Rama: Në administratë hapësira
talenteve dhe jo kushërinjve

Rama: Në administratë hapësira<br />talenteve dhe jo kushërinjve
VLORE – Besnik Dervishi lë prefekturën e Vlorës duke i kaluar zyrtarisht detyrën prefektes së re Etjona Hoxha. Ajo është pedagoge në departamentin e Gjuhë-Letërsisë në Universitetin e Vlorës “Ismail Qemali” dhe njëherësh pjesë e Asamblesë Kombëtare të Forumit të Gruas Socialiste. Ende nuk dihet detyra e re që do të marrë ish-prefekti, por vetë ai tha gjatë fjalimit se i është caktuar një “detyrë e rëndësishme në Kryeministri”.

Besimi në duart e një gruaje të një detyre kaq të rëndësishme, siç u shpreh prefektja e re, është vlerësim i cili sipas saj do të shpërblehet me punë. Punë e cila, siç theksoi ajo, do të nisë duke sulmuar fenomenet si korrupsioni, papunësia, nepotizmi, pandëshkueshmëria dhe papërgjegjshmëria. Prefektja e sapoemëruar tha se Vlora do të jetë pjesë integrale e procesit për reformën adminsitrativo-territoriale, e cilësuar si një nga prioritetet e qeverisë.

Në ceremoninë e mbajtur në teatrin “Petro Marko” në qytetin e Vlorës, kryeminitri Edi Rama i shprehu mbështetjen e qeverisë Etjona Hoxhës në këtë detyrë të re, ndërsa theksoi se shpreson që ajo të bëjë realitet gjysmën e premtimeve, për të sjellë një marrëdhënie të re mes njerëzve dhe institucioneve, duke vendosur në vend, sipas tij, dinjitetin e njerëzve në raport me shtetin.

Kreu i qeverisë foli për nevojën e nxitjes së sipërmarrjes në krijimin e vendeve të reja të punës, dhe jo në politikën e paraardhësve të tij që e konceptonin shtetin si “fole punësimi”. 

“Eksperienca na e tregoi, se paraardhësit e transformuan shtetin në fole punësimi me njerëz që figurojnë punonjës të shtetit, kur në fakt janë pensionistë që marrin një rrogë dhe nuk ua kthejnë këtë me shërbimin që meritojnë qytetarët. Ne nuk mund të vazhdojmë në këtë traditë të shëmtuar të një pushteti të përqëndruar në një klientelë të ngushtë nepotike e klanore. Duhet të bëjmë institucionet e shtetit të kriojnë kushtet që Shqipëria të zhvilohet përmes punësimin dhe edukimit”, tha Rama.

Administrata sipas kreut të qeverisë, tashmë duhet të jetë hapësirë për njerëzit me talent, dhe jo për kushërinjtë.
 
“Tani që jemi në pushtet duhet t’i japim një përmase të re atyre personave që e kishin të pamundur të merrnin pjesë, ku gjithkush ishte i kërcënuar drejtpërdrejt për bukën e gojës. Dua të jem shumë i qartë se ne duhet të nxjerrim më të mirën nga çdo vatër progresisti dhe progresi, nga çdo pjesë e komunitetit, në mënyrë që t’i japim vendin që meriton çdo talenti, çdo eksperience dhe t’i japim fund një ndasie të vjetër e shkatërruese të atyre që me pushtetin nuk dinë gjë tjetër veç të rregullojnë në punë kushërinjtë. Kjo është vota më e brishtë që kemi marrë sepse është e lidhur me pritshmëri të jashtëzakonshme dhe e kemi detyrim për ta respektuar popullin, në rradhë të parë duke mos përsëritur gabimet e paraardhësve”, u shpreh kryeministri Rama.

RAMA: REFORMA TERRITORIALE, E RENDESISHME PER TRANSFORMIMIN E SHERBIMEVE
Gjatë prezantimit të prefektes së Vlorës, kryeministri Rama tha se reforma administrative është shumë e rëndësishme për zhvillimin e vendit. Sipas tij, kjo reformë e cila ende nuk ka gjetur konsensusin me opozitën, do të transformojë tërësisht shërbimet.
 
