Rama, Meta, Basha e Berisha, çfarë mund të bënin këta përtej jetës politike?

Rama, Meta, Basha e Berisha, çfarë mund të bënin këta përtej jetës politike?

Ilir Meta, Edi Rama, Lulzim Basha dhe Sali Berisha

Në historikun e politikës shqiptare, sidomos tek politikanët e rangut të lartë, President i Republikës e Kryeministër apo kandidat potencial për t’u bërë i tillë, ka qene dilema publike se çfarë do të bëjnë e me se do të merren ata kur të bien nga pushteti. Dhe këtu kam parasysh momentin kur ata dalin përgjithmonë si njerëz të lirë e civilë, të çliruar nga çdolloj angazhimi politik. Nisur nga protagonizmi i madh që ata shfaqin në politikë, të krijohet përshtypja se kjo është e vetmja punë që dinë të bëjnë, ndaj po jap një parashikim modest se si i shoh ata përtej jetës politike.

Nëse do të merrja në analizë të ardhmen jashtë politikës për personazhet kryesore të aktualitetit: Edi Rama, Ilir Meta, Lulzim Basha dhe Sali Berisha, tabloja që do krijoja do të ishte kjo:

Për kryeministrin Edi Rama

Më se njëherë ai ka folur për një jetë të tretë të tijën e cila do zhvillohet jashtë politikës. Në atë jetë unë e shoh Edi Ramën në këto angazhime:

1. Piktor, një zanat për të cilin ai është diplomuar dhe ka dhënë mësim, të cilin e ka ushtruar pa ndërprerje gjatë këtyre tri dekadave duke qenë prezent nëpër ekspozita e galeri me famë botërore në Evropë e Amerikë.

2. Skulptor, një zanat i trashëguar nga i ati dhe që e ka ushtruar paralelisht me pikturën, por në formë më të kufizuar për shkak të angazhimeve politike.

3. Kritik i arteve figurative, ku shumë e herë e kemi parë në diskutime e debate të këtij lloji me një forcë të madhe argumentuese për cilësinë ose jo të një punimi të caktuar artistik. Jo vetëm kaq, por ai shquhet për ide novatore në këtë lëmë, gjë që e bën të kërkuar brenda e jashtë Shqipërisë.

4. Shkrimtar, ku si autor i dy librave “Refleksione” 1992 dhe “Kurban” 2011, prej tij pritet që në jetën e tretë të vijojë botimin e përjetimeve për periudhën 2013 e në vijim, me personazhe vendas e të huaj, ku padyshim do të kemi disa vëllime bestseller.

5. Shqipërues, ku si një zotërues i shkëlqyer i gjuhës shqipe, mos u çudisni kur prej tij të vijnë përkthime nga anglishtja, frëngjishtja e italishtja. Shkrimtarja Ornela Vorpsi kishte dëshirë që librin e saj ta përkthente Edi Rama, gjë që u pamundësua prej kohës së kufizuar që ai pati prej detyrës që ushtron aktualisht.

6. Publicist, zhanër që e ka ushtruar qysh në fillesat e demokracisë në gazetat më të lexuara të asaj kohe dhe ku la gjurmë në vazhdimësi me penën e hollë, gjuhën e pasur e të drejtpërdrejtë si dhe me forcën e argumentit.

7. Modelues veshjesh, të cilën ka disa vite që e ushtron ku modelon me finesë kollaret e veta, por që në jetën e tretë nuk përjashtohet që këtij koleksioni t’i shtohen këmishët dhe kostumet.

8. Kritik letrar, ku në jo pak raste kemi ndeshur tek ai një stilistikë brilante në zbërthimin e veprave të shkrimtarëve tanë. Natyrisht, angazhimet politike nuk ia kanë lejuar që aspektin kritik ta bëjë të thelluar, por mjafton gjuha e shprehur edhe ashtu përmbledhtazi për të besuar se kjo është një fushë që ai di të lërë gjurmë.

9. Trajner basketbolli, sport të cilin e ka ushtruar në rininë e tij si lojtar i Dinamos dhe i ekipit tonë kombëtar, por që nuk e lë pas dore sa herë i jepet rasti kur inauguron palestrat nëpër shkolla.

10. Shoëman spektaklesh, ku padyshim ka pasur disa eksperienca televizive si prezantues, si këngëtar e së fundmi edhe në kinematografi.

Për presidentin Ilir Meta

Është një politikan që nuk i ka thënë punës mirëmëngjesi, sepse detyra e tij e parë në jetë ka qenë deputet. Jo se të qenit deputet nuk është punë, por ky handikap i Ilir Metës nuk na lë shteg që të parashikojmë se çfarë zanati tjetër mund të kryejë presidenti Meta kur të dalë jashtë politikës.

Ilir Meta është diplomuar për ekonomi, por zor ta shohësh si këshilltar ekonomik.

Ka eksperiencë si peshëngritës, po edhe këtu vështirë që ta parashikosh si trajner. Ndoshta si president i federatës.

Ilir Metën e shoh si ndërmjetës tregtar (business lobbyist) dhe kjo jo për ndonjë aftësi të tijën, por për shkak se tri dekada në politikën aktive, me postet më të larta se askush tjetër, i kanë mundësuar njohje me personalitete të fushës së politikës e biznesit dhe kjo natyrisht që të hap dyert për sukses.

Për kryetarin e PD-së, Lulzim Basha

Nga formimi është jurist, po edhe për këtë ka dyshime rreth diplomimit në Holandë. Gjithsesi, edhe në këtë lëmë, qysh kur i hyri politikës në vitin 2005 e në vazhdim, nuk gjejmë tek ai asnjë mendim të folur a të shkruar juridik që të jetë bërë tezë diskutimi. Nuk të jep siguri se pas jetës politike do të shkëlqejë si jurist për të hartuar e interpretuar me baza shkencore aktet juridike.

