Rama: Në 2016 nisim operacion
 për titujt e pronësisë në fshat

Rama: Në 2016 nisim operacion<br /> për titujt e pronësisë në fshat
KORÇË - Korça ka qenë qyteti i parë që Partia Socialiste ka zgjedhur të nisë turin "Për të pastruar më tej Shqipërinë”. Kryesocialisti Edi Rama, anëtarë të kabinetit qeveritar, deputetet dhe drejtuesit e pushtetit vendor kanë zbritur në terren për të prezantuar arritjet e deritanishme por edhe projektet e së ardhmes. Në fjalën e tij Rama pranoi se ende ka shume punë për të bërë. 

"Jemi në një moment kyç se ne patëm kurajën të merrnim disa reforma të cilat të tjerë para nesh nuk e gjetën këtë kurajë. Sot reformat janë në proces, në një organizëm të sfilitur dhe të gjunjëzuar nga një kancer i përhapur në çdo pjesë të tij. Unë nuk hyj tek ata që besojnë se qeveria mund të bëjë mrekullira vetëm dhe e vetme, apo të ketë një kryeministër që t'i thotë duhet të jeni shend e verë se ekonomia po shkon mirë. Unë besoj se hyj tek ata kryeministra që në këtë detyrë jetojmë ngushtësisht me ndjesinë e vështirësisë së njerëzve dhe sa më në vështirësi njerëzit aq më i fortë është kryeministri. Besoj se hyj tek ata që jetojnë ngushtësisht me ndjesinë se çdo ditë duhet bërë diçka dhe më shumë dhe se çdo përpjekje ja vlen në këtë aspekt se pavarësisht çdo përpjekje përsëri do të ketë ende më shumë për të bërë, duke folur për ekonominë. Dy vjet më parë ne morëm një ekonomi në buzë të humnerës dhe e kërcënuar nga një shpërbërje financiare dhe nga kolapsi energjetik. Ishim në një tjetër situatë dramatike edhe pse më e pandjeshme për shkak se fëmijët shkonin në shkollë. Mbyllëm 18 universitete piramida që thithnin gjakun e familjeve për t'i dhënë diploma pa asnjë vlerë. Me çfarë tekstesh mësonin? Larguam afro 800 tekste. Kishim një sistem që nuk bëheshe dot mësues pa një teserë partie. Sot nuk jemi në kushtet që të themi gjithçka është rozë, mase nuk do jemi kurrë në kushtet të themi që gjithçka është rozë, por nuk jemi ende aty ku do të jemi me siguri në procesin e mbledhjes së fruteve të gjithë kësaj pune që po bëjmë. Të rehabilitimit të këtij trupi që operojmë të cilin e futëm të sfilitur në operacion të cilin në këtë proces po e shohim aktiv", tha Rama.

Fjala e kryeministrit Rama

Kryesocialisti ka zbuluar po ashtu se në 2016 do të nisë një operacion që ka të bëjë me titujt e pronësisë në fshat. 

"Ka ende shumë për të bërë, por ku ishim e ku jemi? Ne e kemi kthyer plotësisht timonin dhe drejtimin dhe kemi filluar të pastrojmë metastazat e bujqësisë të organit jetik për ekonominë tonë. Janë gjëra të thjeshta që janë bërë të mundura, uji në parcelë, kanalet kulluese. Një nga arsyet pse kemi qenë fuqimisht të motivuar për reformën për t'i dhënë bashkive këtë përgjegjësi të madhe, që të jenë më të pranishme në jetën e  fshatit, bujqve dhe fermerëve. Shtuam investimet për të pastruar kanalet ujitëse dhe kulluese. Në bashkitë e reja mund të çelim një operacion të ri vitin e ardhshëm, për titullin e pronësisë në fshat, që e pengojnë atë fshatarin, të gjithë këtë shërbim t'ia bëjë bashkia. Programi i mbështetjes financiare, më i madhi që i është vënë ndonjëherë fshatit, sipërmarrësve dhe njerëzve që kanë ide të përfshihen në këtë program që do të mbështetet nga qeveria dhe do të financohet nga bankat", u shpreh kryeministri Rama.

Pasi bëri thirrje për bashkim dhe forcim të Partisë Socialiste Rama shpërndau dhe mesazhin se anëtarësia në Partinë Socialiste të mos shihet si mundësi pune. 

