Por, këtu ka një element që mund të na ‘tradhtojë’: LSI nuk duhet marrë domosdoshmërisht si pengesë e përpjekjeve ‘titanike’ për reforma të mëdha të Edi Ramës. Assesi. Meta me të tijtë, dhe me, medemek stërkëmbëshat, janë tamponi perfekt midis realitetit postfushatë elektorale dhe premtimeve të ekzagjeruara dhe të pambajtshme në fakt të kohëfushatës. Që të dyja, edhe taksa progresive, por sidomos shëndetësia falas, kërcitën që në fillim në kontaktin e tyre irreal me botën reale. Ishin pak si shumë dhe do vazhdojnë të jenë të tilla për gjatë. Madje, qe vetë lideri socialist Rama, që pas një takimi me biznesmenët, u duk sikur e hoqi pak këmbën nga gazi, por pa u tërhequr nga premtimi, përderisa të tijtë hodhën në sajtin e PS edhe një software që përllogariste taksën sipas rrogës.
Mbrapaktheu gradual që duket se ka nisur në lidhje me llojin e taksimit dhe shërbimin shëndetësor, do t’i faturohet LSI, partnerit strategjik, dhe nevojës për një aleancë të shëndetshme dhe luajalitetit të majtë. Partitë që premtojnë në shkallë të madhe dhe më pas qeverisin me vizore konsiderohen qeveri nën mesataren, pra mediokre.
Me çfarë mjetesh do të zhvendoset atëherë vëmendja nga ky mediokritet? Me ndërthurje të llojit estetik për të cilat Edi Rama është mjeshtër. Ai e ka paralajmëruar disa herë në këtë muaj të parë me statusin ‘kryeministër i zgjedhur’ se do të bëjë me Shqipërinë atë që bëri me Lanën. Si për ironi të gjërave, ashtu si atë kohë, edhe tani Rama dhe Meta janë një kompani. Te ruspat mbi ndërtimet pa leje dhe një lifting i territorit do të përqendrohet goditja e Ramës, dhe ashtu si në rastin e Tiranës në fillimvitet 2000, Meta do ta mbështesë.
Qeveria do të jetë mediokre dhe pa reforma të mëdha, por do të jetë një qeveri e (re)formës estetike. Do të ngazëllehen me territorin e zbukuruar të shkolluarit jashtë dhe një pjesë e shtresës së mesme nacionaliste, dhe ata që jetën e vlerësojnë si tipologji estetike. Por kjo do të jetë tradhtia e dytë për atë që shërben si baza e gjerë e së majtës shqiptare: të varfrit. Premtimi se kush merr më pak paguan më pak dhe shëndetësia falas, pra nevojat bazike të jetës do të takohen me shemrën e vet: estetikën.
Estetizmi i Ramës, megjithë zhurmën e matrapikëve, ndërtesave që rrëzohen, hekurit, betonit, ndërhyrjeve dhe gjer te detaji më i vogël, do t’i hapë fushën ‘pragmatizmit’ të LSI. Kështu kanë filluar ta quajnë mbështetësit mediatikë të Ilir Metës trashëgiminë dhe aksionin politik të kësaj force. (Preç Zogaj, një kundërshtar e quan ‘mazhorancë socialiste dhe financiare’ shumicën që merr pushtetin në shtator).
Ky pakt, i heshtur ose jo, mes partnerëve të koalicionit të majtë, do të fashisë çdo mundësi për divergjenca gjatë rrugës. Mazhoranca e re do të jetë më e përputhshme dhe më e qëndrueshme se sa shumë mendojnë. Edhe një diversion i kërkuar, që shtyhet me zor nga segmente të së djathtës, sipas të cilit Rama e Meta nuk do të qeverisin dot bashkë, është i gabuar dhe madje dëmtues për opozitën e nesërme. I tillë sepse krijon idenë se vendit nuk i duhet një rotacion nesër sa kohë që opozitë e Ramës dhe PS ekziston dhe ajo është ‘pragmatistja’ LSI e Ilir Metës. Favor më i madh nuk mund t’i bëhet së majtës.
Nëse duhet një shenjë për të kuptuar këtë binjakëri të llojit (brotherhood of the wolves) ajo gjendet te ndarja e mandatit të ministrit nga i deputetit. Rama e Meta ranë dakord shpejt e shpejt për këtë, dhe madje uniteti shkoi deri aty sa Meta përkundër ç’pritej, zgjodhi të ishte kryetar i Kuvendit, pra me mandat të përforcuar parlamentar. Gjithashtu të sugjeronte se kryeministri, pra Rama, nuk kish pse hiqte dorë nga mandati i deputetit. Vini re: Meta e Rama janë të parët, por jo mes të barabartëve.
Gatituni për një qeveri të qëndrueshme dhe mediokre: estetika e Ramës do të takojë heroikën financiare të Metës. Premtimet do të humbasin (kanë filluar ende pa filluar) rrugës. Gishti, goja dhe populli janë përherë aty.
Nga Alfred Lela