Në rininë e tij ka pasur si eksperiencë të qenit Di-Xhej (Deejay), por nuk e shoh në këtë fushë sepse nuk e ka as tipin dhe sigurisht nuk do të ketë as moshën për t’u marrë me një fushë të tillë rinore.

Një punë që vërtetë Lulzim Basha mund të shkëlqejë kur të heqë dorë nga politika, është të rifillojë zanatin e përkthyesit (interpreter) i gjuhës angleze. Ai ka dhënë prova se di ta bëjë më së miri këtë punë e cila nuk njeh moshë, kësisoj kemi se çfarë të fitojmë prej tij.

Për ish-kryeministrin Sali Berisha

Është një personazh enigmë i cili vetë e ka pranuar publikisht se nuk do i kthehet kurrë profesionit të mjekut. Berisha e argumentoi këtë për shkak të moshës dhe për faktin se për tri dekada e la pas dore zanatin që e afroi me piramidën komuniste.

Sali Berisha mund të bëhej një shkrimtar, ku të hidhte në letër kujtimet e këtyre 30 viteve, gjë që do t’i shërbente shumë historisë së pluralizmit shqiptar. Por, duke qenë se karriera e tij është ngritur me plot gënjeshtra dhe problematika të cilat e kanë kushtëzuar që të mos jetë i vërtetë, ia pamundëson që përjetimet e tij si zyrtar dhe protagonist absolut i demokracisë, t’i radhisë në libra. Të paktën, sa kohë bashkëkohësit e tij janë ende gjallë, ai e ka të pamundur që ta luajë rolin e shkrimtarit sepse e di fort mirë që do të dilte blof.

Edhe pse fizikisht është në jetën e tretë, nuk mund ta shfrytëzojë dot atë pa u marrë me politikë. Sali Berisha është tipik prototipi i njeriut që, sa të jetë në këtë botë, s’mund të merret me gjë tjetër veçse me politikë. Për të keqen e tij dhe tonën bashkë.

Natyrisht që ai s’do heqë dorë as prej rolit të zëdhënësit të “qytetarit digjital”, me gënjeshtra e gjysmë të vërteta, sigurisht edhe me ndonjë të vërtetë sa për t’u dhënë besueshmëri dy të parave.

Konkluzion:

Sa shtjellova më sipër, nuk pretendoj se kam zbërthyer plotësisht të ardhmen e këtyre 4 politikanëve, sepse jeta është dinamike. As u mundova të futem në teori konspirative ku përkrahësit e secilës palë e kanë në majë të gjuhës që këtyre personazheve, e jo vetëm, i urojnë qelinë e burgut. Apo që i kujtojnë milionat e pretenduara se kanë fituar gjatë të qenit politikanë dhe që u mjaftojnë ato për të mos bërë asnjë punë. Për sa kohë nuk kemi vendime të formës së prerë për krime penale, këto supozime i kam anashkaluar në këtë rast. Thjesht u përpoqa në maksimum të jem sa më realist duke mos pasur asnjë paragjykim në trajtimin e tyre.

E rëndësishme është të kuptojmë se ç’mund të jenë këta liderë përtej kostumit të politikanit që ne i njohim dhe që, jo pak herë, ky kostum mistik nuk ua nxjerr në pah dimensionin tjetër, atë njerëzor, që kanë çfarë t’i japin shoqërisë në profesione të tjera që i zotërojnë prej shkollimit apo të fituara nga eksperienca jetësore.

Çdokush që i lexoi këto radhë dhe që ka njohje më të thelluar për këta personazhe, është i mirëpritur t’i pasurojë më tej alternativat profesionale që parasheh tek secili prej tyre, por duke lënë mënjanë politikën./ Marrë nga Tema

E.M./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Une...: 27/12/2020 17:29

    Do isha i mendimit Berisha e Meta te pastronin halet e burgut... Lzl Luleqimja sfilate mode si bythnjitur dhe Edi Rama te zhgarravise fytyrat e tyre per te trembur shpwndet.

    Përgjigju
  • Tirona: 27/12/2020 14:36

    Cfare do benin keta nese nuk do te ishin futur ne Politike.Rama, si pa u futur ne politike ashtu edhe ne politike e ka treguar veten se cfare do bente do ishte i zoti te bente nje pune te nderuar duke siguruar nje jete normale familjes se tij. Ilir Meta, do te ishte nje njeri i paafte dhe i deshtuar ,mund te bente cdo lloj pune te pakualifikuar per te mbajtur familjen e tij me buke ashtu sic po punojne mijra qytetare dhe fshatare te ndershem, por ky nuk do te pranonte pune te tilla dhe sot Ai mund te ishte kontigjent i krimit i skeduar apo i burgosur. Gjeja me e zgjuar qe ka bere Ai eshte se duke pare paaftesine per te bere nje jete luksoze pa punuar asnjehere zgjodhi rrugen e politiken , por edhe kjo rruge i deshtoi se eshte nje njeri i paafte dhe ky deshtim e ka skeduar Ate per tu mbyllur ne dhomat e Burgut. Lulzim Basha po te vazhdonte punen e tij si kamarjer do te ishte nje njeri i nderuar. Sali Berisha , do te ishte nje doktor i thjeshte dhe i nderuar nga pacientet e tij, por pjesmarja e tij ne politike ishte fat i keq i per Shqiperise

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se komisionet hetimore për Shëndetësinë e TIMS do kenë rezultat?



×

Lajmi i fundit

Një shesh në Tiranë do të mbajë emrin e Dr. Florit, ja ku ndodhet

Një shesh në Tiranë do të mbajë emrin e Dr. Florit, ja ku ndodhet