Kryeministri Rama iu rikthye replikave midis tij e gazetarit Blendi Fevziu. Numri 1 i kabinetit të qeverisë tha se ai shpif haptas dhe refuzon të kërkojë ndjesë apo t’i referohet faktit. Sipas Ramës, kjo vështirëson informimin e publikut ndaj shfrytëzohen të gjitha hapësirat, edhe rrjetet sociale, që qytetarët të mësojnë për punën e qeverisë.
"Kështu që, në këtë pikë do të vazhdojmë me këmbëngulje, por na duhet të ndjejmë dhe kuptojmë nevojën e madhe për informim të njerëzve. Nuk është e lehtë. Nuk është e lehtë, sepse mjedisi i informimit është i kontaminuar, është i kontaminuar. Nuk është e lehtë, sepse kur në ditët e përmbytjes, ditë dramatike të gjithë ata që shikojnë prej shumë vitesh “ëndrrën në beze”, thonë tironsit, të rrëzimit tim dhe tonë, e shikonin shiun dhe borën si anëtarët e mirëseardhur të koalicionit, moderatori më i famshëm i Shqipërisë i cili ka vizituar 148 vende të botës e hap penxheren e tij të darkës dhe lëshohet mbi shikuesit e tij, a thua se i kishin hyrë në shtëpi forca të errëta dhe shpif haptas. Nuk e di a me vetëdije a pa vetëdije, por shpif haptas. Unë mendoj që ishte i acaruar nga fakti që ministrat përkatës, ishin gjithandej në terren, në shi, flisnin me mediat dhe e tjerë, e tjerë, ndërkohë që sigurisht ai dhe gjithkush atje brenda, që ftohet prej tij apo në penxheret e tjera, ministrat i konsiderojnë ministra vetëm kur bëjnë parakalimin te stacioni i trenit, përndryshe nuk janë, nuk ekzistojnë ose janë duke mashtruar.
Dhe ndërkohë, edhe kur kapet, s'po them “me presh në duar” se nuk do ishte e përshtatshme, po duke bërë një gjë tillë, refuzon të pranojë, refuzon të kërkojë ndjesë, refuzon t'i referohet faktit dhe flet në jerm dhe merret me gjëra të tjera që mund të jenë të drejta, mund të jenë të vërteta, por nuk kanë lidhje me çështjen.
E solla këtë shembull për të thënë që nuk është e lehtë, nuk është e lehtë të informosh kur në debatet politike t'i shkon dhe e ke përballë njerëz që nuk kanë ardhur të bëjnë debat me ty. Kanë ardhur të të sulmojnë, të të godasin, të dekurajojnë të baltosin sa të munden. Dhe ku problemi më i madh është të marrësh fjalën, nuk merr dot fjalën, sepse nuk janë aty për të pyetur, janë aty për të të bërë atë që thashë dhe në ndërkohë moderatori me shkop atje, sa bie pak qetësi turret që ndezi prapë sherrin dhe ky është një model, që nuk është thjesht një.
Kështu që, si bëhet për të informuar publikun në kushtet kur ka 700 tenxhere të tilla që ziejnë përditë, bubullojnë përditë, gërr, gërr, gërgërojnë përditë dhe dezinformojnë përditë.Si bëhet? Duhet të këmbëngulim, duhet të përdorim çdo hapësirë, do të përdorim çdo hapësirë.
Nuk ka interes për t'i thënë publikut se çfarë po bëjmë ne, nuk ka interes për asnjë nga punët që bëjmë ne, për t'ia transmetuar publikut dhe ato që bëjmë ne nëpër rrjete sociale janë nga halli i madh që ndryshe ku do t’i marrin vesh të paktën njerëzit tanë, ata që na ndjekin dhe na votojnë dhe na besojnë, duhet të marrin vesh se me çfarë merremi ne se nëqoftëse ne nuk i bëjmë ato në rrjete sociale njerëzit tanë do mendojnë që e vetmja gjë që ne bëjmë është ajo që tregojnë ata.
Prandaj na duhet shumë këmbëngulje dhe prandaj këtu duhet një ri angazhim i plotë i gjithë grupit parlamentar, i gjithë deputetëve, i gjithë ministrave, ish ministrave për të shfrytëzuar hapësirën e Parlamentit, për të shfrytëzuar hapësirat e tjera kudo dhe kurdo që është e mundur dhe për të treguar çfarë po bëjmë ne për Shqipërinë tjetër. Kjo është një Shqipëri tjetër, kjo nuk diskutohet dhe arsyeja pse ata nuk i voton askush dhe arsyeja pse po të shikoni anketimet tona të brendshme dhe ju e dini shumë mirë që anketimet tona të brendshme asnjëherë nuk na kanë lënë në baltë, edhe sot kur ne nuk jemi në pikën tonë më të lartë siç ishim menjëherë pas zgjedhjeve, ata janë akoma më keq se ç’ishin pas zgjedhjeve ku sigurisht ata fituan, por në fakt humbën sepse publiku vlerëson çfarë ne bëjmë gjithsesi", tha Rama.
Lajmi kryesor:
Reformë Kushtetuese brenda këtij mandati, Rama: Të ngrihet grupi i punës, Kuvend me 100 deputetë! Kaosi i PD? Asnjë tolerim rrugaçërisë, të marrë fund












