Rama mesazh Bashës: S'ka
pakt për mbylljen e dosjeve

TIRANE - "Marrëveshja e 17 majit u bë për zgjedhjet, marrëveshje për të mbyllur dosjet nuk bëjmë dot. Ku është problemi këtu? Atëherë kishim zgjedhjet duhet të bënim marrëveshje. Këtu vetëm një problem ka, zbatimi i Reformës në Drejtësi dhe dosjet. Nuk bëjmë marrëveshje për këto"

Ky ka qenë mesazhi i Edi Ramës për kundërshtarin e tij politik Lulzim Basha, në prag të protestës së opozitës, duke i mbyllur dyert kështu cdo tentative për një marrëveshje të re pas asaj parazgjedhore të 18 majit 2017. I ftuar te "5 pyetjet nga Babaramo" në Report Tv, Rama ka komentuar edhe negociatat Bushati-Kotzias, ku u shpreh se vendet po shkojnë drejt zgjidhjes së mosmarrëveshjeve, ku kryefjalë mbetet shfuqimi i Ligjit të Luftës nga ana e Athinës.

"Ka dakordësi që nga Ligji absurd i Luftës deri tek çështje që kanë të bëjnë me jetësimin maksimal të shqiptarëve që jetojnë në Greqi, lidhur me procedura që kanë qenë pengesë e rëndë për ta. Do kalojë në procedurat ligjore të shtetit fqinj dhe do jetë një dokument që do t'i mbetet historisë dhe jo një ligj në fuqi që na ka penguar të shkruajmë historinë e re", u shpreh Rama.  

Rama tha gjithashtu se gjatë samitit të Davos në Zvicër do takohet me kryeministrin Aleksis Tsipras. "Do të takohem në ditët në vijim me kryeministrin Tsipras, pasi do jemi në Davos. Mbetet një fazë tjetër e saktësimit të elementëve që kanë të bëjnë me marrëveshjen e arritur në linja të gjëra me pas detajohet në dokumente që do të marrin vlerë qoftë ligjore qoftë edhe përsa i përket asaj që thashë të një platforme të re të partneritetit strategjik". 

Synimi është të nënshkruajmë një dokument të partneritetit strategjik. 

Për pronat e çamëve të sekuestruara, ka pranuar zgjidhje pala greke...
Të gjitha çështjet që për ne kanë pasur rëndësi dhe u bënë një periudhë e nxehtë mes nesh dhe palës greke janë në tavolinë dhe po negociohen për të gjetur një zgjidhje përfundimtare. Pasi e shkuara na ka mësuar se në të dyja anët, këto çështje për arsye të caktuara, kthehen në problem mes vendeve, mes shteteve, në problem i panevojshëm. 

Do ketë raund mes kryeministrave?
Do të takohem në ditët në vijim me kryeministrin grek, pasi do jemi të dy në Davos. Mbetet një fazë tjetër e saktësimit të elementëve që kanë të bëjnë me marrëveshjen e arritur në linja të gjëra, përfundon marrëveshja në linja të gjëra, me pas detajohet në dokumente që do të marrin vlerë qoftë ligjore qoftë edhe përsa i përket asaj që thashë të një platforme të re të partneritetit strategjik. Kemi qenë shumë të qartë kur kemi paraqitur programin për Rilindjen, kemi përcaktuar trekëndëshin e partneritetit strategjik me Italinë, Turqinë dhe Greqinë. Rrugën e të ardhmes e shohim të lidhur me këtë partneritet. Aleatët strategjikë janë SHBA dhe BE, ndërsa partnerët strategjikë kanë të bëjnë me shkëmbim të zhvillimit ekonomik. Ne kemi partneritet strategjik dhe me Francën, SHBA.

Djalli fle në detaje, për marrëveshjen me Greqinë, atë që u anulua nga Gjykata Kushtetuese, marrëveshja e detit. Do jemi në të njëjtin nivel si më parë, apo Shqipëria rikuperon terrorit?
Nëse do mbeteshim në atë nivel nuk dihet çfarë do ishim duke negociuar. Kemi bërë përgatitje shumë serioze për këtë ditë. Kemi studiuar me shumë imtësi të gjitha aspektet e kësaj marrëveshjeje. Në atë kohë ne dëshiruam të qëndronim larg politizimit, sepse mund të na çonte në një situatë me shumë rrezik nga pikëpamja e një fryme nacionaliste brenda vendit dhe preferuam t’i drejtohemi Kushtetueses. U ulëm në tryezë me një përgatitje shumë serioze, edhe seriozitet i palës greke do jetë një konstante deri në fund.