“Reforma admninistrative, është përgjigjja e kalimit nga furgonat, në një transport ku edhe ata që sot jetojnë me furgona të mund të fuqizohen duke fituar më shumë dhe duke shërbyer më mirë. Në këtë pjesë të parë gjithçka ka shkuar siç e kemi planifikuar për nga hapat që kemi marrë dhe për nga objektivat që kemi pasur, dhe jam i bindur se kështu do të shkojë edhe deri në fund të vitit. Duhet punë, sakrificë dhe durim. Ndryshimi është i madh dhe nuk mund të vijë vetë. Nuk mund ta bëjë vetëm qeveria, por të gjithë bashkë dhe këtu rolin dhe përgjegjësinë më të madhë e ka aleanca jonë në nivelin politik për të garantuar drejtësi dhe siguri në marrëdhënie me njerëzit që të mos shpërdorohet pushteti. Përndryshe askush sdo të na ndjekë apo dëgjojë më”, tha Rama.

RAMA: KRIZA E SEKTORIT ENERGJETIK, E TRASHEGUAR
Kryeministri Rama tha se kriza në sektorin energjetik është e një sistemi të trashëguar nga ish qeveria Berisha dhe që sipas tij nuk mund të vihet në shërbim të disa njerëzve jo profesionistë.  
 
“Nëse duam sukses me krizën e sistemit energjitik, krizë ku ka rol militantizmi i njerëzve që punojnë në sistem, nuk mund të lejojmë kurrë që asnjë pjesë e këtij sistemi të vihet në shërbim të disa njerëzve duke harruar se ky është një sistem ku vetëm profesionistët mund të na garantojnë atë që kemi nevojë, jo vetëm dritën por edhe zhvillimin e sistemit në mënyrë të vazhdueshme, ky është vetëm një shembull, por nga këto shembuj do të na gjykojë populli”, u shpreh Rama.


rama me logo

PREFEKTJA HOXHA: VLERESIM QE KJO DETYRE IU BESUA NJE GRUAJE
Mes emocionesh, prefektja e re e Vlorës shprehu vlerësimin për këtë përgjegjësi, dhe veçanërisht faktin që kjo detyrë iu besua një gruaje. Duke iu drejtuar Besnik Dervishit, Hoxha tha se tashmë ish-prefekti ka shënuar rrugën që duhet të ndjekë.

“Nuk mund ta fsheh se kjo është një ditë e rëndësishme për mua nga ky nder e respekt që mu bë, por mbi të gjitha është një përgjegjësi e madhe. Megjithatë veprat dhe jo fjalët duhet ta thonë këtë. Falenderoj Këshillin e Ministrave veçanërisht kryeministrin Edi Rama. Zoti Kryeministër ju vlerësuat dhe besuat tek unë, por mbi të gjitha besuat tek një grua. Falë kurajos dhe besimit tek unë ju shënuat emrin e parë të një gruaje në postin e një prefekteje e këtij qarku. Investimin kaq të madh që keni bërë tek unë do të ua shpërblej me punë. Paraadhërdhesit tim, Besnik Dervishi,  ju shënuat rrugën që duhet të ndjekim ku rendi ligjor duhet të jetë përgjegjësi qytetare në çdo hap. Kemi nisur rrugën e një ndryshimi të madh, nuk do të vijë vetë dhe as lehtë, dhe atë nuk e sjell as Rama e Tahiri, por duhet të kthehet në aspiratë nga të gjithë, duke atakuar fenomenet si korrupsioni, papunësia, nepotizmi, pandëshkueshmëria, papërgjegjshmëria. Populli shqiptar kërkon një vend ndryshe." u shpreh Etjona Hoxha

Duke vazhduar më tej në fjalën e saj prefektja e re e Vlorës, theksoi se do të luftojë krimin dhe nepotizmin, ndërsa shtoi rëndësinë e reformës administrative si dhe kontributin e saj dhe të qarkut që kjo reformë të realizohet.

