./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Si zgjidhen problemet me pronat, korrupsioni dhe digjitalizimi i Kadastrës, gjetjet dhe rekomandimet e ekspertëve në Komisionin Antikorrupsion

Si zgjidhen problemet me pronat, korrupsioni dhe digjitalizimi i Kadastrës, gjetjet dhe rekomandimet e ekspertëve në Komisionin Antikorrupsion