Po t’i referohemi vendimit të gjykatës, palët për çfarë kanë rënë dakord?
Më mirëkuptoni, që të mos jem specifik pasi është shumë e rëndësishme të respektojmë negociatat dhe ata që janë në tavolinë, duke kryer këto negociata. Duke pasur parasysh potencialin që çdo fjali e thënë jashtë kohe mund të dëmtojë procesin, ju lutem të prisni deri në fillim të pranverës.

Për ta lubrifikuar këtë negociatë, ka pasur ndërhyrje, sugjerime nga kompani shumë të mëdha të industrisë së naftës, që presin të zgjidhet konflikti ...
Është një zonë ku mendohet se ka një pasuri të konsiderueshme dhe e mbetur në gjendje të ngrirë mbetet një pasuri që popujt nuk mund ta vënë në shfrytëzim. Gjuha e arsyes po forcohet dita-ditës dhe paragjykimet e ardhura si rezultat i mosthellimit në proces po fashiten.

Me këto kompani gjigante të negociohet në bllok?
Nuk kemi hyrë në këtë element, sepse duhet të siguroheshim të bisedonim. Disa nga këto tema që ne po diskutojmë kanë qenë tema për të cilat nuk diskutohej. Mund të përmendej nga njëra palë sa për të larë gojën, dhe pastaj gjëja mbetej në analet e takimeve formale, por nuk shtjellohej. Progresi ka ardhur si rezultat i qëndrimit këmbëngulës nga ana jonë për të afirmuar të drejtën e barazisë.

Jeni shumë refuzues për të dhënë detaje ...
Detajet do të ishin të tepërta në këtë moment se për sa kohë nuk ka një gjë të shkruar dhe firmosur ... është proces diskutimi, nuk është e lehtë. Na është dashur një periudhë e vështirë.

Kalojmë në Maqedoni, si e komentoni refuzimin nga Ivanov të ligjit për gjuhën shqipe?
Nuk jam i surprizuar. Do ishte surprizë nëse do e kishte dekretuar. Por kjo nuk e pengon ligjin të bëhet ligj.

Moska ju akuzoi për paternalizëm, për platformën e Tiranës...
Jam krenar kur akuzohem se mbroj interesat e shqiptarëve. Nga ana tjetër qëndrimi ynë është shumë i qartë. Nuk kemi asnjë lloj axhende të fshehtë, është publike, pozicionet tona kanë qenë pa ekuivok, edhe kur kanë krijuar temperaturë të lartë me fqinjët, sepse ne kemi qenë të vendosur t’i japim politikës së jashtme një politikë të re, dinjitetin pavarësisht nëse jemi një vend i vogël, apo një vend i varfër, se në tryezë është i barabartë mes të barabartëve. 

Marrëdhëniet rajonale janë si enët komunikuese, gjatë bisedimeve me Athinën a janë diskutuar lëvizjet e mundshme të njohjes së Kosovës?
Nuk ka asnjë bisedim me askënd ku Kosova nuk është në diskutim, ku unë jam i pranishëm apo ministri i Jashtëm.

Pra ka qenë pjesë e diskutimit Bushati-Kotzias?
Jo nuk ka lidhje. Fakti që nuk e kanë njohur Kosovën lidhet me problemet që ata kanë. Sot jetojmë në një botë ku sigurua është problem i madh për të gjithë. Nëse duam një rajon më të sigurt, Kosova duhet njohur nga të gjithë.

Vrasja e Ivanoviç, sa do ndikojë në bisedimet shqiptaro-serbe?
Nëse do përdorej si alibi për bllokimin e bisedimeve mund të ndikonte. Mesa shoh jo vetëm që nuk duket të ndikojë për keq, por mund të ndikojë për mirë. Reagimi i Serbisë ka qenë korrekt.

