Një lajm i mirë për të gjithë punëtorët sezonalë shqiptarë që shkojnë në Greqi. Kryeministri Edi Rama mbrëmjen e sotme u shpreh se pas shqetësimit të konfederatës greke, është duke diskutuar me vendin fqinj për të hapur rrugën për të shkuar në Greqi për të punuar. Të njëjtën gjë, tha Rama jemi gati ta bëjmë edhe me Malin e Zi.

"Ne jemi duke diskutuar me palën greke, kemi pasur edhe një kërkesë, nxitje apo shqetësim të shprehur nga mos gabohem një konfederata e agro-përpunuesve që kanë shprehur këtë shqetësim dhe ne jemi duke diskutuar për të hapur rrugën për të shkuar në Greqi dhe nuk kemi asnjë problem që të bëjmë edhe për ata që janë punonjës sezonalë në Malin e Zi" tha Rama në 'Opinion' te Tv Klan.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:06
Rama tregon kur do të lejohet lëvizja e makinave dhe kur do të dalin pensionistët nga shtëpia

Kryeministri Edi Rama u shpreh se në 10-15 ditët e ardhshme do të lehtësojmë lëvizjen e automjeteve. Për kufijtë, kreu i qeverisë tha se do të shikojmë cfarë do të bëjnë të tjerët, ndërsa për pensionistët theksoi se lehtësimet për të dalë nga shtëpia do të fillojnë në maj.

"Për kufijtë do të shikojmë se cfarë do të bëjnë edhe të tjerët, një hapje të ngushtë po e bëjmë të shtunën me fluturimet e riatdhesimit. Unë besoj që në maj do të jetë një periudhë e bukur tranzicioni që do të ketë gjithmonë e më shumë lehtësira, do të fillojmë të lehtësojmë pensionistët për të dalë dhe për të marrë ajër, do të lehtësojmë aktivitetet që thashë, lëvizjen e automjeteve. Në 10-15 ditët e ardhshme do të lehtësojmë lëvizjen e automjeteve" tha Rama.  

Ora 21:59
Masat lehtësuese/ Rama sqaron cilat janë bizneset e para që do hapen në ditët në vijim: Ndahen në tre kategori

Kryeministri Edi Rama ka bërë publike ndarjen e bizneseve sipas tre kategorive, në bazë të së cilave të nisë zbatimi i masave lehtësuese. Që do të thotë, jo të gjitha bizneset do mund të vijojnë aktivitetin e tyre në javët në vijim, ku dhe është parashikuar që të ketë një lehtësim të masave, kjo për shkak të një kurbe që ka pësuar rënie.

Tre janë kategoritë: bizneset me risk të ulët, të cilat referuar kreut të qeverisë, do të jenë të parat që do të hapen në ditët në vijim në kuadër të masave lehtësuese. Këtu bëjnë pjesë tregtimi me pakicë të veshjeve, aktiviteti i taksive me një person të vetëm, të mobileve, pajisjeve të ndriçimit, të luleve, orëve bizhuterive, të lodrave për fëmijë. Megjithatë, edhe pas hapjes, ato do të funksionojnë në rregulla të forta sigurie, sipas disa protokolleve për të cilat Rama tha se do të jenë gati shumë shpejt.

Më pas, janë ato të bizneseve me risk të mesëm, ku bëjnë transporti urban, tregtimi i mallrave të përdorura, autoshkolla dhe në fund bizneset me risk të lartë.

"Bizneset me risk të ulët: Ku merren parasysh një sërë kriteresh, shitje me pakicë, tregtimi me pakicë të veshjeve, aktiviteti i taksive me një person të vetëm, të mobileve, pajisjeve të ndriçimit, të luleve, orëve bizhuterive, të lodrave për fëmijë) kjo është fasha e parë që duam ta hapim në ditët në vijim. Të hyjë në fuqi Kodi i Ri Penal. Java e ardhshme do jetë vendimtare me rregulla dhe protokolle të qartë.

Bizneset me risk të mesëm: Transporti rrugor urban, tregtia me pakicë e mallrave të përdorura, tregjet, autoshkollat, tregtia me pakicë në tenda e tregje

Bizneset me risk të lartë: restorantet që nuk kanë delivery, aktivitete e argëtimit, arsimi, aktivitete sportive, palestrat,  transporti ndërurban", tha Rama.