"Megjithë respektin për këdo, Vlora sheh, dëgjon, kupton nëse votat e marra në qershor do të shpërdorohen për privilegje, apo vendimarrje. Kriteret në çdo institucion duhet të mbeten aftësia dhe individi. Unë ju garantoj se çdo ditë do ta nis punën me përgjegjshmëri dhe vullnet se populli na votoi për të ndryshuar realitetinn e jetesës. Edhe mund të bëjmë gabime, por nuk do të ketë padrejtësi të qëllimshme. Angazhohem se do të ketë më shumë transparencë, kulturë debati, mirëkuptim, komunikim mes institucioneve. Një ndër prioritet e qeverisë është edhe reforma territoriale, dhe ne do jemi pjesë integrale e këtij procesi. Meqë politika ndërkombëtare priret nga zhvillimi rajonal edhe puna jonë do të jetë në një koherencë të tillë." përfundoi prefektja Hoxha.

etjona hoxha


TAHIRI: PREFEKTI TE MBIKQYRE NJESITE VENDORE
Për ministrin Tahiri, ky moment duhet të shërbejë për ritheksimin e prioriteteve të qeverisë, që u ndoqën nga Dervishi dhe që sipas tij do të ndiqen në të ardhmen nga prefektja e re. Ai veçoi rolin e prefektit si kryetar i grupit të punës për reformën administrative dhe koordinimin me njësitë vendore qeverisëse.

“Unë kam bindjen se Prefekti dhe kryeministri kanë komunikuar vazhdimisht, por ishte e domosdoshme edhe ndërrimi i prefektit. Kjo pasi është një ndër qëllimet e shumta por prioritare siç është reforma në administratë. Patjetër që derisa reforma të bëhet realitet mbetet në dorën e Prefektit të ushtrojë përgjegjësi në mënyrën më përparimtare që shërbimi të jetë sa më afër qytetarëve, dhe mbi të gjitha siguria ndaj qytetarëve, për këtë shkak prefekti është caktuar si kryetari i grupit të punës për reformën administrative. Prefektiti i duhet të koordinojë punën me njësitë qëndrore qeverisëse. Në cilësinë e vendimarrjes autonome, pushteti vendor merr vendime që kanë nevojë për shqyrtim nga organet qendrore qeverisëse”, tha Tahiri.
 
TAHIRI: PRIORITETET NE VLORE, LUFTA KUNDER NARKOTRAFIKUT DHE NDERTIMEVE PA LEJE
Tahiri evidentoi si prioritet të prefekturës të këtij qarku, luftën ndaj trafikut të lëndëve narkotike, duke theksuar se Prefekti duhet të ushtrojë presion pozitiv mbi policinë. Tjetër prioritet sipas Tahirit, është edhe lufta ndaj ndërtimeve pa leje.

“Prefektet kanë detyrë nxitjen, koordinimin për punën që bëjnë policia në luftën ndaj krimit, trafikut dhe korrupsionit, por mbetet shumë për të bërë për parandalimin e krimit. Prefekti duhet të ushtrojëe presion pozitiv ndaj policisë që puna e tyre të jetë efiçente. Prioritet në këtë qark mbetet lufta ndaj trafikimit të lëndëve narkotike dhe qënieve njerëzore. Kemi arritur rezultate të kënaqshme, por ka akoma shumë punë për të bërë. Prefekti ka detyrë të drejtojë përpjekjet e Task-Forcës për parandalimin e zjarreve sidomos në sezonin e verës, kjo arrihet me koordinim me pushtetin vendor dhe komunat. Prefekti nxit luftën ndaj ndërtimeve pa leje, prioritet i lartë i qeverisë, vëçanërisht në Vlorë”, - përfundoi ministri Tahiri.


tahiri me logo

DERIVISHI: SHETITORJA, PASAPORTA E VLORES SE RILINDUR

“Jo të gjithë problemet e qeverisjes mund të gjejnë zgjidhje në pak muaj, por në Vlorë kanë filluar të marrin jetë projekte që deri dje dukeshin të pamundura. Shëtitorja e re është pasaporta e Vlorës së rilindur. Do vijojmë me projekte për programet e ekonomisë së punësimit”, -u shpreh ish-prefekti Besnik Dervishi.

rama ne vlore me logo

Po sot, Kryeministri ka publikuar në profilin e tij në Fb, foton e prezantimit të znj.Hoxha me vlerësimin: "Një tjetër grua në një detyrë të lartë - Etjona Hoxha, prefektja e re e Vlorës, pedagoge dhe nënë e re, plot talent e pasion politik. Suksese!"

Lajm në përditësim që nga ora 11:00

Redaksia Online
(e.c/Gre.M/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Kompleksi i 29 Nëntorit është më i madh tek e majta

Kompleksi i 29 Nëntorit është më i madh tek e majta