Mendoni se siç ndodhi në Maqedoni, me trazirat në parlament, ose ngjarjet në Mal të Zi, do ndodhë dhe pas vrasjes së Ivanoviç?
Do të ishte ekzagjerim i paarsyeshëm të thuhej kjo, sepse nuk ka asnjë element faktik që do ta bënte të mundur këtë. Porositësit e vrasjes së Ivanoviç nuk kanë nënshtetësi shqiptare apo kosovare.

Ju jeni takuar shpesh me Vuçiç, në bisedimet për Kosovë, ka kërkuar ndarjen e saj ose shkëmbimin e territoreve?
Presidenti i Serbisë e dëshiron realisht një zgjidhje përfundimtare dhe po ashtu përshtypja ime është se ende nuk i qaset zgjidhjes përfundimtare me një vendimmarrje përfundimtare për ta këputur me shpatë. Dëshirën dhe vullnetin e ka, por ende është në një pikë ku nuk ka zgjidhje përfundimtare. 

Si e komentoni lëvizjen për shfuqizimin e Gjykatës Speciale të Kosovës? Një lëvizje politike kjo e Thaçit...ishte një lëvizje e gabuar që duhet korrigjuar?
Së pari, mbetet për t'u provuar që kjo është një lëvizje e orkestruar. Së dyti, mendoj që është zhvilluar në një terren paqartësie që ka krijuar konfuzion edhe te parnterët. Së treti, kam bindjen se duhet shpjeguar gjithçka me kujdes dhe me durim dhe patjetër që në fund të ditës, Kosova është nëna e të gjithë atyre që janë lindur aty, por është foshnja që lindi si shtet sovran e të gjithë atyre që janë kundër zhbërjes së këtij legjislacioni. Është se unë e shoh të domosdoshme që kur ka çfarë do qoftë një nismë, qasje të caktuar lidhur me çështje të kësaj rëndësie, duhet të merren në konsideratë qëndrimet e artye që e lindën këtë foshnje të lirisë dhe pavarësisë së asaj pjese të trojeve shqiptare.

Gjykata Speciale pritet të ketë si objekt hetimi raportin e Dick Marty në të cilin thuhet se krimet e pretenduara janë kryer në territorin e shtetit shqiptar. A do bashkëpunojë shteti shqiptar që hetimet e kësaj gjykata të përfshijnë edhe territorin e shqiptar?
Nëse tribunali do ngrihet mbi librin e Dick Marty do ishte një zhgënjim shumë i madh. Është ngritur mbi fantazi, sepse aspektet që prekin territorin shqiptar nuk verifikohen. Kemi qenë të hapur dhe ky ka qenë konstat edhe qëndrimi i qeverisë së kaluar, se Shqipëria nuk pengon asnjë proces hetimor lidhur me çfarë do akuze. Por nga ajo që kemi hulumtuar rezulton se ai është një libnër me një nivel fantazie që mund ta bënte Dick Marty-n një autor që të merrte një çmim në festivalet e filmave "Science fiction". Shqipëria as ka bërë dhe as do bëjë pengesë të provohet për të vërtetën.  

A bini dakord me deklaratën e ministrit Majko se bizneset e kufirit Kosovë-Shqipëri në rastin më të mirë kanë ngelur vetëm në vullnetin e mirë të qeverive?
E ka thënë në gjuhën e duhur, kush ka vesh le të dëgjojë se për kë bëhet fjalë.

A mendoni se ju si kryeministër se oligarkët po pengojnë shkëmbimin ekonomik mes dy vendeve?
Asaj që ka thënë Pandi nuk i heq asnjë presje, por nuk i bëj asnjë koment.

Shqetësim që duhet zgjidhur ...?
Duhen dy për të kërcyer tango.

Faji në Prishtinë?
Jo nuk thashë.

Vota kundër në OKB, ka pasur reagim nga SHBA?
Nuk është votuar kundër SHBA. Ishte një pozicion i ndryshëm nga ai i SHBA.

Kundër, ndryshe do ishte abstenim ...
Ne jemi një shtet, ku kohë më parë është më marrë një vendim që Shqipëria do të votojë në një linjë me BE. Ne nuk jemi një vend i BE apo që duam të anëtarësohemi, që duke ndryshuar votën aty do t’i çojmë një mesazh BE. Vendimi i marrë kohë më parë dhe nëse do të thoshim që kjo është një votë kundër SHBA, po ju them që rezoluta e votuar shumë kohë më parë është shumë më e rëndë.

