TIRANE - Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me ambasadoren e BE-së në Tiranë, kryeministri Edi Rama tha se reforma në drejtësi nuk ka të bëjë me emra të përveçëm. I pyetur nëse ndryshimi në qeveri ka të bëjmë me reformën në drejtësi, Rama tha se kjo reformë është e vonuar dhe theksoi se ka ardhur nga “dëshira e qeverive të kaluara për të bashkëjetuar në mëkat”.
 
“Reforma në drejtësi është një reformë madhore, e shumëzvarritur për shumë vite. Mungesa e vizionit, mungesa e kurajës, e vendosmërisë, por edhe le ta themi copë dëshira për të bashkëjetuar në mëkat, e qeverive të mëparshme, qeverisë së mëparshme me gjykatësit e korruptuar, sot kërkon një përgjigje të qartë popullore, kombëtare dhe shtetërore. Pra madhësia dhe kompleksiteti i reformës në drejtësi nuk ka sesi të lidhet me një emër të përveçëm qoftë ky dhe emri im”, deklaroi Rama.

Rama: Meta kryeministër? Ca të komentoj, lajme nga këneta!
Ambasadorja e BE-së dhe kryeministri u pyetën dhe për situatën në të cilën ndodhet media. Vlahutin u shpreh se media duhet të jetë e lirë, por ajo vetë duhet të tregohet dhe e përgjegjshme. Ndërsa Rama tha se mediat cilësojnë sulm ndaj saj të vërtetën që ai thotë për to. Kryeministri theksoi se duhet ta harrojë çdo pronarë mediaje në Shqipërisë mund të marrë një gjë të paligjshme me anë të përdorimit të pushtetit mediatik. Ndërsa pyetjes se "ka pasur edhe disa deklarata politike, sipas të cilave me lëvizjen e djeshme, Kryeministri i vërtetë është zoti Meta", Rama tha se nuk ka çfarë t'i komentoi duke e cilësuar shpikje.

Rama: Çfarë të komentoj! Këto janë lajme nga këneta, s’kam çfarë të komentoj.
E dyta, kur flas për “këneta mediatike”, nuk flas për mediat në përgjithësi, por flas për “kënetat mediatike” në hapësirën ku operon media shqiptare. Dhe ashtu sikundër media këtu ka të gjithë lirinë të thotë çfarë të dojë, ka lirinë të shpifë sa të dojë, ka të drejtën të akuzojë kë të dojë, ka luksin që të mos bëjë asnjë përpjekje për të provuar asgjë nga ato që thotë, ashtu sikundër unë besoj se media nuk mund të sillet si lulja mos më prek, në kuptimin e fjalëve. Sepse në kuptimin e veprave, unë nuk di asnjë rast dhe ju ftoj që të ma bëni ju me dije, të një kërcënimi, të një presioni apo të një sulmi të organizuar apo të mbështetur nga qeveria ndaj mediave. Nëse ju quani sulme, të vërtetat që unë kam për ju, këto të vërteta përgatituni t’i dëgjoni sa kohë që unë do të jem i gjallë në këtë vend, jo vetëm si kryeministër, por edhe si një njeri që ka kontribuar për median e lirë, për lirinë e fjalës dhe që nuk ndien asnjë lloj kompleksi dhe aq më pak pastaj, diference profesionale nga ata të cilët e përdorin median për interesin e tyre, e përdorin median edhe për të bërë shantazh, e përdorin median për të vënë gjoba, e përdorin median për të çuar mesazhe, pasi bëjnë kërkesa, të cilat janë të paplotësueshme. Ta harrojë çdo pronar mediash në Shqipëri se do të marrë nga kjo qeveri një gjë të paligjshme, se ka në dorë një top me të cilin gjuan me baltë mbi qeverinë, apo mbi këdo tjetër që i shërben këtij vendi aq sa mundet, ashtu si di dhe gjykimin për të cilin, ne e presim nga vota e popullit.

 
Vlahutin: Më lejoni që t’iu përgjigjem. Siç e dini edhe ju, liria e fjalës është një nga vlerat thelbësore të BE dhe ne e ndjekim atë nga afër. Në Raportin tonë ne kemi treguar fakte. Ne flasim me fakte dhe ato fakte për ato dy gazetarë nuk kemi qenë të qartë për arsyet, por, sido që të jetë puna, ne do të bëjmë të pamundurën, çdo gjë që kuadri legjislativ dhe atmosfera në vend të jetë e tillë që të jepet pikërisht liria e medias, që duhet të jetë edhe përgjegjësi e medias. Ndaj ne mbështetemi tek ju, që të jeni sa më të lirë që mund të jeni, por edhe të përgjegjshëm.
 
Rama: Ju thatë ka pasur deklarata politike, ndërkohë deklaratat janë ato që ju i sajoni vetë, i jepni vetë si lajme, i komentoni vetë, i ktheni në të vërteta dhe pastaj i pretendoni si prova, për të cilat, të tjerët janë nën akuzë. Mendoj që në rrugën e integrimit europian duhet të bëjmë përpjekje të përbashkëta. Ne kemi shumë për të bërë, qeveria ka absolutisht shumë për të korrigjuar, e kemi thënë, unë të paktën e përsëris gjithmonë, jemi larg së qenit të përsosur, jemi larg së qenit të pagabueshëm, jemi larg së qenit të pakritikueshëm, por në të njëjtën kohë besoj, se po aq larg, të paktën, për të mos thënë edhe më shumë, jeni edhe ju. Kështu që në këtë pikë jemi, po të doni ju, bashkëvuajtës, por jo bashkëfajtorë. 

Redaksia Online
(f.s/shqiptarja.com)