Bashkimi i PS - Na duhet të bashkojmë PS të bashkojmë fuqitë me ata që janë të kthjellët se kjo është e vetmja rruga. Të gjitha të tjerat janë përralla, asnjë vend nuk është ndërtuar dhe nuk është bërë shtet duke gënjyer vetveten siç e ka gënjyer ky vend për përgjegjësinë e atyre që ka zgjedhur ta drejtojnë për aq shumë vite me idenë që këtu do të bëhet më mirë nesër nëse sot nuk pranojmë asnjë sakrificë, nuk shkohet asnjë ditë më para. Sikur me këtë pastrim të thellë të një shtëpie që në 20 e kusur vete nuk ka parë një fshesë, pa llogaritur një pikë për tu larë, do të ishim sot në kushte krejt të tjera. Këtë moment për të rifilluar e kanë caktuar shqiptarët më 23 qershor.
 
Për ata që janë në PS duhet të kuptojë se kemi nevojë për të pasur edhe të tjerë mes nesh, dhe kur nuk janë pjesë të kuptojnë se këtu është forca ku mund të japësh një kontribut sado të vogël për të pastruar më tej Shqipërinë. 

Anëtarësimet në PS - Kemi një objektiv, vitin e ardhshëm PS bën 25 vjetorin, futet në pjekuri të plotë dhe objektivi është të kemi 150 mijë pjesëtarë në familjen tonë dhe nuk është çështje numri, por përmbajtjeje. PS nuk mund të jetë dhe të reduktohet në një hapësirë ku debate kryesor, shqetësimi kryesor dhe arsyeja kryesore për të bërë debat, është unë nuk kam punë, ai ka punë, po unë kur do kem punë, sado legjitime të jenë, se këtu është një Shqipëri e tërë që ka një problem të madh me punësimin, por edhe një Shqipëri e tërë që punon në sektorin publik privat në qytet në fshat, dhe siç është dominante në territor do jetë dominante edhe në PS. PS e ka të nevojshme që si forcë kryesore qeverisës të jetë mjedisi ku energjia për debat fokusohet tek domosdoshmëria e modernizimit të vendit, dhe këtu është e rëndësishme që ne mos të mungojmë në kuptimin e të gjitha niveleve të organizimit të Partisë Socialiste. 

​Turi i kryesocialistit Rama do të zgjasë deri në mbledhjen e Kongresit të PS-së. Rama e lajmëroi këtë në mbledhjen e fundit të grupit parlamentar , ku u kërkoi ministrave e deputetëve më shumë angazhim ne terren me qytetarët.

rama ne korce


Zëvendëskryeministri Niko Peleshi tha se orientimi i politikave në shërbim të qytetarit ka qenë në qendër të qeverisjes së majtë në këto dy vjet. ndërsa duke folur shkurt për opozitën, Peleshi tha se ajo nuk ofron alternativa.

"Shqipëria ka nevojë për debat që orientohet nga interesi i shqiptarëve. Kemi një opozitë që ka bërë zgjedhjen e rrugës së pragmatizmit të ditës dhe jo rrugën e ofrimit të alternativës së vet të munguar. Debati në parlament bie në batakun e mungesës së alternativave. Qeveria dhe PS duhet të jenë të orientuara nga ky interes, të mos humbasim sensin e orientimit nga ai që ka qenë motivi dhe kauza e qeverisjes sonë, Shqipëria e gjeneratës tjetër. Një Shqipëri më normale është një Shqipëri më e pastër, nga informaliteti etj. Puna dy vjeçare e qeverisë ka pasur si frymëzim ndërtimin e një raporti të ri të qeverisë me qytetarët dhe me problemet e Shqipërisë. Sot po shpallim këtë slogan, për një Shqipëri më të pastër nga informaliteti. Kemi marrë rezultate të mira nga lufta kundër informalitetit në energji dhe rezultatet e para nga lufta kundër informalitetit në  arsimin e lartë, kemi kaluar një reformë për të formalizuar biznesin. Kemi marrë rezultat të shkëlqyer këtu në Korçë në bujqësi, të cilët kanë marrë NIPT-in duke u formalizuar. Sot është e nevojshme t'i japim fund mentalitetit të investimeve me qëllime elektorale, ndaj Fondi i zhvillimit të Rajoneve ka qenë i orientuar jo nga projektet e vogla për të kënaqur deputetin e radhës, por projekte të transformimit urban", u shpreh Peleshi.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Djegin karriget dhe sende drejt Spiropalit, si e vlerësoni aksionin e PD?



×

Lajmi i fundit

Champions League/ Leverkusen bën për ‘Aspirina’ Milanin, Dortmund ‘tërmet 7 ballësh’! Barcelona me pesë yje, shkëlqejnë Inter, City dhe Arsenal

Champions League/ Leverkusen bën për ‘Aspirina’ Milanin, Dortmund ‘tërmet 7 ballësh’! Barcelona me pesë yje, shkëlqejnë Inter, City dhe Arsenal