Përse nuk u abstenuan?
Sepse ne duam që Shqipëria të jetë një shtet serioz. Shqipëria në të gjitha këto raste, kur ka ndarje mes aleatëve të mëdhenj, voton në union me BE. Kjo nuk është kundër SHBA. 

VIDEO/ Emisioni "5 Pyetjet nga Babaramo", i ftuar në studio Kryeministri Edi Rama, pjesa e parë

Pse refuzuat të dëgjonit kërkesën e FMN për të ulur borxhin publik dhe refuzuat kërkesën e saj për partneritetin publik-privat?
Marrëveshja me FMN ka ecur më së miri. Kjo ka qenë ndër kushtet themelore. Partneriteti publik-privat ka pasur një lloj shqetësimi për të ruajtur ekuilibrat. Ky partneritet është një instrument gjerësisht i përdorur, që e mbështet vetë Banka Botërore, nuk mund të dalë FMN të thotë ‘hiqni dorë’.

Është arritur kuota 1 miliard euro me kontrata te partneriteti?
Ka një problem serioz në mënyrën si trajtohet. Fatkeqësisht pjesa e politikës shqiptare partneritetin publik-privat duhet ta tundte si një flamur. Duket sikur ne nxjerrim para nga arka shtetit dhe ia japim privat, në fakt quhet kështu sepse me para publike financohet interesi publik.

Privati financon dhe lekët i merr shteti ...
Thirret privati në ndihmë për të shfrytëzuar kapacitetet e tij që shteti nuk i ka. Thirret për një sistem dialize, që të jetë i shtrirë në të gjithë vendin. Shteti merr përsipër ta shlyejë në një periudhë kohe, duke fituar edhe vetë. Shteti i thotë privatit ‘investo ti dhe në vite unë do t’i shlyejë dhe investimi do më mbetet mua’. Programi ‘1 miliard’ është më i drejtpërdrejtë, është një formë e partneritetit publik-privat.

Siç ndodhi me Rrugën e Arbrit, kinezët e kishin marrë me më pak, tani ka vajtur dyfishi?
Është e kundërta, sot çmimi është shumë i ulët, kinezët e kishin shumë të lartë.

Me të njëjtat parametra?
Me kinezët do të bëhej gjysma e kilometrave. Projekti i ri është krejt botë tjetër dhe janë shifrat.

Kush janë investitorët, s’po shohim një të huaj strategjik që vjen në Shqipëri?
Nuk ka nevojë për investitorë të huaj për të ndërtuar Rrugën e Arbrit. Programi është shumë i qartë, kompania është shqiptare.

Është dhënë Spitali i Fierit?
Jo.

Debati në Parlament me Bashën, kur tha se jeni i kapur nga oligarkët. Ju përmendët disa që njihen ...
Jo nuk përmenda disa që njihen, por që janë përfshirë gjerësisht ...

Emra që kanë përfituar nga partneritet publik-privat. Pashë që Basha uli kokën, por si qytetar kam një pyetje ‘Pse nuk i keni anuluar koncesionet?'
Së pari, kemi nisur procedura për të anuluar, kemi pajtuar studio të mëdha avokatie, të cilat na kanë këshilluar të mos i hyjmë rrugës së arbitrazhit, sepse jemi të humbur. Kjo pasi disa koncesione, që kurrë nuk duhen bërë, por jo të gjithë janë njëlloj. Ka një koncesion ku ti i jep privatit një të drejtë dhe i kërkon një shërbim dhe detyron qytetarin të paguajë. Ky lloj koncesioni është skandal.

Është dyfish skandal nëse paratë paguhen nga buxheti i shtetit ...
Kush paguhet nga buxheti?

Skanimi ...
Paguhet nga qytetarët, importuesit dhe eksportuesit.

Pse nuk i anuloheni, ose pse keni qenë selektiv?
Sepse duke qenë si koncesioni, një koncesion po kaq i poshtër, si ai i kolaudimeve, ku nuk ka ndryshuar asgjë, por ju është rrasur qytetarëve, që fut në xhep lekët te privati, s’ka gjykatë në botë ku një qeveri shkon dhe thotë që dua ta rrëzoj këto.

