1768655029_WhatsAppImage20260117at13.58.59.jpeg

Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot në Durrës një takim me kryetarët e bashkive të vendit, ku u diskutuan sfidat kryesore me të cilat do të përballen bashkitë gjatë vitit, përgatitjet për sezonin turistik dhe nevoja për një betejë të përbashkët politike e shoqërore kundër mbetjeve plastike.

Krahas takimit, kreu i qeverisë pati dhe inspektime në disa projekte që po kryhen në qytetin bregdetar.

Fillimisht, Rama inspektoi punimet në kantierin e shëtitores “Taulantia” në Durrës me kryebashkiaken Emiriana Sako.

Projekti është programuar nga Bashkia e Durrësit dhe financuar nga Fondi Shqiptar të Zhvillimit, mbi projekt-idenë e propozuar nga studioja prestigjioze ndërkombëtare Bofill Taller de Arquitectura.

Rama u shpreh se ky investim do të krijojë një bulevard të ri dhe shumë cilësor, teksa shtoi se paralelisht duhet punuar dhe në kanalet ku pati mbetje plastike gjatë reshjeve.

“Vijnë shumë prurje të plastikës nga ujërat e fryra dhe ato krijojnë një situatë si ajo atje, që është e pamundur të përballohet nga asnjë lloj kanali. Kështu që duhet bërë paralelisht. Kur e ka afatin për t’u mbyllur, para sezonit? Kryevepër. Kjo deri në maj mbyllet. Kjo është super se krijon një bulevard të ri dhe shumë cilësor", tha Rama teksa inspektoi punimet.

Më pas, Rama, sërish me Sakon, pa punimet e përfunduara në godinën e parkimit të ri publik pranë Stacionit të Trenit.

Krahas 353 vendeve të parkimi për makinat dhe një stacioni biçikletash, janë krijuar hapësirat edhe për funksione të tjera në shërbim të komunitetit.

“Ka përfunduar puna për projektin e godinës së parkimit të ri publik pranë Stacionit të Trenit, një vepër e bukur publike, që furnizohet me energji diellore e do të funksionojë si një qendër multimodale, ku krahas 353 vendeve të parkimi për makinat dhe një stacioni biçikletash, janë krijuar hapësirat për funksione të tjera në shërbim të komunitetit, si hapësira për studentët apo sipërmarrësit e rinj në fushën e teknologjisë, si edhe aktivitete të tjera social-kulturore”, shkruan Rama.

Rama kreu inspektim edhe te shëtitorja bregdetare, ku theksoi se po ndërhyhet për të krijuar një zonë të re rekreative dhe gjelbërimi.

“Durrës – Në shëtitoren bregdetare, ku paralelisht me zgjerimin e brezit të ri ranor, po ndërhyhet për të krijuar një zonë të re rekreative dhe gjelbërimi, midis shëtitores dhe brezit të rërës, ku do të zhvillohen aktivitete të ndryshme kulturore e sportive për qytetarët dhe pushuesit e qytetit bregdetar”, thotë Rama.


Lajmi kryesor:

Përmbytjet, Rama me kryebashkiakët në Golem: Task Forcë kundër ndotjes plastike! Flotë e dedikuar për pastrimin e kanaleve kulluese, fondi 20 mln euro