Përfundon rehabilitimi i aksit rrugor Elbasan-Banjë, segment tashmë i aksesueshëm për të gjithë banorët e zonës që shtrihet përgjatë tij, por edhe vizitorët që do e kenë më të lehtë të lidhen me këtë zonë.

Në inspektimin e kësaj rruge kanë qenë kryeministri Edi Ram dhe ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, një investim i qeverisë ku u bë i mundur rehabilitimi i 8.5 km rrugë, ndërtimi i 3 urave përgjatë këtij segmenti si dhe plotësimi me sinjalistikën e nevojshme duke rritur elementët e sigurisë rrugore.

E veçanta e kësaj rruge është se për herë të parë në shtrimin e saj pra në shtresën asfaltike është përdorur pluhur gome që vjen nga riciklimi i gomave të përdorura si Teknologji e Gjelbër dhe në harmoni me mbrojtjen e mjedisit.

Kryeministri Rama tha se rehabilitimi i këtij segmenti është një lehtësim i madh edhe për fermerët e kësaj zone të cilët do të aksesojnë më lehtë tokat e tyre por edhe tregjet për të tregtuar produktet.

Dhe për ministren Balluku "kjo rrugë është mjaft e rëndësishme për zhvillimin e agrikulturës por dhe turizmin agrikuturor. Është përdorur një teknologji e gjelbër nga riciklimi i gomave që ka dhe një jetëgjatësi më të madhe".

Balluku tha gjithashtu se në vjeshtë nis puna për aksin Orikum-Dukat, ku procedurat e koncesionarit janë drejt përfundimit dhe po merren pasat për shpronësimin që të fillohet me ngritjen e kantierit.