Pse keni qenë selektiv, atë të Kalivacit e anuluat ...
Kalivaçi është një koncesion shumë i vejtur, i parealizuar. Ne kemi rinegociuar skanimin, kemi ulur koston për qytetarët, kemi financuar nga buxheti i shtetit. Janë ca komplikacione që ç’të të them. Ndërkohë, që asnjë nga koncesionet tona, metoda jonë është që buxheti i shtetit financon dhe qytetari nuk paguan asnjë lekë, laboratorët, dializa, instrumentet shëndetësorë, janë të gjitha falas, që nuk ishin deri dje.

Matës për puset e ujit ...
S’ka lidhje fare.

Po puset e naftës që janë pa matës?
Nuk ka, jam shumë i sigurt, nuk ekzistojnë matësit për naftën, siç e imagjinoni ju.

Si nuk ekziston, vetëm në Shqipëri janë pa matës ...
Nuk ka matës në pus, siç imagjinoni ju matësit e ujit. Është tjetër gjë matja e sasive që dalin e hyjnë në një vend apo nga një depo në një tjetër. Janë gjëra krejt ndryshe, ne e kemi studiuar këtë gjë.

Që te burimi në pus, aty fillon vjedhja më e madhe që bëhet në Shqipëri me industrinë e naftës ... keni strategji për ta zgjidhur?
Nuk është kështu. Ne në sektorin e naftës kemi vendosur shumë rregull, por ka ende akoma për të bërë.

Sot ishit në komunikim, më bëri përshtypje sikur flisnit me ndonjë homolog ... A ndiheni përgjegjës për situatën e krijuar me naftëtarët e Ballshit?
Jo, kemi bërë maksimumin dhe do vazhdojmë kështu, është njëlloj si të themi 'operacioni mbaroi me sukses, pacienti vdiq'. Ne po përpiqemi të ndihmojmë të kurohet një plagë shumë madhe, por ARMO nuk është pronë shtetërore, është pronë private, e kanë bankat.

Pse shkuan tre ministra për të zgjidhur çështjen e ARMO-s? Kompania që e mori pse nuk paguan taksa?
Cila kompani? Bankat janë në të drejtën e tyre.

Janë 60 milionë euro ...
Nga e keni këtë shifër?

Nga të gjitha statistikat e mundshme ...
Është e pavërtetë, nuk ekziston. Flasim për periudhën që kemi qeverisur ne, jo për gropat.

Atyre ju vu kapaku, por këto 15 muaj pse?
Kjo shifër nuk ekziston. Ne kemi qenë të interesuar për të pasur rafinerinë në punë dhe punëtorët në punë, që të marrin rrogat. Detyrimet që burojnë nga gjithë ky proces i ndërlikuar nuk fshihen, janë aty. Ne kemi vepruar me sekuestro, që ju nuk e dini.

Ç’sekuestro?
Nuk flasim sekuestro të ARMO, jemi në një proces nxitës për ta vënë në punë. Janë bankat që duhet të bëjnë një marrëveshje me operatorë potencialë dhe seriozë.

Bashkëqeverisja ...
Historia e mësuese në Mirditë nuk është ashtu siç e thonë. Dalin ata që janë përgjegjës për gjendjen si e lanë shëndetësinë. Në 2013, spitali ishte ditë e zezë. Ata që për këtë sëmundje dhe për këtë ilaç, herceptinën, krijuan radhë me mikë, sepse lanë shumë pak ilaçe. Pra dhe për ta marrë ilaçin futeshe me mik, me test partie, se për 100 gra kishte vetëm për 20. Unë isha në mbledhje, u çua një mësuese he shprehu një shqetësim, i cili nuk u zgjidh me telefon, por me rrugë institucionale. U konstatua se kurimi do të fillonte në këtë periudhë, nga 800 flakonë ne kemi shkuar në 4 mijë, nuk mjaftojnë, por sot nuk ka një grua që ta marr ilaçin me test partie.

Hetimi i deputetëve ... Prokuroria duhet të sjellë prova në Parlament, parlamenti nuk është gjykatë ...
Është kazan çizmesh dhe fësh-fëshe çadrash. Nuk flet ambasadori, por SHBA. Ne i ngatërrojmë, kujtojmë se ambasadori është sic e kishin këta, djali i dajës. Kur flet ambasadori i SHBA, flet Presidenti i SHBA. Kur flet ambasadori i BE, flet BE. Nuk bëjnë ata asnjë fjalim që nuk merr aprovimin në qendër. Nuk janë si fjalimet e mia që i bëj, i them dhe nuk marr aprovim. Ambasadorët recitojnë fjalimet pasi marrin aprovimin. Mendoni se do lejonin ata pas gjithë këtyre përpjekjeve për të bërë reformën në drejtësi, se doli Rama me 74 deputetë, kemi dhe më shumë, dhe po kap reformën. Kjo është qesharake. Kjo është thjesht transmetim i ndryshimeve të rregullores, që nuk kapen sot.

Pse sekretari i përgjithshëm i Kuvendit fut dikë që ndërkombëtarët e kanë skualifikuar?
Nuk është kështu. Kushtetuta është shumë e qartë, e votuar edhe nga këta. Kur e kanë votuar, si duket nuk e kanë lexuar, s’e s’kanë pasur sy ta lexojnë, pasi i kishin futur të dyja këmbët në një këpucë.

Edhe ju me këmbët në një këpucë ...
Unë me të dyja këpucët në të dy këmbët që kam. Nëse sekretari do kishte bërë shkelje, do rrinin pa folur ata që flasin sa herë që ka një tentativë ..

Kush këta?
Po këta pra, partnerët tanë SHBA-BE. Kushtetuta i jep sekretarit diskrecionin me të cilin vepron.

Baza e reformës në drejtësi është Vettingu, pse zgjohet kryeprokuroren pa Vetting?
Sepse mandati i kryeprokurorit mbaroi. Kushtetuta na detyronte, siç thotë edhe dokumenti i atyre që monitorojnë procesin, të zgjedhin kryeprokuror të përkohshëm dhe me fillimin e Vettingut edhe kjo prokurore do bëjë Vettingun.

Opozita thotë që po mbyll shumë dosje kryeprokurorja ...
Opozita e ka motiv jetese sot dosjen. Dosja është problemi.

Edhe kjo qeveri duhet të ketë frikën e dosjeve ...
Unë s’kam asnjë frikë, e drejta për të bërë dosje është e prokurorisë.

Sa do rri Marku?
Deri kur të bëhet zgjedhja sipas procesit e kryeprokurorit të ri.

Kur mendohet?
Kur të zgjidhet KLP dhe të nisë procesi.

Ka gjasa të zgjasë?
Nuk merrem me këto. Në Parlament do të votohet KLP dhe ai do të bëjë propozimin e vet.

Të shtunën e protestës do jeni në Tiranë?
Po, patjetër. 

A do kemi marrëveshje me opozitën, pas asaj të 18 majit?
Marrëveshja e 17 majit u bë për zgjedhjet, marrëveshje për të mbyllur dosjet nuk bëjmë dot. Ku është problemi këtu? Atëherë kishim zgjedhjet duhet të bënim marrëveshje. Këtu vetëm një problem ka, zbatimi i Reformës në Drejtësi dhe dosjet. Nuk bëjmë marrëveshje për këto. 

Keni një koment për largimin e Blushit nga LIBRA dhe tërheqjen nga politika?
Fitoi gazetaria në këtë rast. Fitoi letërsia, sepse Blushi është një njeri që ka dhuntira të mjaftueshme dhe politikën nuk e ka bërë për hall apo se i kanë munguar dhuntitë. Kështu që, politika nuk ka humbur ndonjë gjë të madhe, ndërsa fushat e tjera mund të fitojnë ndonjë gjë më të madhe, mund të bëjë më shumë dhe i uroj të bëjë më shumë se sa dëshiroi të bënte përmes politikës. 

VIDEOEmisioni "5 Pyetjet nga Babaramo", i ftuar në studio Kryeministri Edi Rama, pjesa e dytë

d.c-l.q/Shqiptarja.com

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Kina, sanksione ndaj 7 kompanive si kundërpërgjigje ndaj ndihmës ushtarake amerikane për Tajvanin

Kina, sanksione ndaj 7 kompanive si kundërpërgjigje ndaj ndihmës ushtarake amerikane për Tajvanin