Rama: Meta lëshoi një re kaq të madhe nga pantallonat (VIDEO)

Kreu i qeverisë Edi Rama deklaroi se dekreti i presidentit për të anuluar zgjedhjet nuk dëmton as atë dhe as qeverinë socialiste por të ardhmen e vendit. Ai tha se mbështetja popullore për të është e palëkundur.

"Meqë bëhet një përpjekje e madhe, tribunë më tribunë, kanal më kanal, portal më portal, për të mi faturuar mua zgjedhjet pa kundërshtarët kryesorë e për ta devijuar krejt logjikën e kësaj që po ndodh, duke e trajtuar si pasojë të kokëfortësisë, autoritarizmit, çmendurisë, madje deri edhe të një qëllimi të fshehtë, djallëzor, për të provokuar një konflikt civil në Shqipëri dhe po e filloj me një pyetje për të gjithë ata që duan të logjikojnë mbi këtë situatë, sa të qartë, aq edhe konfuze, sa të lidhur me interesat e një grushti njerëzish, aq dhe të pandashme nga interesi kombëtar dhe publik, sa të kuptueshme, aq edhe absurde: Çfarë interesi vetjak, ngushtësisht personal, politik, kam unë që të jem kaq i patundur dhe i patundshëm nga bindja se kjo nuk është koha për asnjë kompromis, por është koha për fushatë dhe për zgjedhje në 30 qershor.

Këto zgjedhje janë vendore. Partia Socialiste, në rang vendor qeveris pothuajse 75% të territorit të vendit dhe drejton thuajse të gjitha bashkitë kryesore. Shumica jonë parlamentare është solide dhe mbështetja e saj për mua, për qeverinë, është e palëkundur dhe e palëkundshme.

Qeveria ka 1001 probleme dhe çështje për të adresuar. Ekonomia goditet nga ky tension i lartë artificial. Turizmi dëmtohet, edhe besimi i investitorëve. Qetësimi i situatës, duke shfrytëzuar qoftë edhe skandalin e zhdekretimit të zgjedhjeve, duket si gjëja më e lehtë. Atëherë, për çfarë më duhet mua personalisht, meqë shumëkush preferon të më drejtohet personalisht, një dhimbje jo e vogël koke, si ecja në këto kushte jo normale, drejt, përpara në rrugën e 30 qershorit, kur nuk kam asnjë lloj interesi të ngushtë, pragmatist, të kthehem në pengesë për qetësimin e kësaj situate dhe asnjë pengesë në rrugën e qeverisjes sikur zgjedhjet të shtyhen qoftë dhe në pafundësi.

Madje-madje, po të isha ngushtësisht i interesuar, për mua personalisht, për rehatinë dhe për karrigen time, por dhe për qeverinë tonë, unë duhej të isha i pari që të hidhesha përpjetë nga gëzimi që Presidenti i Republikës lëshoi një re kaq të madhe nga pantallonat mbi datën e zgjedhjeve. E quaja një shpërthim gjenialiteti politik dhe laja dhe lanim duart me procesin zgjedhor, duke thënë bravo zoti President, absolutisht dakord dhe punë e madhe se ne nisëm fushatën me firmën tuaj, çfirma juaj na e hoqi dhimbjen e kokës, prandaj e lëmë këtë punë, këtu jemi, i bëjmë zgjedhjet kur të bien të tërë dakord. Ose edhe e kundërta. Ia lija fajin Ilirit për ndërprerjen brutale të fushatës, duke i thënë jazëk të qoftë zoti President, ngrija duart lart përpara shqiptarëve, u zhduk data e zgjedhjeve nga horizonti dhe dilja si një burrë i urtë, i pafajshëm, në një lojë marrëzie politike.

Kështu me thënë të drejtën, për ta çuar deri në fund tani absurdin, sikur të isha siç dal tek filxhani i fallxhores, apo tek katrani i plakut dixhital, shpëtoja dhe unë, bashkë me Partinë Socialiste nga zgjedhje të tjera të mëtejshme, sepse me këtë budallallëk, të kthyer në precedent, na jepet mundësia të thonim nesër, nuk duam zgjedhje vendore, se ashtu e kemi një punë, madje as zgjedhje të përgjithshme nuk duam sepse kemi informacione të sigurta nga disa burime që nuk i themi dot për një sulm bërthamor ndaj Shqipërisë.

Kështu që, përderisa zgjedhjet nuk u bëkan po nuk deshi një palë, nuk bëhen kurrë. Mirëpo, shtetet demokratike kanë kushtetuta dhe ligje, nuk funksionojnë përveçse me parimin e barazisë së të gjithëve para ligjit. Prandaj dhe këto lloj aventurash mendore nuk mund të kthehen në veprime politike dhe t’i imponohen një populli të tërë për hesap të njërit apo të tjetrit. Sot hidhet përjetë një grup, nesër hidhet përjetë një tjetër dhe kështu alla shqiptarçe, ky viti i mbrapshtë kadarejan kthehej pa asnjë pengesë në një dekadë të mbrapshtë bastesh politike, duke e bërë Shqipërinë, skenën ku e ardhmja luhej si tek Kumarxhiu i Dostojevskit", tha Rama.


Lajmi kryesor:

Mazhoranca kalon 94-shen që do i duhej për shkarkimin e Metës/ Rezoluta kundër dekretit merr 100 vota (edhe opozitën e re) - VIDEO


G.M./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë