Kryeministri Rama ka mbërritur në takimin e Komunitetit Politik Europian në Yerevan të Armenisë, të cilin, në një deklaratë për shtyp, e cilësoi si një mundësi për të treguar sa i rëndësishëm është unifikimi i Europës.
“Është një tjetër samit, Samiti i Komunitetit Politik Europian dhe një tjetër mundësi për të ndarë ambiciet dhe shqetësimet tona të përbashkëta. Ndërkohë, është një tjetër shans i madh për të parë se sa mund të bëjmë së bashku dhe sa e rëndësishme është te ecet përpara me bashkimin e Europës.
Duhet të shohim se çfarë qëndron realisht pas dhe ndërkohë është e qartë, që kështu siç janë gjërat, NATO-ja duhet të mbështetet më shumë në pjesën europiane”, tha Rama.
I pyetur se çfarë mund t’u ofrojë BE vendeve që aspirojnë anëtarësimin, Rama tha se kjo lidhet me forcimin e Europës.
“Nuk ka të bëjë me ofrimin e diçkaje për dy apo më shumë vende, por ka të bëjë me të menduarit e të vepruarit shpejt, sepse ka të bëjë me vetë Europën, me vetë Bashkimin Europian. Një Bashkim Europian që nuk është i plotë, është më i dobët dhe është më i cenueshëm sesa një Bashkim Europian i cili është i plotë”, përmbylli Rama.
Lajmi kryesor:
Armeni/ Sot samiti i 8-të i Komunitetit Politik Europian, i pranishëm dhe Rama: E rëndësishme të ecim para me bashkimin e Europës











