Gjithashtu, në media është raportuar se Rama u ka kërkuar të deleguarve të kryesisë së PS-së në qarqe, q të synojnë me patjetër të arrijnë votat e 2013-ës. Dhe, në një situatë tensionesh mes dy aleatëve të mëdhenj të koalicionit aktual mazhoritar, vlen të bëhet një analizë e numrave, para se të zyrtarizohen në prill koalicionet për zgjedhjet e qershorit.
Përsëritja identike e rezultateve të 2013-ës, për partitë aktuale, në secilin nga 12 qarqet, do të ishte një ngjarje me probabilitet shumë të vogël. Por, në qoftë se kjo gjë ndodh, dhe LSI-ja garon më vete në zgjedhjet e qershorit, koalicioni PS+PDIU+FRD+PSD+PDS+etj., do të merrte 72 mandate, koalicioni PD+PBDNJ+PAA+PR+LZHK+etj., do të merrte 57 mandate, dhe LSI-ja do të merrte 11 mandate.
Por llogaritjet e mandateve në Tabelën 1, mund të ndryshojnë në mënyrë thelbësore politikisht, nëse ndodh një shmangie fare e vogël e rezultateve, qoftë edhe në vetëm 2 qarqe të vetme. Në këtë rast, koalicioni PS+PDIU+FRD+PSD+PDS+etj., do të zbriste në nivelin e 70 mandateve. Në fakt, nga një sondazh kombëtar që zhvillova në fillim të shkurtit (shihni Grafikun 1), rezultonte se koalicioni PS+PDIU+FRD+PSD+PDS+etj.,(në qoftë se LSI garon më vete) do të merrte, sot, 48% të votave në rang kombëtar (marzhi gabimit statistikor plus/minus 3.2%).
Për krahasim, partitë që janë tani në koalicionin PS+PDIU+FRD+PSD+PDS+etj., (pa LSInë) kanë marrë 51% votave në zgjedhjet e 2013-ës, (rrjedhja e votave shkon kryesisht drejt LIBRA-s, që figuron në sondazh me mbi 2% të votave në rang kombëtar).
Rrjedhjen aktuale të votave të majta drejt LIBRA-s, e ilustron edhe Grafiku 2, ku pasqyrohet ndryshimi i numrit të votave, nga zgjedhjet e 2009-ës deri më sot (numri i votave të sotme është vlerësuar në bazë të sondazhit të sipërcituar). Gjithashtu, ky grafik ilustron rrjedhjen e votave të djathta drejt LSI-së në zgjedhjet e 2013-ës.
Formula e llogaritjes së mandateve dhe ndarja e territorit në 12 zona elektorale, e bëjnë përcaktimin e totalit të mandateve shumë tekanjoz. Një koalicion mund të sigurojë 71 mandate, edhe me vetëm 47% të votave në rang vendi – siç qe rasti i koalicionit të Berishës më 2009-ën, kur për një grusht votash në Fier, mund të kishte siguruar mandatin e 71-të. Nga ana tjetër, një koalicion mund të përfundojë me vetëm 70 mandate, edhe po të ketë marrë 51% të votave në rang vendi.
Gjithçka varet nga mënyra sesi shpërndahen votat e koalicionit, në 12 qarqet e Shqipërisë. Sidoqoftë, bazuar në rezultatet e sondazhit të mësipërm, kam bërë një llogaritje të përafërt të mandateve (ku merret parasysh marzhi i gabimit statistikor të sondazhit).
Për të bërë këtë llogaritje, kam hamendësuar një shpërndarje proporcionale të votave kombëtare, në 12 qarqet e Shqipërisë, bazuar në historikun e votimit në to. Nga kjo shpërndarje, rezulton që, nëse zhvillohen zgjedhjet SOT dhe LSI-ja garon më vete, koalicioni PS+PDIU+FRD+PSD+PDS+etj., merr 68-72 mandate, koalicioni PD+PBDNJ+PAA+PR+LZHK+etj., merr 54-57 mandate, LSI-ja merr 11-13 mandate, dhe LIBRA 0-1 mandat.
Llogaritjet e mësipërme tregojnë se, koalicioni PS+PDIU+FRD+PSD+PDS+etj., nuk e ka të sigurt bastin e arritjes ose të tejkalimit të numrit magjik të 71 mandateve, nëse do të përballej, sot, me dy koalicione – gjegjësisht atë të PD-së dhe atë të LSI-së. Në fëmijëri, këtë lloj basti, e quanim “bast, kokë a pilë”.
Ndërsa, në qoftë se PS-ja futet në zgjedhje bashkë me LSI-në dhe të gjitha partitë e tjera të vogla, avantazhi ndaj opozitës është aq i madh, saqë kjo e fundit do ta kishte praktikisht të pamundur përmbysjen e tij. Me fjalë të tjera, në këtë rast, basti do të quhej “bast i sigurt, kokë”. Marrë nga Albania Free Press
dy.b/shqiptarja.com