‘Rama ka përzënë rininë’, por Berisha nuk i përfaqëson! ‘Dënoi’ 1300 të rinjtë e FRPD, asnjë prej tyre pjesë e Këshillit Bashkiak në Durrës

‘Rama ka përzënë rininë’, por Berisha nuk i përfaqëson! ‘Dënoi’ 1300 të rinjtë e FRPD, asnjë prej tyre pjesë e Këshillit Bashkiak në Durrës

Sali Berisha

Një ditë më parë kreu i koalicionit opozitar “Bashkë Fitojmë”, Sali Berisha, dha një deklaratë pas disfatës të cilën e quajti një “maskaradë elektorale”, ndërkohë u ndal në shumë arsye përse ky koalicion humbi dhe në faktin se kurrë nuk do të japë dorëheqjen.

Rinia nuk ka dalë të votojë, ndërkohë që mosha mesatare e votuesve është mbi 45-vjeç, iu drejtua një gazetar në konferencë dhe përgjigja e Berishës ishte: “Rama ka përzënë rininë nga Shqipëria.”

Të ndalemi tek rinia dhe zgjedhjet e fundit konkretisht në qytetin e Durrësit, vend në të cilin mund të analizojmë me njohuritë që zotëroj nga terreni politik dhe apolitik. 

Koalicioni opozitar “Bashkë Fitojmë”, ka arritur të marrë 13 mandate në qytetin e Durrësit, ku të paktën mosha mesatare e 10 kandidatëve të parë në listën për anëtarë Këshilli Bashkiak, është 45.8 vjeç, pra afërsisht 46 vjeç, ndërsa e 10 kandidatët të tjerë pas të parëve, është një moshë mesatare prej 38.2 vjeç ose afërsisht 38 vjeç.

Ndërkohë vetëm Forumi Rinor i Partisë Demokratikë (FRPD) ka të regjistruar të paktën 1300 të rinj të cilët nuk do të përfaqësohen nga asnjë anëtarë i grupimit të tyre në Këshillin Bashkiak. Emri më i afërt në listën zyrtare, ndodhet i renditur në vendin e 25, i cili është emri i kreut të FRPD, Shyqyri Myrtollari, për të vazhduar më tej me shumë emra të të rinjve të opozitës të cilët janë renditur në vendet e fundit, ku qartazi dhe qëllimisht vendosja është kryer në formë të tillë që asnjëri prej tyre nuk arrin të jetë pjesë e anëtarëve të Këshillit Bashkiak.

Lind pyetja “A kanë ikur të rinjtë?!” apo Berisha me shokë janë verbuar nga lakmia për pushtet?
Ja pra që të rinjtë për të cilët Berisha flet se janë larguar, ndodhen poshtë hundës së tij, por 45.8 vjeçarët nuk e lënë t’i shohë këta të rinj. Duke mos i vlerësuar dhe shpërblyer kontributin, me minimalisht vendosjen në atë që quhet listë e sigurt për anëtarë të Këshillit Bashkiak, të një anëtari të paktën. Të rinjtë po mbeten të papërfaqësuar, të pavlerësuar dhe si rrjedhojë ndodh që edhe të largohen jo vetëm nga kjo parti, por pse jo edhe nga vendi. 

Përtej faktorit moshë, çfarë përfaqësojnë emrat në listë për anëtarë të Këshillit Bashkiak nga koalicioni opozitar “Bashkë Fitojmë”? 

Ish-kandidatë për kryetar bashkie, ish-anëtarë në Këshill Bashkiak, Kryetar të Partisë Demokratikë dega Durrës, ish-kandidate për deputete, nënkryetar të Partisë Demokratike dega Durrës, të gjithë pjesëmarrës në gara të mëdha, kush humbës, e kush fitues, por në tërësi, garat e kahershme, janë të një rangu më të lartë se të atij për mandatin e një anëtari në Këshillin Bashkiak.

Këtu ngrihen shumë pyetje, por një ndër gjërat që nuk shkon dhe që ka peshën më të madhe të problemeve në mënyrën sesi funksionon opozita aktuale, është sesi figura të konsoliduara dhe që kanë vite prezencë në terrenin politik, me poste të larta, ulen në stadin e të kërkuarit të një mandati në Këshillin Bashkiak, duke mos i lënë vendin të rinjve!

Muka, Burgija, Luku, Kuçi, Boshku me shokë, a nuk u mjaftuan me ato që morën dhe bënë në opozitë kaq vite? A nuk është momenti të bëni një hap pas për të lënë të promovohen figura të reja dhe kryetari ose kryetarja i ardhshëm i Bashkisë së Durrësit, pasi asnjëri prej anëtarëve në listën aktuale, qartazi nuk do të fitojë kurrë drejtimin e Bashkisë Durrës, votën e qytetarëve durrsak dhe si rrjedhojë nuk jeni e ardhmja e Partisë Demokratike dhe e opozitës!

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • e drejta: 17/05/2023 12:51

    O BANDIT I SHQIPERISE...RRUGEVE KE PER TE MBARUAR

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Ilir Meta sulmon kreun e SPAK, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Vlorë, lëvizte me armë me vete, arrestohet 34-vjeçari

Vlorë, lëvizte me armë me vete, arrestohet 34-vjeçari